E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet me energjinë, METE “shfajësohet”

Zëvendëministri Sokol Dervishaj, deklaroi se kjo situatë po monitorohet, por ERE ajo që merret me këto probleme. Ai premtoi, megjithatë, se në vitin që vjen këto probleme do të minimizohen.

“Këto ndërprerje nuk kanë ardhur për shkak të kësaj Ministrie apo të institucioneve të saj, qoftë KESH-it dhe OST, por kryesisht kanë ardhur për shkak të CEZ-it. Kjo është një çështje që monitorohet në mënyrë specifike nga ERE, pasi është ai institucioni përgjegjës që monitoron, kontrollon, verifikon dhe penalizon në rastet konkrete. Kështu që, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ERE dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe monitorojmë situatën edhe në CEZ”, tha zyrtari i lartë i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës.

Ai theksoi se shqetësimi i biznesit është i drejtë, por nuk dha ndonjë shpresë se situata do të përzgjidhet shumë shpejt. “Është një shqetësim i drejtë, jo vetëm për bizneset, por është një shqetësim i drejtë që vjen edhe nga qytetarët, dhe prandaj ju thashë gjatë kësaj konference që i kërkojmë CEZ-it të ushtrojë me përpikëri detyrimet kontraktore që ai ka me qytetarët, me bizneset, por edhe me vetë marrëveshjen që ka me Republikën e Shqipërisë dhe me institucionet që rregullojnë gjithë këtë sistem, përkatësisht me ERE-n”, theksoi Dervishaj. Para disa ditësh, biznesi shprehu ankesë ndaj furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se biznesit i janë shkaktuar 23 milion euro dëme. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-28 08:56
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›