E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Unë mbarova punë, po iki"

Është një varg në një poezi të famshme, i cili thotë për heroin e vet se ai fjeti, i qetë, i qetë si ai që e kishte kryer detyrën.. Tash, një vit pas largimit tragjik të Dritan Hoxhës, ndërsa ndjek ekranin e gjerë dhe mbarëkombëtar "Top Channel", emisionet në valët e "Top Albania Radio", apo qoftë edhe teksa mëson se si rriten dhe edukohen fëmijët e tij, nuk ke se si të mos vërtetosh se edhe Tani i paskësh "kryer" më së miri "detyrat" e tij.

Me këtë rast shumëkush do të risjellë ndër mend atë varrim të paparë të Tanit. Askush nuk e kishte organizuar atë. As bashkia. As ndonjë organizatë. Ca më pak qeveria. Shumëkush merrte pjesë në këtë varrim vetë, i thirrur nga një zë i brendshëm. Pa asnjë shtysë. Pa asnjë interes banal që "ta shohin" shokët e partisë dhe të merrte të nesërmen "shpërblimet" e radhës. Madje më shumë sesa kaq.

Më qëlloi atë ditë në varreza që të ndodhesha pranë katër burrave të panjohur. Kishin ardhur me biçikleta deri në Sharrë. Dukej menjëherë që diku kishin lënë një punë në mes. Ishin të djersirë, të spërkatur me gëlqere dhe flisnin në dialektin e jugut. Njëri prej tyre më zgjati një qese me duhan të grirë trashë. E pranova dhe drodha edhe unë në heshtje një cigare së bashku me ta. Ishin muratorë, mësova ndërkaq. Familjet i kishin poshtë, në jug. Pyetëm për varrimin dhe erdhëm, më treguan. As parë e as njohur e kishim, por mësuam për varrimin dhe erdhëm ta nderojmë. Na ka nderuar dhe ia kishim borxh. Më treguan pastaj se banonin me qira në një apartament diku në periferi të Tiranës. Vinin nga malësitë e Përmetit dhe punonin në Tiranë për të nxjerrë ndonjë lekë më shumë. Kur mblidheshin në shtëpi, larg grave dhe fëmijëve, shkrepnin televizorin. Shyqyr që kemi "Top Channel"-in, më thanë. Na e ka zbutur vetminë dhe na e ka shkurtuar largësinë nga shtëpia e fëmijët. Ia kishim borxh.

Në gjykimin e tyre të thjeshtë ishte mpiksur ajo që ata nuk kishin se si ta dinin: përpjekja "aventuroze" e një sipërmarrësi i cili gjithherë mendonte me bindje se ky vend mund të bëhet, se ky vend që ai e donte sinqerisht mund dhe duhej të dëshmonte se kishte kapacitete njerëzore dhe materiale që të konkurronte me "Perëndimin", se kjo mund të bëhej vetëm me përkushtim dhe mendje të hapur si stafi që ai diti të thithë në sipërmarrjet e tija mediatike. Shumë gjëra tani janë thënë në lidhje me veprimtarinë e Tanit, shumë gjëra të tjera do të thuhen edhe në të ardhmen. Por një gjë nuk do të mund të anashkalohet kurrë: fakti se sipërmarrja mediatike e iniciuar dhe konsoliduar nga Tani ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë edhe sot e gjithë ditën për të forcuar ndjeshmërinë kombëtare, kaq shumë e domosdoshme kjo për vetë gjendjen dhe shpërndarjen gjeografike të shqiptarëve. Por jo thjesht në lëmin e mediave. Standardet që kërkonte të realizonte Tani - dhe që i realizoi, - janë njëherësh një shtysë për një kapërcim dhe europianizim të mbarë jetës sonë. Pasi ai dëshmoi se ne mundemi…

Vepra mediatike e Tanit e përballoi largimin e tij. Sigurisht, rreth saj janë afruar kohë më kohë edhe njerëz me vullnete të errëta, që aspironin ta manipulonin dhe abuzonin atë ndaç për interesa të fëlliqura të përfitimit ekonomik, ndaç për ndonjë përfitim po aq të errët politik, megjithatë ngrehina rezistoi.

Sepse Tani e ka bërë mirë e me themel punën e tij… Ndaj është shtrirë e po fle si heroi i poezisë që përmenda në krye të herës…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›