E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rio Ferdinand: "Nuk do ta ndërroja sulmin e Mançesterit me atë të Barcelonës"

Me gjithë dëmtimin në kavilje, që mund ta mbajë jashtë fushe në ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve në Romë, Rio Ferdinand shfaqet mjaft i qetë. Në hollin e hotelit ku jep intervistën, thotë se ka bërë gjithçka duhej për ta lënë pas dëmtimin. "Nuk jam në pikën ku do të doja të isha, por jam në rrugën e duhur", pranon me sinqeritet. "Trajtimi tashmë ka mbaruar. Kavilja është shëruar, por më duhet të jem në njëqind për qind të formës. Fillimisht e nisa me vrapime të lehta, ndërsa tani po stërvitem bashkë me skuadrën. Kështu që gjërat po shkojnë ashtu siç duhet".

Sigurisht, do të luajë me çdo kusht. Thotë se pas triumfit në kampionatin vendas, skuadra beson te fitorja e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve, gjë që do të ishte arritja më e madhe e klubit. Do të bënte gjithçka që ka në dorë për të qenë përkrah Nemanja Vidiç, për të ndalur Samuel Etonë, Tierri Henrinë dhe Lionel Mesin, nga të cilët thotë se nuk druhet aspak. "Nuk do ta ndërroja sulmin e Mançesterit me atë të Barcelonës". Por pyetjes se si ndihet në një çast kur kavilja mund ta lërë jashtë fushe, i përgjigjet prerë: "As që e shpie ndër mend diçka të tillë".

Rio Ferdinand tashmë është 30 vjeç dhe do të martohet kësaj vere me të fejuarën, Rebeka Elison, me të cilën ka dy fëmijë. Është katër herë fitues i Ligës Premier, si dhe i Ligës së Kampionëve. Fushën e futbollit profesionist e shkeli për herë të parë në moshën 17-vjeçare me Uest Hemin e Herri Rednap; në moshën 18-vjeçare u përfshi në Kombëtaren e Anglisë dhe kur mbushi të 19-at ishte kapiten i skuadrës së tij. Ndërkaq, për shumë sportdashës përfaqësonte gjithçka tipike të futbollistëve të famshëm, me një stil jetese tepër ekstravagant, sidomos në çastin kur u ble për 42 milionë euro nga Mançester Junajted, bashkë me tetë muajt pezullim për mosparaqitje në një testim antidoping.

Edhe në fushë talenti i tij natyral u cenua nga teprimet jashtë dhe brenda saj. Por thotë se të gjitha këto i përkasin së shkuarës. Është rritur dhe e ka vërtetuar këtë në një prej stadiumeve më të shkëlqyer të botës, në "Old Traford"-in e Sër Aleks Fergusonit. "Kjo vjen me përvojën, reflekton ai. Teksa rritesh, mëson përmes gabimeve. Kam mësuar të përqendrohem te puna, gjë që nuk e bëja ashtu siç duhej më parë".

Kur iu bashkua Mançester Junajted në vitin 2002, gjeti një skuadër të mbrujtur me ndjenjën e seriozitetit në punë. "Hyja në dhomat e zhveshjes dhe aty gjeja Kinin, Bek-un (David Bekham), Gigsin, Skolsin, Veronin e Van Nistelroin. Ishin ndër futbollistët më të mirë në botë, por punonin më shumë nga futbollistët me të cilët kisha luajtur më parë. Kështu që m‘u desh të përshtat regjimin e trajnimit".

Ata që e njohin mirë ambientin e brendshëm të Mançester Junajted thonë se Rio është një karakter tepër i rëndësishëm në dhomën e zhveshjes. Pranë Gigsit, Skolsit dhe lojtarëve të tjerë me një farë moshe në skuadër, zotëron disa karakteristika të personalitetit, që e bëjnë shumë të afërt edhe me futbollistët me moshë të re. Suksesin e Mançester Junajted e shpjegon me aftësinë e Aleks Fergusonit për të grumbulluar e menaxhuar talente, dhe frymën e fitores që ky ka futur në skuadër. Një përbërës shumë i rëndësishëm është mungesa e grupimeve; skuadra është një e tërë.

Fergusoni është thuajse i kudogjendur në përshkrimet e Rios, një personazh me përmasa shumë të mëdha, i krijuar gjithashtu përgjatë viteve. Me kalimin e kohës ka arritur të kuptojë se yjet nga i gjithë globi nuk janë të gatshëm të pranojnë dorën e hekurt që solli nga Aberdini në vitet tetëdhjetë. "Mendoj se menaxheri e ka zbutur pak tonin me kalimin e viteve", shpjegon Rio Ferdinand. "Ka mësuar se me gjithë këta yje të huaj në skuadër, gjërat ndryshojnë. Por mos më keqkuptoni: kur vjen çasti për të goditur dikë, as që i vjen turp ta bëjë. Nëse dikujt i duhet thënë se nuk po bën atë që duhet, do t‘i thuhet, dhe pa i rënë rreth e përqark. Forca e menaxherit fshihet te përdorimi i metodave të ndryshme për futbollistë të ndryshëm. Di mirë ç‘duhet thënë, si duhet përkëdhelur futbollisti i duhur në mënyrën e duhur dhe në çastin e duhur. Është kjo arsyeja për të cilën Ferguson është një menaxher i madh".

Pas shkarjes së këtij sezoni, kur me shtatë pikë diferencë nga vendi i dytë ata humbën 4-1 kundër Liverpulit e më pas 2-0 ndaj Fulhamit, futbollistët bënë një mbledhje në grup me Fergusonin dhe më pas patën takime veçmas me të. Ferdinandi tregon se diçka e tillë ua ktheu të gjithëve mendjen në fushën e lojës.

Për sa i përket lojës përkrah Nemanja Vidiç, një prej futbollistëve më të shkëlqyer të Mançesterit për këtë sezon, shpjegimi i Ferdinand shtyhet në kufijtë e mistikes. "Njerëzit mendojnë se ai luan një kundër një dhe unë e mbuloj, por nuk bëhet më kështu. Ai ka zonën e vet për të mbuluar, ndërkohë që unë kam timen. Është telepatike: ai e di çdo të bëj unë, ndërsa unë e di se ku do të shkojë ai. Mund të të ndodhë kjo një herë në gjithë karrierën, ndoshta dy herë, po të jesh me fat, dhe për fat të mirë na ka ndodhur ne".

Ai thotë se do të mbetet te Mançester Junajted deri në fund të karrierës dhe se as që e shpie ndër mend të shkojë diku tjetër. Gjithashtu shpjegon edhe "magjinë" që ushtron tek ai kjo skuadër. "Të gjithë, kur janë fëmijë, luajnë futboll me mendjen se një ditë do të përfundojnë te Mançester Junajted, thotë ai. Është një skuadër me traditë të shkëlqyer. Triumfi në nivel evropian është pjesë e asaj tradite dhe klubi ka ndjesinë se duhet të kishte më shumë trofe evropiane dhe është pikërisht ajo që po kërkon të bëjë vitet e fundit".

Kur biseda zhvendoset te vendi që zë ai vetë në këtë trashëgimi, Ferdinand kthehet në një ëndërrimtar: "Të kesh mundësi për t‘u bërë pjesë e asaj historie, të hysh në atë histori, të kujtohesh si pjesë e asaj historie, është tepër e rëndësishme për mua".

Është kjo arsyeja për të cilën ai kërkon aq dëshpërimisht të luajë në Romë të mërkurën, dhe siç thotë edhe vetë, as që e çon ndër mend se mund të ndodhë e kundërta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›