E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në anë të Lumit të Vdekur

Levani është shumë i zhurmshëm,
njësoj sikur të jetë një lagje e Fierit,
qytetit më të madh që shtrihet
vetëm pak kilometra më në Veri. Në
rrugën kryesore, pikërisht mbi atë që të
çon në Vlorë, kalojnë pa pushim makina
e njerëz me pamje të nxituar. Vetëm pak
larg daljes jugore të Levanit, makina jonë
merr kthesën drejt Perëndimit. Shumë
shpejt e gjejmë veten në mes të një fushe
të paanë. Është Myzeqeja e Vogël. Në të
majtën tonë rrjedh Vjosa e patrazuar. Larg
nga ana e Veriut shohim kodrën e Pojanit
dhe manastirin afër të cilit shtrihet Apolonia
antike. Ca më tej në Veri është derdhja
e Semanit dhe Manastiri i Shën Kozmait.
Këta dy lumenj, aq të ndryshëm nga
njëri-tjetri, Vjosa dhe Semani përbëjnë
kufijtë tradicionalë të Myzeqesë së Vogël.
"Ja këtu ku po ecim ka qenë dikur shtrati
i tharë i Vjosës. Nga kjo ka ardhur edhe
emri Lumi i Vdekur", na thotë një mik vendas
që do të na shoqërojë gjatë gjithë kohës
përmes krahinës së tij të lindjes. Neve
na shkon menjëherë ndërmend romani i
famshëm i Jakov Xoxës, ai që bënte fjalë
për jetën e mundimshme të banorëve të
këtyre anëve, për bejlerët e "tyxharët", për
hanin e Bishtanakës, për dashurinë thuajse
të pamundur mes Adilit kosovar dhe
Vitës, bukuroshes së varfër myzeqare.
Shtrati i vjetër i lumit hera-herës është
përdorur për ngritjen e xhadesë së re. Teksa
udhëtojmë një copë herë mbi lumin,
që nuk është më, rrimë e kujtojmë se sa
mund kanë bërë e bëjnë akoma historianë
e studiues për të ndjekur sa më saktë
ndryshimet e shpeshta të këtij lumi të çuditshëm.
Ata që janë marrë me Apoloninë
dhe portin e saj, dikur shumë të famshëm,
në derdhje të Vjosës, kush është
marrë me fushatën ilire të Jul Çezarit dhe
me gjetjen e vendndodhjeve reale të betejave
të tij e di fort mirë se sa mund kërkon
rindërtimi i historisë së këtij lumi. Po Ismail
Qemali ku e kaloi Vjosën kur shkonte
për në Vlorë në nëntorin e 1912? Duket
sikur asgjë nuk ka arritur të ndalë lumin,
që pasi bënte me mijëra kilometra mes
qafave malore dhe shkëmbinjve të rreptë,
e merrte më në fund pushtetin porsa
zbriste me furi në tokën myzeqare. Tani
rrjedhën e tij e dallojmë në skaj të fushës,
teksa ecën disi i qetë, por kërcënues, i fryrë
nga shirat që kanë rënë vetëm pak orë më
parë.
"Fushë dhe fushë, dhe fushë
prapë…"
I thonë vërtet Myzeqe e Vogël, por ajo
ç‘ka kemi para syve është një hapësirë e
madhe, krejt e begatë, që është bërë edhe
më e këndshme nga vezullimi i diellit që
ka çarë retë e shiut. E parë nga rruga Fier-
Vlorë krejt zona duket sikur nuk është
edhe aq e banuar. Befasohemi kur shohim
fshatrat e mbajtur mirë, të vendosur
njëri pas tjetrit. Në fillim kalojmë Qarrin
dhe Martinin, dy fshatra të vegjël, të vendosur
krejt afër njëri-tjetrit, pastaj ndalojmë
një copë herë në Bishan. Ky është
një fshat edhe më i madh, me një rrugë të
gjerë në mes. Arkitektura dhe planimetria
janë tipike për fshatrat e fushës, me ato
rrugët që kthehen në distanca të barabarta,
duke krijuar katërkëndësha të mëdhenj,
me shtëpi që i ngjajnë njëra-tjetrës
si dy pika uji dhe me kallamat e pashmangshëm
që i merr era e dhjetorit. Ka
më pak kalimtarë se në Levan, porse ata
që kanë dalë duket se kanë dalë të
punojnë fort. Një burrë shtyn një karro
dore të stërmbushur me bar, një grua cyt
lopët e saj për në fushë, disa ustallarë janë
duke ndërtuar një mur rrethues. Nga shkolla
në qendër të fshatit vjen gumëzhima
e njohur e oborrit të mbushur plot me
nxënës. Disa re të zeza mblidhen
kërcënueshëm mbi kryet tanë. "Mos kini
merak për sot - bën shaka miku ynë vendas
- kësaj here do t‘ju ndihmojë Vjosa".
Në të dalë të Bishanit, mu në mes të
fushës pa mbarim, xhadeja bën një kthesë
të fortë, fare të kotë, prej 90 gradësh. Kjo
kthesë absurde bëhet për disa kohë objekt
humori në makinën tonë. Më vonë do të
mësojmë se edhe ajo e ka një histori. Në
kohën që u ndërtua rruga, i pari i pushtetit
në fshat nuk e kishte për hosh që rruga
kryesore të kalonte prapa dhe jo para shtëpisë
së tij, sikurse i takonte sërës së tij,
kështu që rruga nuk vazhdoi drejt por iu
bë ajo kthesa e çuditshme që na habiti në
fillim. Nejse, të paktën një arsye e gjetëm.
Në Poro te Vangjeli
Vangjeli, është nga fshati Poro, krejt
afër rrjedhës së vjetër dhe asaj të re të
Vjosës. Ai na fton me përzemërsi në shtëpinë
e tij. I gëzohemi një copë herë
oborrit me erën e mirë, që lëshojnë bimët
kur lagen mirë nga shiu dhe pastaj u futemi
disa historive të vjetra. Gjyshi nga
nëna i Vangjelit, Jorgji Sako Xoxi, ka qenë
prifti i fundit i kishës së Shën Gjergjit në
Poro. "Ishte një kishë e madhe, fort e vjetër
- thotë Vangjeli me trishtim - duhet të
ketë qenë po aq e vjetër sa edhe këto rreth
e rrotull, si në Ardenicë apo Pojan. Kur nisi
ai aksioni kundër fesë në 1967 kishën e
mbyllën dhe atij i thanë të rruajë mjekrën.
Këto nuk mundi t‘i duronte. U mbyll në
shtëpi dhe u shuajt si qiri pas pak kohësh.
Pastaj, kishën në fillim e kthyen repart
ushtarak dhe më vonë në stallë lopësh.
Fare më vonë pastaj i morën edhe gurët e
fundit që kishin mbetur dhe tani nuk ka
mbetur më asnjë shenjë e saj".
Vangjelit i kemi kujtuar një histori të
dhimbshme. Nuk ka dëshirë të përmendë
emra, as ai as miqtë e tjerë. Vetëm se nisin
të bisedojnë se si e kanë pësuar më pas
ata që guxuan të vënë dorë mbi kishën:
dikujt iu sëmur gruaja e parë e vdiq dhe
ky nuk gjeti qetësi as me të dytën, dikush
tjetër u sëmurë rëndë për vete, ndonjë
tjetër nuk pati fat me fëmijët… Histori të
ngjashme na kanë rrëfyer thuajse në tërë
Shqipërinë, kudo ku janë prishur kisha e
xhamia.
Dy miq te pishat
Xha Isufi është një çam simpatik me
flokë të bardha, me shtat të gjatë e të rregullt,
me sytë bojëqielli dhe me të qeshurën
e dëlirët. Eshtë 72 vjeç. Shoku i tij i ngushtë,
xha Trifoni, është disi më i madh, 79
vjeç. Ka një shtat të imët dhe një të ecur si
prej suste. Portreti i tij i mprehtë, që del
nga një kasketë e tipit të vjetër, rrezaton
një zgjuarsi të veçantë. Të dy shokët,
çamin mysliman dhe myzeqarin
ortodoks, i takojmë në anë të pyllit me
pisha. Tani ndodhemi fare afër derdhjes
së Vjosës. Miqtë nuk na e këshillojnë të
vazhdojmë më tutje. Balta është shtuar
rrezikshëm nga shirat e fundit të rrëmbyeshëm.
"Mos u bëni merak, Vjosa nuk do
të lëvizë deri në beharin që vjen. Ne këtu
jemi. Do shkojmë sërish bashkë", na qetëson
njëri prej miqve tanë.
Në fillim nis të flasë Xha Isufi. "E shikoni
këtë pyllin me pisha këtu afër - bën me
dorë ai - këtu kam kaluar një jetë. E mbaj
mend me pëllëmbë. Këtu kam mbjellë që
në 1953 e derisa kam dalë në pension".
Familja e xha Isufit është e vetmja familje
çame e ngulitur në Poro. "Ne jemi nga
Filati. Kur na përzunë grekërit unë isha
vetëm 8 vjeç. Babai ynë kishte një mik në
Shijak, ku i kishin thënë të shkonte. Kështu
bëmë. Morëm rrugën nga Filati, nëpër
Qafë-Botë e pastaj të gjithë rrugën deri
këtu. Në Fier duhej të takoheshim me atë
mikun që duhej të na çonte në Shijak, por
ai nuk po dukej. Gjatë qëndrimit në Fier,
babai u miqësua me babanë e Trifonit. Ky
i thotë sa rrini kot këtu, përse nuk vini
andej nga neve? E mbaj mend si sot kur
kemi ardhur për herë të parë këtu. Kur
pamë kishën menduam se nuk paskemi
shpëtuar nga të ligat që na zunë. Porse kjo,
sigurisht ishte një ndjenjë që u fashit
shpejt. Jo vetëm me Trifonin dhe familjen
e tij, por me të gjithë fshatin kemi shkuar
shumë mirë". E pyesim xha Isufin
nëse ka më ndonjë lidhje me vendlindjen
e tij. "Kam dashur të shkoj një herë,
por nuk kam arritur. Edhe prindërit e mi
e kishin ëndërr. Babai vdiq i ri, por Nana
jetoi gjatë me këtë pishman në zemër. Nga
myslimanët e Filatit asokohe, mbaj mend
që nuk erdhi me ne një djalë i ri, Mustafa
quhej. Ku na paskësh qenë fshehur në një
shpellë dhe më pas është mbrojtur nga një
familje e krishterë. Pasi ka ndryshuar
emrin ka bërë atje një jetë normale. Para
disa kohësh ky erdhi në Shqipëri për të
takuar njerëzit e tij. Prej tij mësuam se
ç‘ndodhte andej matanë…".
Jashtë ka nisur të ngryset. Dy miqtë
tanë na përcjellin një copë herë në anë të
pyllit me pisha. Gjithçka ka nisur të nxihet,
pishat, pemët anës Vjosës, që ka nisur
të uturijë, qielli që është mbushur plot
me re. "Ja atje - thotë Xha Foni duke bërë
me dorë nga ana e detit - ka qenë një rrap
që i thoshin Rrapi i Marin-Skelës. Atje me
siguri do të ketë qenë porti i vjetër i
Vjosës". E shkelim edhe një herë atë shtratin,
tashmë xhade, të "Lumit të Vdekur"
dhe marrim udhën për në Fier. Një ditë
më pas, herët në mëngjes, dëgjojmë se
Vjosa është inatosur sërish. 16 familje
rrezikojnë të përmbyten. Kush e di se ç‘i
ka shkrepur kësaj here.

Myzeqeja e Vogël 70 vjet më parë

Jakov Xoxa e ka vendosur
romanin e tij të famshëm
"Lumi i Vdekur" në 1938.
Ja se si e përfyronte ai
udhëtimin e dy karvaneve
përmes fushës që njihte më
mirë se çdo gjë tjetër: " Më të
mëngjër, kodra e Shën Marinës,
si ngrihej në një samar të lartë
tek kurrizet e Malit të Pojanit dhe
kurorëzohej me rrethin e blerët
të ullinjve të shtëpisë së frëngut,
ulej dalëngadalë, si një gjuhë e
zgjatur që kërkon të lëpijë kripë
në dorën e shtrirë të shëllirës së
Shën Pjetrës, dhe pastaj vinte e
tretej e bëhej një me fushën e
gjerë. Hapësira pakufi që merrte
gjallim aty, sa vinte largohej
drejt perëndimit duke humbur
në çdo hap që bënte, gjallërinë,
ngjyrat, lëvizjet, gjersa binte
buzë detit në qetinë e largët të
një bote të huaj për të. Në këmbët
e kësaj bote të mjegullt e
dritë pakë, që merrte fund atje
në det, ngrihej si karakoll mali i
Sazanit dhe vargu i gjatë i
Karaburunit, vise krejt të panjohura
për djaloshin nga Kosova.
Më të djathtë, fusha ecte e ecte,
kapërcente lumin e Semanit,
ngjitej përpjetë nëpër faqet e
buta të kodrave të Ardenicës,
qëndronte një grimë në kurriz të
tyre, pastaj lëshohej tëposhtë dhe
lidhej e bëhej një me një fushë
tjetër të gjerë, me fushën e
Myzeqesë së Madhe. Mbi kulmin
e kodrave të Ardenicës, që shkonin
e humbisnin thellë në perëndim
duke ndarë mespërmes fushën
e Semanit, ngrihej si një fole
gjigande lejlekësh, manastiri i
vjetër i Shën Mërisë, me hijet e
dëndura e të zeza të selvive dhe
pishave. Çdo zog që fluturonte
përtej lumit dhe merrte drejt veriut,
dukej sikur shkonte drejt tij, të mblidhej
në degët e selvisë e të mëkonte
të vegjëlit që e prisnin gojë-hapur
në foletë e ngritura në postrehët dhe
mazgallat e konakëve të kishës.
Vetëm një tufë e madhe shpendësh
që nxironte si re në qiellin e hapur e
të fshirë të vjeshtës, kishte marrë
rrugën e detit.
Përpara, në perëndim, syri të zinte
fushë e vetëm fushë. Kjo hapësirë
dhe reja e zogjve, që tregonte se
diku aty afër vinte deti, endi në shpirtin
e djaloshit kosovar shpresën e
mbarimit të udhës së gjatë dhe
ngazëllimin e të zënit vend në tokë
të fortë, të palëvizëshme (që nuk
bredh aty poshtë shtratit të qerres),
në tokën e premtuar që do t‘u jepte
fund trëndjes dhe urisë, dëshpërimit
dhe… shqetësimeve të dashurisë!
Papritur, ai horizont i lirë, i pastër e
plot dritë, hapur përpara syve bojëqielli
të djaloshit kosovar, u mbyll si
në grykën e një tuneli. Vështrimi i
Adilit, rrëmbyer nga mahnitja e një
bukurie të pafund, të sheshtë e të
qetë arash, luadhesh e korijesh, u
mblodh e ra përsëri në bishtin e
qerres myzeqare që ecte përpara.
Në të brendëshmen e saj të errët
(qerrja ish mbuluar me rrogoz),
djaloshi mezi dalloi shtatin e Vitës,
të mbledhur mbi kapistallin e
pasmë, me shputat e këmbëve
njëra mbi tjetrën, me njërën faqe
mbështetur mbi pëllëmbë, si të
kishte rikë, posi kuajt e kosovarëve,
të shikonte anës. Koka dhe i gjithë
krahu i tundej sa andej këndej nga
troshitjet e rrotave në udhën gjithë
gropa, lera, hendeqe…
…Kur qerret e myzeqarëve morën
në të mëngjër, në fushën çipllakë të
Trokthit, karvani kosovar kishte
humbur e mezi shquhej aje tej, në
jallinë e rrjepur si rrip daulleje, që
shtrihej buzë moçalit të fshatit Kënetas.
Karvanët e ndarë dhe larg
njeri-tjetrit, po ngisnin që të dy, secili
me ritmin dhe këngën e vet, drejt
perëndimit. Bigë me njeri-tjetrin, ata
kishin venë në mes fushën e gjerë
që vezullonte nga rrezet e diellit.
Ngëc-ngëc, duke bërë brryle anës
lerave, pellgjeve dhe hendeqeve,
duke u hepuar si të përmbysej,
çaponte i zymtë, i murmë malarik,
nën ritmin e numërimit të përjavshëm
të grave, karvani me dy qerre
i vendasve. Kurse atje tej, bridhte
drejt përpara, plot besim, tërhequr
nga shpresa, karvani i gëzuar i muhaxhirëve
kosovarë.
Kështu big po zbrisnin atë mëngjes
drejt detit edhe lumenjtë e Semanit
dhe Vjosës, që kishin vënë në mes
fushën e paanë të Myzeqesë së
Vogël. Semani, i murmë, i turbulluar
nga shirat e ditës së djeshme,
që kishin rënë aty rreth e rrotull, i
zemëruar që s‘e linin të shkonte
drejt, por duhej të dredhonte nëpër
brylakët e shumtë, i plogët në
rjedhën e shterur nga muajt e nxehtë
të verës, mërmëronte nëpër
zajet e kumin e tij dhe i ngjante, në
atë ecje e mërmërimë, karvanit
myzeqar, që po e bënte rrugën si
një vargan i përmotshëm.
Lumi i Vjosës atje tej e fqi me të,
ushqyer nga ujrat e maleve andej
kufirit, që çante rrugën përpara
e pa dredha të shumta (përveç
brylakëve të hapët, të gjërë) këndonte
duke përplasur valët e gëzuara
nëpër mezhdat e brigjeve.
Atij i ngjante, në ecjen e gëzuar,
gjithë fuqi e shpresë, karvani i kosovarëve.
Atë hop, një mushkonjë e ngritur
nga truskat buzë kënetës, u këndoi
në vesh malësorëve zukatjen
e saj të mërzitshme, zukatjen
pipëronjëse që të nxjerr lotë nga
sytë. Por asnjë nga muhaxhirët
nuk e kuptoi ç‘donte të thoshte
kënga e saj e molepsur…".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›