E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, në takimin me të dërguarin e OSBE-së, ndryshon qëndrim: “Kutitë të hapen nga Prokuroria”



Kryeministri Berisha është takuar dje me të dërguarin special të kryetarit të OSBE-së, Konstantin Zhigalov, të cilit i ka bërë të ditur se kutitë e votimit të hapen nga Prokuroria. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare të fokusuara në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e projekteve më madhore për shqiptarët, integrimin në BE dhe liberalizmin e vizave. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e arritjeve të standardeve më të larta në procesin zgjedhor, të cilat u konkretizuan në zgjedhjet e qershorit 2009, zgjedhje të certifikuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Kryeministri bëri një përshkrim të situatës politike në vend duke vënë theksin te propozimet për kompromis që maxhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me Gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe KiE-së, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Konstantin Zhigalov falënderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë për mbështetjen që i ka dhënë Kazakistanit për kryesimin e OSBE-së, si dhe për bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Zoti Zhigalov i shprehu vlerësimet kryeministrit Berisha për arritjet në reformat dhe në zhvillimin e madh të vendit në të gjitha fushat, si dhe e përgëzoi atë për arritjen e qëllimit madhor për Shqipërinë, anëtarësimin në NATO, duke uruar sukses edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Konstantin Zhigalov i bëri me dije kryeministrit Berisha mbi organizimin e Samitit të OSBE-së në Astana, duke i përcjellë kryeministrit Berisha ftesën për të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm, i cili pritet të zhvillohet në fund të këtij viti, ftesë të cilën kryeministri Berisha e pranoi me shumë kënaqësi. I dërguari special i OSBE-së z. Konstantin Zhigalov, është pritur dje edhe nga zëvendëskryeministri Ilir Meta. Në këtë takim ai ka shprehur gatishmërinë e OSBE/ODIHR-it për të dhënë ekspertizën e saj në hartimin e reformës së re zgjedhore.

Rama-Zhigalov: Politika shqiptare të gjejë zgjidhjen e krizës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje pasdite ka pritur në një takim të dërguarin special të kryetarit në detyrë të OSBE-së, Konstantin Zhigalov. Në këtë takim i dërguari special i kryetarit në detyrë të OSBE-së shoqërohej nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bosh. Kriza politike në vend e krijuar pas zgjedhjeve 28 qershorit ka qenë tema kryesore e diskutimit. Nga ana e OSBE-së u përshëndet hapi i bërë nga Partia Socialiste për të hyrë në Parlament, si edhe për propozimin për zgjidhjen e krizës me anë të iniciativave ligjore. Gjithashtu iu kërkua politikës shqiptare që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem kaq të rëndësishëm. Përfaqësuesi i OSBE-së shprehu interesin dhe mbështetjen e tij që çështja e transparencës së zgjedhjeve është shumë e rëndësishme. Kreu i PS-së theksoi se nuk po kërkohet ndryshimi i rezultatit zgjedhor, por PS-ja kërkon që hetimit të zgjedhjeve t’i shkohet deri në fund, sepse ky proces do t’i shërbejë standardit të zgjedhjeve të ardhshme. Sipas Ramës, ajo që ndodhi në Ruzhdie mund të jetë e përhapur edhe në zona të tjera në Shqipëri dhe ndaj hetimit parlamentar duhet t’i shkohet deri në fund. Në këtë takim ishin gjithashtu; kreu i Grupit, Gramoz Ruçi dhe deputetët Valentina Leskaj, Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›