E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrra që shëtit qytetit



Mark SIMONI
Ëndrra që shëtit qytetit

Isha krejt i sigurt se atë grua të bukur e pata takuar një herë në qiell, në një stacion të braktisur, rrethuar me mjegull e re të frikshme. Më qe afruar dhe më pati thënë se më shihte çdo mbrëmje në ëndërr, pastaj, duke më lënë një puthje të ngrohtë, pati ikur nëpër një rrugicë të çuditshme, tri-katër metra anash qiellit.
Dhe pas aq kohësh e pashë prapë fytyrën e saj, por tashti në kopertinën e gazetës më të madhe të qytetit, shoqëruar nga një shkrim, ku thuhej se kjo grua shihte ëndrra të çuditshme. (Madje diku përmendej emir im, po, po, bash emir im, gruaja më shikonte në ato ëndërra pikërisht mua dhe askënd tjetër.) U tremba, mos qe ndonjë mallkim?
E kishin ndryrë në një çmendinë diku në periferi, në një spital të zymtë, të vjetër e të rrënuar. E patën lidhur me këmishën e forcës dhe vënë përballë një muri të ftohtë, memec, të bardhë e bosh.
U kërkova autoriteteve të spitalit që ta takoja, aq më tepër që në të gjitha kartelat e shpjegimeve të ëndrrave të saj përmendesha unë. E gjeta të kruspulluar në qosh të dhomës, dhe mbërritja ime jo vetëm nuk e çeli, por e bëri të mblidhej më tepër, të skutlohej e të bëhej sa një grusht. Mërmëriste me vete, sikur po thoshte rruzare apo psallme nga liturgjitë e vjetra. Pasi mbaroi, m’u drejtua e më tha gati me kërcënim se nuk qe aspak e çmendur, por e kishin dërguar fare kot në atë spital. Heshti e ndenjti gjatë, pastaj më tregoi se ajo puna e ëndrrës ishte e vërtetë dhe jo shkallim imi, as lajthitje e çmendim. Thuaju dhe ti për të, tregojua ëndrrën time, që të mos më lënë më në këtë vend të mallkuar.
Kur e pa se nuk e kapa dot fillin, dhe s’e kuptova përse bëhej fjalë, m’u afrua ashtu rrëshqanëthi dhe m’i nguli sytë e saj të tërbuar, tashmë të mbushur tej e mbanë me trishtim. M’i tregoi fill e për pe ëndërrat e saj, që s’qenë tjetër veçse rrugëtimet e mija të çuditshme netëve mbi qytet. Madje, ajo më tregonte detaje që unë i pata harruar.
Prej shumë kohësh unë kisha qënë realiteti i ëndërrave të saj .

* * *
Dalngadalë, po më kujtohej se diku andej pas mesit të natës, sapo më zinte gjumi, e ndjeja se trupi im bëhej fare i lehtë dhe ngrihej në ajër, deri pranë tavanit, pastaj nga një dorë e padukshme hapej dritarja dhe unë dilja, si duke lundruar në ajrin e zi të natës dhe vërtitesha mbi shtëpitë e qytetit, mbi rrugë e parqe. Deri lart ngjiteshin zhurmat e rënda dhe jehonat e mbytura. Valë-valë, ngadalë e me ngulm. Valloja shtigjeve të ajrit, bri resh e mjegullash. Qyteti bëhej i vogël dhe shtëpitë përherë e më piciruke. Pastaj zbrisja e bridhja buzë dritareve, nga ku dalloheshin njerëzit që flinin, bënin dashuri, shamatë apo shtrirë në gjumë të rëndë, të rrethuar prej muresh e orendish. Poshtë gërvimat e makinave të pastrimit, semaforët e përgjumur, ndonjë sirenë urgjence, të shara magjypësh që ziheshin për kazanët e mbeturinave, njerëz që ktheheshin nga darka e dashuri të vona. Lodroja pafund, mbi tarraca pallatesh të vjetra, mbi kishëzat e vogla dhe këmbanaret e tyre, mbi shtëpi me tjegulla të errëta, mbi çdo gjë, i dehur nga hareja, nga frika dhe habia. Poshtë, magjypët dilnin nga kinemaja e vjetër, duke kënduar këngë filmash po kaq të vjetër. Të tjerë ktheheshin nga kënetat me tufën e pulëzave të vrara, ca gjuanin peshk në breg të lumit, ndonjë i dehur mallkonte mejhanen nga ku sapo kishte dalë dhe i turrej derës së mejhanes përbri, diku kishte ndonjë mort dhe vaji e tymi i oxhakut të asaj shtëpie ngjitej deri lart, I hollë dhe i mbytur.
Kurrësesi nuk mund të rrëzohesha mbi qytet, në humnerën e tij të çuditshme. Trupin e ndjeja se ma mbante diçka e fshehtë, tamam ashtu siç mbërthen prindi fëmijën e vogël, kur luan me të hidh e prit drejt tavanit të shtëpisë. E ndjeja në brinjë mbajtjen.
- Përherë kisha hallin se mos dikush , ndonjë zë, ndonjë rropamë apo dhimbje ma prishte gjumin, e atëherë ëndrra ime të lëshonte ty pa mëshirë nga atje lart, mbi rrugë, mbi lumë, mbi ndonjë shtëpi apo antenë. Ky ankth më ka mbajtur gjatë, ndërsa ti lodroje skutave të qiellit, mbi ne, mbi dhomën e krevatin tim. O Zot, sa kam dashur që të mos e shihja atë ëndërr, vetëm e vetëm që ty të mos të të ndodhte gjë e keqe, por sa më shumë dëshiroja që ëndrra të mos më shfaqej, aq më tepër më gllabëronte.
Çdo gjë që shihja unë në ëndërr, ndodhte me të vertetë me ty. Këtë ua thashë mjekëve, dhe ato më sollën këtu. Ti më mirë se kushdo e di të vërtetën, thuaju atyre, dua të dal nga ku kam rënë.
Mjekët dëgjuan gjatë rrëfimin tim, mbajtën ca shënime në një kartelë dhe vetëm në të rrallë bënin më ndonjë pyetje. U thashë se gruaja e bukur, që dergjej në njërën nga dhomat e pavionit, jo vetëm nuk qe e çmendur, por përkundrazi kishte një shqisë më tepër se të gjithë ne që ishim aty. Shpjegova gjatë se unë kisha qënë vërtet realiteti, që ëndërrat e saj i bënte të ndryshme nga ëndërrat që shihnin të tjerët.
Kur mbarova, në derë u shfaq magazinieri i spitalit, që kishte sjellë një këmishë të re force.

Një kandil te kryet

Megjithëse pati kaluar në këto anë së paku dy tri-herë për njëqind vjet, askush nuk mund të thoshte se si kishte qenë e çfarë kishte qenë. Si ëndërr e keqe a si flamë, në kajde të dertit a si biçim murtaje, herë si tufë e zezë resh që lë leshin e zgjebes ferrave e murrizave, e herë të tjera si sëmundje që rrafshon çdo gjë të gjallë dhe bën golle çdo shtëpi.
Dikush, tashmë i luajtur fiqiri, mbi një kalë po kaq të dalë mendsh, pati mbërritur pas mesnate në katund, menjëherë pasi kishin hasë e ra në atë gjënë e keqe, teksa po vinte ngadalë atyre anëve. Burri, i shituar nga frika dhe i verdhë si vetë vdekja, ishte munduar të tregonte se çfarë pati parë atje në të dalë të fshatit, por me aq pak sa u tha, askush nuk kishte kuptuar gjë. Pastaj i sëmuri pati rënë në petkat e të shtrumes për të mos u ngritur më, deri ditën që me një vig të vjetër e çuan ndër vorre. Dyerve iu vunë do llajka të sigurta e dritaret i mbyllen krejt. Kudo po piqej kafe që u duhej për mort, ndërsa katundin e rrethuan edhe me do teneqe që krokllinin vajtueshëm, dhe me zjarre ku digjej squfur, me kandila karbiti, me bajga, thonj e flokë të djegur që hapnin një typ të tmerrshëm.
Por bash atëherë, kur nga një skutë e qiellit u pidafën mbi kryet e fshatit do re të zeza e ditë të zymta, shenjat u tha se tashmë kishin mbërritur, dhe s’kishte për të vonuar që t’ia behte edhe vetë ajo gjëja e keqe, që kishte për t’i qitë fare krejt.

* * *
Plaka qe nisur t’i dilte përpara gjësë së keqe, bash në pritë. (Bile me të qe nisur dhe një burrë që të gjithë e njihnin për shtrig, por kur shtrigu u pa të sillej vërdallë katundit u kuptua se virgjna qe nisur fillikat.) Njerëzit thanë se qe veshur e shtërnguar me petkat që i kishte ruajtur për ditën e vdekjes. Këmbësh kishte veshur një palë rrethe gjedhi, që ta ndiqte atë morte hije më hije e shteg më shteg, ngado që të vallonte ajo. Pati vu dhe mustaqet e të atit, mustaqet e mëdhaja kacadre, që ia kishte prerë ditën e vdekjes e i pati ruajtur në një rizë të vogël.
Era lëshonte rropama honesh, e kandili i karbitit gati sa nuk i fikej. Hija e saj lëkundej mbi shpate e humnera, e çanta e shpinës me dy dorza djathi, një rreth bukë e disa shega, dukej më e madhe se mali i zdramtë. Nën xhurdine pati fshehë një rrjetë të madhe, me të cilën fshatarët zinin peshk në vaun e lumit, e do leqe metalike që i kishte për dhelprat. Me to do ta kapte të keqen.
Virgjna s’pati patur kurrë frikë, as burrë e as fëmijë, veç një nipi të vogël me të cilin jetonte e që ia pati vu emrin Mort. Tashti s’i kujtohej më përse e kishte quajtur ashtu. Qe mrrolë e kruspullu atje në qosh të katundit, nën një strehë të vogël, dhe i pati shty ditët e jetës si gurët që rrëzohen prej dhive kur kullosin shpatesh. Ishte zvoglu e tha’ prej pleqnie, si një thalb i rreshkun hudhre. Zërin e vragët e kishte me lëngatë (nuk i nisej më nga mushkëritë e shterruna si mëshere djathi, por i fillonte prej fyejve të kërcijve) e një grusht kërcinj qe trupi i saj, që prej vitesh e brente ngadalë sëmundja e shkallnueme e lijës. Duhani i thatë që pinte e bënte edhe më të dobët (si lëkurë të hollë dhije, ku futet drithi a rakia) e në aq pak trup s’kishte më vend për një dorëz shpirt.

* * *
Kur u kthye pas disa netësh, me teshat e fytyrën të laskarume, e gjeti katundin bosh, pa njeri, krejt të braktisur. Të gjithë kishin ikur e fshatin e patën lënë vetëm. Qe terr e s’bzante asgjë. Vetëm disa dyer ziti e llajka të vjetra, që i tundte era, vajtonin si shpirtra të këqinj.
E kuptoi se të tërë kishin luajtur fiqiri, dhe iu kujtuan sytë e fëmijëve (të hapur jashtë mase si sy të çmendurish), kur dëgjonin për atë gjënë e keqe. Madje iu bë se disa prej këtyre syve i pa të hedhur aty-këtu rrëzë gardhiqeve, si fruta të rëna nga pemët. Deshi t’i mblidhte një e nga një, por ato iknin ferrave si xixëllonjat.
Me zor e mbërriti strehën e vet. Trasta, rrjeta, leqet e feneri se ku i kishin mbetur.
Pas mesnate pa një ëndërr të keqe. U ngrit dhe valloi nëpër katund derë më derë e shteg për shteg. Qe një ëndërr aq e rëndë, sa s’mund ta mbante për vete, donte medeomos t’ia thoshte dikujt. Iu bë se dëgjoi zëra dhe vrapoi për andej. S’qe kush. As dhe ndonjë mace e vetmuar s’pati mbetur kund. Vetëm dyer ziti e llajka përplaseshin prej ere. U kthye e sa ra në të shtrueme, ëndrra ia behu prap. Po e njëjta, vende-vende më zezane dhe më lugate, sesa kishte qënë së pari. Qe e rëndë dhe po e shtypte dalëngadalë pa mëshirë, si një kokëldushke të mjerë. I shkoi në mend se një ëndër e tillë qe më shumë se për t’u parë prej një njeriu të vetëm, madje edhe një katund ishte pak për të. Valloi si hije shtrigash shteg më shteg e gardhiqe më gardhiqe që ta linte diku atë mallkeme ëndërr, po s’pati ku. I ra pash e më pash asaj nate të zezë për një shpirt, por s’pati askund, nuk gjeti e s’ndiu kërkund, veç vajit të një dere ziti që, kur e tundte era, kuiste si shpirt i rënë në leqe.
Kryet e kishte gjithë dallgë prej dhimbjes. Kah e vona ndjeu se një gungë e madhe po i rritej ngadalë e me ngulm diku në maje të kresë. Iu kujtua kungulli keqan (që e pati lënë në fund të kopshtit), me dy calikë të ngjitur njëri me tjetrin. Bash ashtu e ndjeu kokën e saj, ku silleshin dallgë e shtërngata imazhesh, dhimbjesh e ëndërre. U kthye në të shtrume, u mbështet dhe s’u ngrit më. S’pati kënd ta ndihmonte as të ngrihej e as të vdiste.
Kur kaloi moti dhe në katund ia behën bujtësit e parë, i gjetën eshtrat e virgjnës në shtrat, mbuluar me do shtroje gjedhesh. Një kandil karbiti i digjej te kryet.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›