E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen 12 televizorë në një lokal në Plazh

22/02/2009  Hajdutët boshatisin pikën e lotos, mendohet t’i kenë transportuar me mjet

DURRES- Persona të mbetur anonim nga policia deri në pasditen e ngjarjes të së premtes kanë vjedhur një lokal në Plazh, duke marrë që andej të gjithë televizorët. Plot 12 televizorë 22 polesh janë grabitur pa u diktuar nga askush duke lënë pronarin e lokalit loto sport të shokuar sapo ka shkuar tek dera e dyqanit. Shtetasi Bledar Prizreni që është edhe pronar i lokalit në zonën e Plazhit të Durrësit ka njoftuar policinë sapo ka parë derën e shpartalluar. Grupi hetimor ka marrë në pyetje pas pronarit që ka bërë edhe aktin e kallëzimit, punonjësin e dyqanit si dhe disa të rinj që kanë dalë të fundit nga lokali.

Vjedhja

Vjedhja e lokalit të shtetasit Bledar Prizreni ka ndodhur nga ora 23 e së enjtes deri në orën 08 të së premtes, kohë që në dyqan ka ardhur vet pronari. Loto sporti i shtetasit Prizreni të lindur në Kukës dhe banues në Shkozet të Durrësit gjendet në Plazh në vendin e quajtur sektori “Teuta”. Lokali në fjalë frekuentohet më së shumti nga të rinjtë që ndjekin kryesisht në orët e pasdites deri në mbrëmjen e vonë ndeshjet e ndryshme të futbollit. Të 12 televizorët 22 polesh përdoreshin për të vënë baste. Sipas pronarit dhe punonjësit të lokalit, gjithçka ka ndodhur rreth mesnatës. I pari ka parë lokalin e hapur vet shtetasi Prizreni, i cli ka konstatuar se dera ishte e dëmtuar dhe brava e prishur. Një pamje e tillë e ka shtyrë atë të njoftojë menjëherë policinë, ndërsa më pas ai ka kërkuar të mësojë edhe nga punonjësi i tij se në ç’kohë është larguar. Dera është thyer thuajse e gjitha pasi personat që kanë pasur mjetet rrethanore në këtë vjedhje nuk kanë mundur ta hapin portën pa e dëmtuar.

Me anë të levës ata kanë thyer lasën e derës dhe më pas kanë hequr paftat për të nxjerrë që andej derën. Policia ka vërejtur se i gjithë malli ka dalë nga dera, pasi dritarja ka qenë e padëmtuar. Pronari i lokalit ka thënë për policinë se në dyqanin e tij kishte vendosur 12 televizorë 22 polesh që shërbenin për të vënë baste.

DYSHIMET

Nga hetimet paraprake mendohet se kanë qenë një grup personash që kanë bërë vjedhjen dhe se ata kanë përdorur edhe mjet transporti pasi bëhet fjalë për 12 televizorë. Policia ende nuk ka identifikuar asnjë nga hajdutët, por ka nisur të përgjojë disa të rinj që janë të skeduar si të tillë. Shtetasi Bledar Prizreni mendohet të jetë përgjuar nga hajdutët. Këta të fundit ka mundësi ta njohin nga afër pronarin e lokalit, ndërsa policia mësohet se ka pyetur edhe disa persona që shërbejnë në lokalet aty pranë si roje objektesh apo edhe si personel shërbimi

U deklarua se iu gjenden në banesë disa nga orenditë e vjedhura

Vidhet shtëpia në Kënetë, prangoset 22-vjeçari

DURRES- Është vjedhur një natë më parë një shtëpi banimi në Kënetë duke detyruar policinë të vërë nën akuzë shtetasin D. K. I riu 22-vjeçar, sipas policisë, është autori i vjedhjes, e cila është kryer në bashkëpunim me një person tjetër, emri i të cilit nuk është bërë publik. Shtëpia gjendet në lagjen numër 17, skolina numër 1 fare pranë unazës së Durrësit. Nisur nga sa ka pohuar policia kjo vjedhje është kryer në orët e mbrëmjes pikërisht kur familjarët kanë qenë për vizitë tek një i afërm. Në më pak se 5 orë pas kallëzimit nga familjarët, policia ka ndaluar dhe më pas i ka komunikuar arrestin shtetasit D. K., 22 vjeç, i lindur në Tropojë dhe banues në lagjen numër 14 në Shkozet. Policia është deklaruar e bindur se ka arrestuar pikërisht personin që ka vjedhur shtëpinë në Kënetë nga ku janë marrë disa orendi shtëpiake. 22-vjeçari nuk ka pasur më parë precedent penal për vepra të tilla, ndërsa thuhet se i janë gjetur një pjesë të sendeve që i përkasin shtëpisë së vjedhur, por pa ofruar ndonjë listë me këto sende. I arrestuari mësohet se nuk e ka pranuar kryerjen e krimit të vjedhjes, ndërkohë që kjo është e para vjedhje e denoncuar në shtëpi banimi në Kënetë.

Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›