E Shtunë, 31 Tetor 2026

KONTROLLI I ARMEVE

Me përhapjen e armëve bërthamore, si dhe me Iranin që po i afrohet një potenciali të tillë, SHBA-ja dhe Rusia duhet të nisin menjëherë negociatat për të rihapur bisedimet për kontrollet e reja të armëve, ku do të përfshihen edhe fuqitë e reja bërthamore

Kjo ide erdhi nga bisedimet e nëntorit mes ekspertëve amerikanë, rusë, të Lindjes së Mesme, Pakistanit dhe Evropës, që mendojnë të gjithë se administrata e re amerikane ka mundësinë për të parandaluar kaosin lidhur me moszbatimin e marrëveshjes për kontrollet e armëve dhe përhapjen e armëve bërthamore. "Rusia dhe SHBA-ja duhet të marrin në dorë drejtimin në këtë moment", u shpreh George Perkovich, ekspert i çarmatimit në Qendrën Carnegie për Paqen Botërore në Uashington. Por, edhe nëse dy fuqitë e mëdha bërthamore do të nisin të bashkëpunojnë, ato do të përballen me fuqi të tjera bërthamore zyrtare dhe jozyrtare përfshi këtu Kinën, Indinë, Pakistanin dhe Izraelin. Sidoqoftë, ka një moment të vështirë lidhur me këtë çështje, për shkak të ndryshimeve mes dy vendeve dhe kujtimeve të Luftës së Ftohtë. Pavarësisht nga ndryshimet ideologjike gjatë kësaj lufte, Uashingtoni dhe Moska arritën të nënshkruajnë një sërë traktatesh çarmatimi, sepse ishin të nxitur nga historia. "Kujtimet e Luftës së Ftohtë kanë mbetur në mendjet e dy kundërshtarëve", thotë Therese Delpech, drejtoreshë e çështjeve strategjike në Komisionin Francez për Energjinë Bërthamore. Jo vetëm që ekzistonte frika e shkatërrimit total, por edhe ideja e një lufte të tmerrshme. Me kohë, bisedimet për kontrollet e armëve i lejuan këto dy superfuqi të ndara për sa i përket ideologjisë, të rrisin njohuritë për njëra-tjetrën. Gjatë dekadës së fundit, tabutë e pranuara, kujtesa dhe madje edhe shkalla e besimit mes rusëve dhe amerikanëve, pësuan rënie dhe nuk ishin më të mjaftueshme për të rigjallëruar bisedimet për kontrollin e armëve. "Nëse duam të menaxhojmë një botë shumëpolare, nëse duam t‘u japim fund armëve bërthamore, duhet të kemi një kontroll të saktë të regjimit të ri të armëve", thotë Sergei Rogov, drejtor i Institutit të SHBA-së dhe Kanadasë, si dhe Akademisë Ruse të Shkencave. Kontrolli i armëve kishte lidhje me rregullimin e marrëdhënieve mes dy superfuqive. "Por, tani ka një mungesë në standardet e përbashkëta dhe normat", shprehet Rogov, një negociues i vjetër në kontrollin e armëve. Ajo çfarë e shqetëson më shumë komunitetin është tabuja bërthamore që ka ekzistuar që kur bombat amerikane u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945, duke shkaktuar pasoja të tmerrshme. Për shumë kohë, mospërdorimi ishte një parim, por tani situata ka ndryshuar dhe nga ana tjetër ka një numër të madh fuqish bërthamore, gjë që e ka rritur rrezikun. Së dyti, fuqitë bërthamore nuk kanë asnjë përvojë kufizimi dhe kjo e nxit konfliktin edhe më shumë. Së treti, përhapja e armëve bërthamore është tashmë një rrezik për vende të pa stabilizuara si Lindja e Mesme, Azia Verilindore dhe Azia Jugore. "Situata është shumë ndryshe nga viti 1945", shton Delpech. "Pasojat tani janë më komplekse". James Goodby, një ish-negociues për armët në SHBA, thotë se Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të kanë luksin e bërjes së rregullave dhe përcaktimit të shkallës së përdorimit të armëve bërthamore. "Pasojat nuk ekzistojnë në Lindjen e Mesme, Azinë Verilindore dhe Azinë Jugore. Të mendosh se mbrojtja nga armët bërthamore është e suksesshme, ky është një ushtrim i vështirë, i shoqëruar vetëm me një dëshirë të fortë që gjërat të shkojnë mirë", thotë Goodby, tashmë studiues në Institutin Hoover në Universitetin e Stanfordit. Për shkak se ka disa fuqi të reja bërthamore që kanë dalë në pah dhe Irani po përpiqet të bëhet një fuqi e tillë, ka edhe një moment të mirë në SHBA për të rritur kontrollet për armët bërthamore, gjë që nuk ishte një prioritet për administratën "Bush". Instituti Hoover ka organizuar një sërë konferencash, ku kanë marrë pjesë ish-sekretarë shteti si George Shultz dhe Henry Kissinger, ish-ministri i Mbrojtjes, William Perry dhe ish-kreu i Komisionit të Senatit për Çështjet e Armëve, Sam Nunn. Mes propozimeve ishin edhe zhvillimi i një sistemi të mbrojtjes balistike, si dhe sistemeve paralajmëruese. Në këto takime iu bë thirrje SHBA-së dhe Rusisë të punojnë më shumë për reduktimin substancial të forcave bërthamore, si dhe përfshirjen e vendeve të tjera në këtë përpjekje. Rusia ka kërkuar kohë për t‘iu përgjigjur këtyre propozimeve në pritje të veprimeve të para të Presidentit të zgjedhur Barak Obama, që ka kërkuar një diskutim të gjerë për situatën e sigurisë në Evropë. Rogov vuri në dukje se ka një "prapësim" në rregullat strikte për kontrollet e armëve në Rusi, një ndryshim i madh nga koha kur Kremlini më shumë se Uashingtoni ishte një avokat i kontrolleve të rrepta për armët. Vendimi i administratës "Bush" për të nxjerrë jashtë ligjit traktatin për sistemet raketore antibalistike, të njohur ndryshe si traktati "ABM Treaty", ishte një mjet për krijimin e mosbesimit. "Ndërsa SHBA-ja eci përpara me këtë traktat, ne duhej t‘u bindeshim pakteve për kontrollin e armëve që e limitonin Rusinë për shembull për forcat konvencionale në traktatin evropian, që përcaktojnë kufij për forcat konvencionale dhe pajisjet e tilla", tha Rogov. Planet e SHBA-së për të dislokuar disa pjesë të një sistemi mbrojtjeje raketor në Evropën Lindore i kanë ndërlikuar gjërat. Ekspertët rusë të kontrollit të armëve thonë se nuk janë të sigurt lidhur me rigjallërimin e bisedimeve për armët, pa kontekstin dypalësh të Luftës së Ftohtë. "Si mund të krijojmë një regjim multilateral, që nuk mund të jetë i bazuar në sensin e barazisë?", thotë Rogov. "Ideja e barazisë ishte e mundshme në sistemin dypalësh. Por, është e pamundur në një forum për kontrollin e armëve në nivel multilateral. Meqenëse situata është e tillë, duhet të kufizohen në maksimum fuqitë e tilla", thotë Rogov.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›