Gjirokastër, grabit farmacinë, arrestohet 30 vjeçari
Grabit farmacinë ditën me diell dhe arrestohet nga policia disa orë më vonë. Françesko Kasaj, 30 vjeç, është arrestuar nga Policia e Përmetit pasi është autor i grabitjes me thyerje të një farmacie në lagjen Partizan në qytetin e Përmetit. Burimet zyrtare policore nga Komisariati i Përmetit, kanë bërë të ditur për gazetën SOT se grabitësi është arrestuar në mesnatën e së enjtes, duke u gdhirë e premtja nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Policia e Përmetit, për këtë grabitje është sinjalizuar nga pronari i farmacisë sapo ai kishte parë me sy atë çfarë kishte ndodhur. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë të Komisariatit të Policisë Përmet si dhe grupi ku nga kqyrja e vendit të ngjarjes dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, rezultoi se autori i vjedhjes së farmacisë ishte personi i lartpërmendur. 30 vjeçari Kasaj veprimin e tij e kishte kryer në mes të ditës i pa shqetësuar nga askush madje as nga sytë e kalimtarëve duke vjedhur me thyerje farmacinë e shtetasit L. B. Pasi ka thyer me mjete të forta menteshat e drynit të derës, Kasaj ka hyrë brenda farmacisë dhe qetësisht me ngadalë ka vjedhur kompjuterin, printerin dhe një sasi medikamentesh, si shampo, pasta dhëmbësh etj. Policia sapo ka rënë në gjurmët e grabitësit ka shkuar në banesën e tij për të ushtruar kontroll. Të gjitha sendet e grabitura si kompjuteri me aksesorët, printer, videokasetë si dhe artikuj të ndryshëm farmaceutikë si kremra, shampo, vazelinë, vajra dielli, vitamina etj të gjetura në banesën e hajdutit, kanë pasur një vlerë totale prej 450 mijë lekësh. Kaq ka mjaftuar që policia të prangoste 30 vjeçarin mbi të cilin rëndon vepra penale e vjedhjes me thyerje. Sipas policisë së Gjirokastrës, Françesko Kasaj është përsëritës i veprave të ngjashme penale pasi për vjedhje me armë, ai është dënuar në Itali pesë vjet më parë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë Rajonale të Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.