E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazim në derbi, Tirana në kaos

Tirana e sheh veten në kaos. Përplasjet e brendshme të donatorëve vazhdojnë të reflektohen te rezultatet e dobëta të skuadrës. Barazimi 2-2 në derbin përballë Partizanit nuk është treguesi i vetëm i problemeve të bardhebluve. Avantazhi i shpejtë me Sefën krijoi iluzionin e tri pikëve të thjeshta. Megjithatë, me organizim më të mirë taktik dhe me shumë grintë, Partizani arrin të barazojë shifrat me Kalarin, në të 63-ën. Kur kronometri shënonte 69 minuta lojë, Tirana mbetet në inferioritet numerik pas largimit nga loja të Osmanit, me dy kartonë të verdhë. Skuadra e Duros përfiton nga momenti i vështirë i kundërshtarëve dhe në të 74-ën kalojnë në avantazh 2-1, pas golit të Ngjelës. Sulmuesi korçar shtyn drejt rrjetës topin e grushtuar nga Nallbani, pas penalltisë së ekzekutuar nga Elis Bakaj. Por, në të 81-ën, Migen Memelli shpëton skuadrën e tij: ai mposht me kokë Shehin dhe risjell barazimin. Për 23 herë kampionët, kjo është ndeshja e tretë radhazi në kampionat pa fitore dhe tashmë Vllaznia kryesuese ndodhet 4 pikë larg.

Loja e dobët e bardhebluve, ku Partizani ka qenë superior në pjesën më të madhe të ndeshjes (pavarësisht pozitave në klasifikim) kanë shkaktuar kontestimet e ashpra të tifozëve për presidentin Refik Halili dhe për trajnerin Blazhe Slishkoviç. Por, në një kohë që drejtuesi i lartë i klubit largohet pa thënë asgjë nga stadiumi "Qemal Stafa", për të përkeqësuar edhe më shumë situatën mendon tekniku kroato-boshnjak. Ai ia faturon fajin vetëm skuadrës, duke u deklaruar luftë lojtarëve. Fjalët pas derbit rrezikojnë të shkaktojnë shumë pakënaqësi në dhomat e zhveshjes dhe nuk i ndihmojnë bardheblutë të hedhin pas shpine momentin e vështirë. "Fitorja në ndeshjen e Kupës me Lushnjën më krijoi iluzionin se ishim përmirësuar. Megjithatë, nuk ndodhi kështu dhe kjo u pa në ndeshjen e sotme (djeshme)", deklaroi Slishkoviç. "Lojtarët e Tiranës nuk e nderuan fanellën e tyre, ashtu sikurse bënë futbollistët e Partizanit. Duhet të mblidhemi urgjentisht dhe të diskutojmë për problemet që kemi". Më tej, i pyetur rreth pozitave në krye të stolit, 49-vjeçari përgjigjet prerë: "Dorëheqjen? Nuk e mendoj ta jap!".

Në anën tjetër, edhe pse qëndrojnë të fundit në klasifikim, barazimi me pretendentët për titull ka sjellë shumë optimizëm. Tekniku Shpëtim Duro nuk e fshehu zhgënjimin për fitoren e munguar: "Në të gjithë elementët së bashku Tirana është superiore. Por në futboll ka shumë përjashtime: si ndeshja e sotme. Jam i kënaqur me barazimin, por për mënyrën si shkoi loja mendoj se mund të kishim marrë më shumë". Ndërsa presidenti Xhani nuk humbi rastin të premtonte ndryshime te të kuqtë në merkaton e janarit. "Me paraqitjen e sotme treguam se nuk jemi skuadër për vendin e fundit, por financat, fati e shumë elemente të tjera na kanë lënë në këto pozita", tha ai. "Në janar do të ketë ndryshime rrënjësore te Partizani dhe do të ndërtojmë një ekip që historia e 62 viteve të fundit e futbollit shqiptar nuk e ka parë".

Kategoria Superiore

REZULTATET

Apolonia-Vllaznia 1-2

Çerçizaj 56‘ / Sinani 2‘, Sinani 18‘

Bylis-Elbasani 1-1

Bakiu (11m) 89‘ / Ahmataj 65‘

Dinamo-Besa 4-2

Diop 24‘, Ferraj 62‘, Plaku (11m) 74‘, 77‘ / Progni 54‘, Abilaliaj 88‘

Flamurtari-Lushnja 2-0

Galica 26‘, Çaushaj 76‘

Teuta-Shkumbini 2-0

Mile 24‘, 78‘

Dje

Partizani-Tirana 2-2

Kalari 63‘, Ngjela 74‘ / Sefa 4‘, Memelli 81‘

Klasifikimi

N P

1. Vllaznia 14 28

2. Tirana 14 24

3. Teuta 14 23

4. Dinamo 14 22

5. Shkumbini 14 20

6. Flamurtari 14 20

7. Besa 14 19

8. Elbasani 14 18

9. Bylis 14 16

10. Apolonia 14 12

11. Lushnja 14 11

12. Partizani 14 9



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›