KOBI I SHIKIMEVE DHE I NJOHURIVE TE PAPENGUARA
1.
Dija se do të më ndjekë rrëfimi i kushërinjve të mi të Sarajevës, prej momentit kur vendosa të mos e merrja taksinë për në Bashçarshi. U thashë shoqëruesve të mi se do të doja të shkoja me tramvaj; ata më thanë se tramvaji, tash në qershor, mban erë njerëzish të palarë. Unë thashë se doja t‘ua shihja fytyrat njerëzve të palarë që lëshojnë erë në qershorin e atij, që tashmë është viti i kaluar, gjegjësisht viti i 16-të prej kur nuk kisha qenë në Sarajevë.
Tramvaji ecte nëpër luftë. Jashtë ishte Holiday Inni, ndërtesa e Qeverisë dhe ajo e Parlamentit, Biblioteka e njohur; brenda ishin fytyrat e njerëzve që do të shikonin gjithkund, por jo në syrin e tjetrit, posaçërisht të të huajit që do të gjendet në tramvaj. Stacion pas stacioni, do të hyjnë e të dalin të njëjtat fytyra. Do të mbajnë shikimin nga mesi e poshtë, me cepa të buzëve në konkordancë, nga mesi e poshtë, me krahët e lëshuar gjithashtu, nga mesi e poshtë.
Është pak a shumë si puna e babait të njërit prej personazheve të përmbledhjes së tregimeve "Çështja e Brunos" (Vintage International, New York, 2001), të shkrimtarit amerikan me prejardhje boshnjake, Aleksandar Hemon. Në këtë libër, Jozef Pronek, boshnjak i emigruar në Amerikë, do ta përcjellë luftën në vendin e tij të lindjes në reportazhet e lajmeve të mbrëmjes. Duke u përpjekur të identifikojë njerëzit që dilnin në pamjet televizive, Pronekut do t‘i duket se një figurë, që përpiqej me të shpejtë të ikë nëpër atë që quhej "rruga e snajperistëve", ishte ajo e babait të tij. Por, nuk do të mund ta njihte, sepse e kishte mbuluar kokën me gazetë.
Këtë personazh, sikur edhe bashkudhëtarët e mi në tramvaj, do t‘i ndiqte besimi se të shikuarit e papenguar i ndjellin të keqen.
2.
Kushërinjtë e mi kishin ndërtuar një konstatim plotësues, se edhe njohuritë e papenguara e ndjellin të keqen. Ca javë para se të plaste lufta në Bosnjë do të ulesha në lokalin e tyre në Bashçarshi, për të ndarë bashkërisht mendimet rreth paralajmërimeve gjithnjë e më të zhurmshme të fillimit të konfrontimit të përgjakshëm ndëretnik në Bosnjë. Prisnin prej meje, si më i informuar, pas takimit me udhëheqësin e vendit, se çka do t‘u thosha. U shpjegova se ndjenja e udhëheqjes është se po afrohet lufta, por se do të provojnë t‘i eskivojnë.
"Kuku!", brofi njëri prej kushërinjve, i ballafaquar me njohurinë e papenguar se autoritetet e Bosnjës nuk janë të gatshme të mbrohen, por do të përpiqen që të përdorin teknikën boksiere të eskivimit.
Dhe, e keqja erdhi, prej granatimeve e deri te snajperistët. Dhe do të gjendeshin në situatën që e përshkruan një prej personazheve të Hemonit:
"Njerëzit presin në rend në pikën A, që t‘u vijë radha për të vrapuar përtej. Kur të të vijë radha nuk mund të presësh, sepse sa më gjatë që t‘i të presësh, aq më i gatshëm është snajperisti".
Pas 16 vjetësh, zbrita në stacionin e tramvajit të Bashçarshisë, shkova në lokalin e kushërinjve, u çmalla dhe dëgjova rrëfimet e tyre personale, rrëfime që përfundojnë në momentin kur fillohet të flitet për të tjerët.
Aty nuk ka më rrëfim, as rreth pushtetit, as mafiozëve që i shërbejnë pushtetit, as mediave që u shërbejnë mafiozëve e pushtetit (e ndonjëherë sillen sikur të ishin pjesëtarë të njërit, tjetrit apo të dy grupeve së bashku); aty nuk ka më njohuri të papenguara, ato ndjellin të keqen.
3.
E keqja, qartazi, ishte lufta. Ajo e rrugës së snajperistëve. Ajo e mbylljes së plotë të njerëzve në apartamentet e tyre. Ajo e pamundësisë së varrosjes së njërit prej personazheve, tezes Fatime, dhe mbajtjes së kufomës në një dhomë derisa më nuk bën, derisa duhet mbështjellë me disa çarçafë dhe hedhur nga dritarja, vetëm për të parë pas disa ditësh skenën ku njëri prej qenve endacakë, përfshirë edhe ata të racës (pastorët gjermanë sulmojnë në fyt, poodle kafshon këmbën), marrin kufomën, gjegjësisht dhe në formë të dukshme, dorën e djathtë.
Dhe, një e keqe që tashmë është integruar si formë e shpjegimit të çdo relacioni njerëzor pas përfundimit të konfrontimit.
Personazhi Jozef Pronek shkon për vizitën në Sarajevën e pasluftës dhe në aeroport merr një taksi.
"Taksisti nuk e lëshoi taksimetrin e unë i thashë që ta bënte. Ai tha, me një theks të lezetshëm sarajevas: Çka po brengosesh? Do paguash, gjithsesi. Por si do ta di unë shumën? - pyeta. Do ta dish, do ta dish, - më tha. U zumë me fjalë, deri sa e ndali veturën, u kthye kah unë, shkopsiti këmishën për të më treguar një shenjë plage dhe tha: Dëgjo, nuk i kam kaluar katër vjet në istikame, duke e mbrojtur këtë qytet, që tash ta lëshoj taksimetrin, a është në rregull? Po, në rregull".
4.
Javën e kaluar, ndërsa bëheshin përgatitjet përfundimtare për vizitën në Ballkan të nënkryetarit amerikan Biden, ishte në Prishtinë njëri prej ekspertëve të konsultuar nga administrata amerikane rreth kësaj vizite.
E dija se, pos konstatimit tashmë të njohur se nuk ka funksionalitet shteti, duhej t‘i thosha edhe diçka rreth Bosnjës. E dija, prej kohësh, po ashtu, se do të më ndiqte rrëfimi i kushërinjve të mi të Sarajevës.
Që të dy njohuritë u kondensuan me dëshirën për të lexuar më shumë Aleksandar Hemonin, shkrimtar, i cili, që tani ka lënë vulën e tij në letërsinë amerikane, e në të përkthyer, edhe në atë botërore.
Më hyri në punë "Bruno", për dy definicione plotësuese për Bosnjën.
Një, se Bosnja është rrafsh kohor. Fytyrat që shikojnë poshtë dhe mendjet që nuk duan të dinë më shumë e njohin Bosnjën si një të kaluar, si një përjetim, si një të kaluar e përjetim para se të shpërthente lufta, e cila është ende në kokat e tyre.
Dy, se kështu e sheh edhe Hemoni, duke e shndërruar këtë përjetim në letërsi.
Kështu, Bosnja është një përmbledhje tregimesh e dy romane, më shumë se sa është shtet.
Dhe, kjo, po t‘u duhej shpjeguar ekspertëve, është një gjendje krejtësisht e re për gjeopolitikën: si të përdoren ushtritë perëndimore për ruajtjen e një përjetimi letrar?