E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelohet lagjja e dritave të kuqe të Amsterdamit

Shtohen zërat e ashpër kundër masave të ndërmarra nga autoritetet e qytetit për pakësimin e prostitucionit dhe kafeve të kanabisit, në përpjekje për të larguar krimin e organizuar nga lagje me drita të kuqe

Amsterdami është prej kohësh i famshëm për përqasjen e shtendosur që ka ndaj prostitucionit dhe drogave të lehta, gjë që e bën këtë qytet një prej destinacioneve turistike më të kërkuara në botë nga qindra mijëra perëndimorë, në pamundësi për t‘i gjetur kënaqësitë që ofron ai në shtëpitë e veta.

Por gjithë kësaj mund t‘i vijë fundi. Kryetari i bashkisë po planifikon "pastrimin e qendrës së qytetit" dhe siç bëjnë me dije autoritetet zyrtare, po merren masa për mbylljen e gjysmës së shtëpive publike dhe të ashtuquajturat bare ku kanabisi tregtohet e konsumohet pa kurrfarë pengese. Deklarata e autoriteteve vendore u prit menjëherë nga zëra kundërshtues, sipas të cilëve fluksi i turistëve do të zhvendosej gjetiu.

Edhe pse prostitucioni është i ligjshëm që prej tetë vitesh, ndërkohë që mbajtja e sasirave të vogla të drogës tolerohet prej kohësh, masat e fundit shënojnë një përshkallëzim të përpjekjeve për të vendosur rregull në një vend i cili për shumë njerëz është bërë tepër liberal. Në thelb të nismës së re të ndërmarrë nga autoritetet qëndron lufta kundër krimit të organizuar, i përqendruar në zonat me prani të lartë shtëpish publike, lokalesh marijuane dhe të "dritareve" ku vajzat ekspozojnë veten.

Ndërsa Amsterdami shërben prej kohësh si argument në favor të ligjërimit të drogave të lehta dhe të tregtisë së seksit, kritikët vërejnë se dritaret dhe baret e marijuanës maskojnë realitetin e vërtetë të krimit të organizuar që fshihet pas tyre. "Duke i reduktuar dhe duke i përqendruar në zona të caktuara këto aktivitete, do të jemi në gjendje të mbajmë nën kontroll dhe të luftojmë edhe më mirë infrastrukturat kriminale", shkruhej në deklaratën e bërë nga autoritetet e qytetit.

Oponentët e "pastrimit" të qytetit, ku përfshihen pronarët e bareve të marijuanës dhe unioni i prostitutave "De Rode Draad" ("Kërcënimi i kuq"), i cili përfaqëson 20 mijë prostituta holandeze, thanë dje për britaniken "The Observer" se sipas mendimit të tyre, nisma e autoriteteve jo vetëm nuk do të ulte nivelet e kriminalitetit, por do t‘i nxiste prostitutat dhe trafikantët e drogës të punonin në fshehtësi në zona të tjera të qytetit, ku sot për sot e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetet.

Ata nënvizuan gjithashtu se vendimi për të reduktuar tregtimin e drogave dhe industrinë e seksit do të sillte me vete efekte të rënda ekonomike për këtë qytet që është më shumë i famshëm për këto gjëra. "Amsterdami është qyteti i seksit, i drogës dhe i rok en rollit", tha Metje Blak, një zëdhënëse e unionit "De Rode Draad", i cili siguron kujdes shëndetësor dhe trajnime të ndryshme për vajzat që bëjnë pjesë në të. "Tani nuk kemi më seks. Nuk kemi më drogë. Femrat do të nisin të shkojnë rrugëve e hoteleve. Diçka e tillë është problematike, sidomos kur vjen fjala te shëndeti dhe te siguria e vajzave. Kryetari i bashkisë nuk e ka marrë fare parasysh atë që mendojnë vetë prostitutat apo pronarët e bareve të marijuanës", shtoi Blak. Zëdhënësja fajësoi gjithashtu edhe Bashkimin Evropian për detyrimin e Holandës të ndërhyjë duke miratuar ligje më kufizuese në këtë kuadër. "Dikur ishim vend i lirë", vërejti ajo. "Tani na tregojnë atë që duhet të bëjmë".

Prostituimi tani do të lejohet vetëm në dy zona përfshi "De Wallen" ("Muret"), një rrjet rrugësh e sheshesh përreth mureve mesjetare të qytetit. Kjo zonë ka shërbyer si qendër prostituimi që në shekullin XVII.

Autoritetet e qytetit bënë dje me dije se do t‘i ofronin kurse trajnimesh në profesione të ndryshme prostitutave dhe të punësuarve në lokalet e marijuanës që do të mbeten pa punë. "Pastrimi i parave, zhvatja dhe trafiku njerëzor janë gjëra që nuk shihen me sy, por po lëndojnë banorët e qytetit. Realiteti i ri do të jetë më afër me imazhin tonë si qytet tolerant dhe i çmendur se ai i tanishmi i një zone ku kriminelët veprojnë pa i penguar askush", tha Alderman Lodevijk Asçer, një prej individëve që ka ngulmuar më shumë për miratimin e planit. "Do të kemi ende seks e drogë rrugëve tona, por në të tillë formë që të vërehet se qyteti është nën kontroll. Do të jetë një vend me 200 dritare dhe 30 bare marijuane, i cili nuk mund të gjendet askund tjetër në botë, po aq ndjellës sa ç‘është edhe tani, por do të ofrojë edhe kënaqësi kulturore për turistët. Njerëzit nuk do të ndihen më në siklet të thonë se kanë qenë në Amsterdam".

Merlijn Boshuizen e kompanisë "Plan A", një prej organizatoreve më të rëndësishme të udhëtimeve nëpër qytet, nuk është aspak e bindur. "Këtë vit, patëm rreth 7 mijë klientë, kryesisht nga Anglia e Irlanda. Një masë e tillë nuk do t‘i bëjë mirë kursimit. Njerëzit vijnë këtu për drogën e dritaret".

Pronarët e lokaleve të marijuanës janë po kaq skeptikë lidhur me kufizimet e reja. Megjithëse teknikisht kanabisi është ilegal në Holandë, prokurorët nuk ngrenë akuza për ata që kapen me sasi të vogla, ndërkohë që në lokalet e marijuanës drogat e lehta shiten lirshëm. Megjithatë, gjatë vitit të fundit, autoritetet në Amsterdam e gjetkë i kanë vënë këto lloj lokalesh nën mbikëqyrje më të rreptë.

"Marko", pronar i "Rastababy Café", pranë stacionit qendror të trenave në Amsterdam, tha: "Kjo është me të vërtetë diçka e tmerrshme. Ne duam të fitojmë para, ndërsa ata duan të na mbyllin. Qyteti do të humbasë para. Turistët vijnë këtu për baret e marijuanës. Për të tymosur".

I njëjti qëndrim u vërejt edhe në "Reefer Café", në një zonë tjetër qendrore të Amsterdamit, jo larg nga Muzeu i Rembrandit, ku kushdo mund të blejë një "vejushë të Bardhë" të dredhur për 3 euro, apo një prej kekëve të famshëm me përmbajtje lëndësh narkotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›