E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rrëmbesh një avion? Po pse jo një anije cisternë?

Kur piratë të armatosur me asgjë më shumë se automatikë kallashnikovë AK-47 dhe shkallë litari rrëmbyen një anije cisternë të madhe javën e shkuar, ata na treguan se sa e thjeshtë ishte të sulmoje një anije, një dobësi që "Al Kaeda" mund ta shfrytëzojë për të sulmuar ekonominë globale.

Analistë të sigurisë thonë se lehtësia me të cilën piratët somalezë kanë rrëmbyer një numër anijesh të mëdha, tregon që transporti detar botëror është shumë më i rrezikuar nga sulmet terroriste se sa industria e kompanive ajrore, siguria e së cilës është përmirësuar masivisht që pas sulmeve të shtatorit 2001.

"Al Kaeda" ka ndërmarrë ose planifikuar sulme në det gjatë dhjetë viteve të fundit, veçanërisht sulmi kamikaz kundër aeroplanmbajtëses "USS Cole" në vitin 2000, kur u vranë 17 marinarë amerikanë, dhe një sulm tjetër i ngjashëm kundër anijes cisternë franceze "Limburg", kur u vra një anëtar i ekuipazhit dhe u derdhën 90 mijë fuçi nafte në Gjirin e Adenit.

"Ka ekzistuar një argument se grupet terroriste nuk i kanë aftësitë e duhura të lundrimit për të rrëmbyer një anije. Por përvoja e Somalisë tregon se nuk duhet të kesh aftësi tepër të larta", tha Ian Stori, anëtar i Institutit të Studimeve për Azinë Juglindore dhe ekspert për piraterinë. "Kjo tregoi se sa e lehtë mund të jetë". Është një mësim që "Al Kaeda" e ka mësuar tashmë. Pas bombardimit të "Limburgut", ajo bëri një deklaratë ku mburrej se një anije e madhe ishte dëmtuar nga një sulm i thjeshtë: "Kur një anije që nuk kushton as njëmijë dollarë arrin të shkatërrojë një anije-cisternë... imagjinojeni pak se sa i madh është rreziku që kërcënon linjën tregtare të shpëtimit për Perëndimin që është ... nafta".

Peter Shalk, analist për rreziqet e terrorizmit i grupit "Rand Corporation", tha në një raport mbi terrorizmin dhe piraterinë në qershor, se "ka pasur një rritje modeste megjithatë të dukshme të incidenteve të spikatura terroriste detare gjatë gjashtë viteve të fundit".

***

Një anije e kapur, ose mbahet për të marrë shpërblimin e për të forcuar arkat e grupeve terroriste. ose për t‘u kthyer në bombë pluskuese që mund të shkatërrojë një port. Qeveritë kanë qenë të ndërgjegjshme për kërcënimet për vite të tëra, por analistët thonë se pak është bërë për t‘i përballuar.

"Shumë nga mangësitë që kanë inkurajuar një numër më të lartë sulmesh pirate kanë lidhje gjithashtu me masat kundër terrorizmit, përfshirë mbikëqyrje të pamjaftueshme të brigjeve, mungesë sigurie në porte, një mori shënjestrash, varësia e plotë e tregtisë detare nga kalimi përmes pikave të kontrollit të tejmbushura... dhe një tendencë në rritje për t‘i mbushur anijet me ekuipazh minimal", tha Shalk.

"Këto mungesa dhe dobësi u sigurojnë ekstremistëve mundësinë për t‘u fshehur dhe goditur, në mënyrë të tillë që nuk do ta bënin dot në tokë". Xhofrei Çeng, analist në një institut kërkimesh, tha se kompanitë e sigurimeve i kanë rritur çmimet me 12-15 për qind këtë vit. Me shumë firma transporti që po operojnë tashmë me humbje, tha ai, "ata janë duke harxhuar para me thasë".

Një sulm terrorist ndaj një anijeje transporti e rrit edhe më shumë këstin e sigurimit. Impakti i piraterisë somaleze ndaj kësteve të sigurimit tregon se deri ku mund të shkojë papritmas kostoja e sigurimit, kompania e sigurimeve nga rreziqet BGN vlerëson se taksa e sigurimit ndaj rreziqeve të posaçme për kalimin e Gjirit të Adenit ka shkuar në 20000 dollarë për anije për kalim tranzit nga 500 dollarë që ka qenë fillimisht.

Ndërsa një sulm që ka si qëllim mbylljen e një porti të madh si ai i Singaporit apo shkatërrimin e një linje transporti përmes Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon mbi 40 për qind e tregtisë botërore të naftës, mund të shkaktojnë dëme të vërteta ekonomike.

Sulmi ndaj "Limburgut" çoi në trefishimin e taksave për rreziqet nga luftërat për anijet që kalonin nga Adeni, duke rezultuar me një rënie prej 93 përqindësh të volumit të punës në terminalin e kontenierëve atje.

***

"Sulmet terroriste u ofrojnë terroristëve mjete alternative për të shkaktuar destabilizim masiv ekonomik", tha Shalk.

"Shkatërrimi i mekanizmave të sistemit të transportit detar global ‘thjesht mjaftueshëm, thjesht në kohë‘, mund të sjellë potencialisht pasoja të mëdha fiskale".

Ekziston një debat se sa efektive mund të jetë një bombë pluskuese.

"Thjesht nuk janë përcaktuar se cilët do të jenë skenarët më të llahtarshëm", tha Stori. Ndërsa disa analistë thonë se anije që transportojnë naftë ose gaz të lëngshëm natyror (LNG) mund të kapen nga piratët dhe të hidhen në erë, Stori thotë se nafta e papërpunuar nuk është shumë e djegshme, ndërsa anijet për transportin e LNG-së janë të forta dhe të ndërtuara posaçërisht me elementë sigurie.

Anijet që transportojnë nitrat amoni përbëjnë shqetësimin më të madh, plehu kimik është shumë shpërthyes kur përzihet me karburantin dhe është përdorur për shpërthimet në qytetin e Oklahomas dhe Balit.

Kur zjarri përfshiu një anije me një ngarkesë prej 2300 tonësh nitrat amoni në portin e qytetit të Teksasit në vitin 1947, shpërthimi shkaktoi një dallgë jonormale 5 metra të lartë që përfshiu qytetin. Të paktën 567 vetë vdiqën dhe më shumë se 5 mijë të tjerë u plagosën. Qindra shtëpi u shkatërruan dhe dy avionë të vegjël shpërthyen lart në ajër.

Ky ishte aksidenti më i rëndë industrial në historinë amerikane.

Analistët me kohë kanë paralajmëruar se grupet pirate dhe organizatat terroriste mund të bashkojnë forcat, duke rritur rrezikun për sulme të mëdha detare. Grupi "Abu Sayyaf", i lidhur me "Al Kaedan", vrau më shumë se 100 vetë gjatë shpërthimit të një trageti në Gjirin e Manilës në vitin 2004, në sulmin më të rëndë militant detar. Por Shalk dhe Stori thanë që të dy se dyshimet për lidhje taktike që mund të lindin mes piratëve dhe grupeve ekstremiste janë të ekzagjeruara. "Konvergjenca e dyshuar mes terrorizmit detar dhe piraterisë mbetet tepër dyshuese", tha Shalk. "Deri tani nuk ka pasur prova të besueshme për të mbështetur spekulimet për lindjen e lidhjeve të tilla. Është po aq e rëndësishme të thuhet se objektivat e dy aktorëve mbeten krejtësisht të ndryshme".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›