KOMENT – Përshkallëzohen përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut, vihet në provë armëpushimi

BEJRUT, 27 prill /ATSH-DPA/- Në një deklaratë me shkrim, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se Izraeli, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dështuar në mposhtjen e Hezbollahut.
Sipas tij, forcat izraelite janë përballur me rezistencë të fortë dhe kanë arritur në një “rrugë pa dalje”, duke paralajmëruar se grupi do të vazhdojë t’u përgjigjet sulmeve dhe nuk do të çarmatoset, pasi armët i konsideron thelbësore për mbrojtje ndaj agresionit izraelit.
Ai shtoi se Hezbollahu do të vazhdojë luftën derisa të rikthehet i gjithë territori libanez i pushtuar.
Deklarata e Qassem-it vjen në një kohë kur ushtria izraelite njoftoi se kishte kryer sulme të reja ndaj objektivave të Hezbollahut, pavarësisht se armëpushimi, zyrtarisht mbetet në fuqi.
Sipas ushtrisë izraelite, është goditur infrastruktura në jug të Libanit dhe në Luginën lindore të Bekasë – një zonë që nuk ishte shënjestruar – që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Burime të sigurisë libaneze raportuan për sulme të rënda ajrore, në disa zona, bastione të Hezbollahut, pa raportime të menjëhershme për viktima.
“Më shumë se 2 500 persona janë vrarë në Liban, në valën e fundit të përplasjeve që nga fillimi i marsit”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Bejrut.
Gjithashtu, mbi 7 800 persona të tjerë janë plagosur.
Shkelje të armëpushimit
Media izraelite raportoi se kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe zyrtarë të lartë të sigurisë zhvilluan një takim për të diskutuar shkeljet e pretenduara të armëpushimit nga Hezbollahu.
Izraeli raportoi sot, gjithashtu për një sulm me dron nga Hezbollahu në veri të vendit, që çoi në aktivizimin e sirenave të sulmit ajror.
Armëpushimi në konflikt u shpall në mesin e prillit nga presidenti amerikan Donald Trump pas bisedimeve me Netanyahun dhe presidentin libanez Joseph Aoun.
Trump njoftoi të enjten një zgjatje trejavore të armëpushimit për t’i dhënë kohë diplomacisë.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli mund të veprojë ndaj kërcënimeve të menjëhershme ose në zhvillim, por pritet të shmangë operacionet më të gjera ofensive brenda Libanit.
Megjithatë, Netanyahu ka urdhëruar së fundmi intensifikimin e goditjeve ndaj objektivave të Hezbollahut.
Pavarësisht armëpushimit, dhuna ka vazhduar. Ministria e Shëndetësisë në Liban njoftoi dje se sulmet izraelite në jug të vendit kishin shkaktuar vdekjen e 14 personave, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosjen e 37 të tjerëve.
Presioni politik dhe kushtet për marrëveshje
Qassem paraqiti edhe kushtet për çdo zgjidhje të mundshme, duke përfshirë ndalimin e plotë të armiqësive në tokë, det dhe ajër, tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara, lirimin e të burgosurve, kthimin e të zhvendosurve dhe rindërtimin.
Hezbollahu nuk ka qenë drejtpërdrejt pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, por ka sinjalizuar se do t’i përmbahet armëpushimit, nëse edhe Izraeli ndalon sulmet.
Qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi grupin, ndërsa një rol kyç në negociata luan kryetari i parlamentit dhe aleati i Hezbollahut, Nabih Berri.
Ndërkohë, presidenti Aoun hodhi poshtë akuzat për tradhti nga ana e Hezbollahut – lidhur me negociatat me Izraelin, duke deklaruar se ata që e çojnë Libanin në luftëra – në shërbim të interesave të huaja – janë ata që kryejnë “tradhti”.
Ai mbrojti vendimin e qeverisë për të ndjekur bisedimet dhe u bëri thirrje kritikëve të presin rezultatin.
Aoun theksoi se armëpushimi mbetet një parakusht për çdo proces politik, duke shtuar se ky qëndrim i është përcjellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai deklaroi se objektivi i tij është nxjerrja e Libanit nga cikli i konflikteve dhe drejt një kuadri të ngjashëm me Marrëveshjen e Armëpushimit e vitit 1949, duke vënë në pikëpyetje nëse marrëveshje të tilla duhet të konsiderohen si lëshime.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzuan sërish pasi grupi nisi sulmet në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.
Ushtria izraelite reagoi duke shtuar sulmet ndaj Libanit dhe duke pushtuar pjesë të jugut të vendit pranë kufirit. //a.i/