Rama në Farkë: Arsimi e Bujqësia, fokusi i PS-së
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë thirrje për një politike të re, gjatë takimit të zhvilluar në komunën e Farkës në Tiranë. Lideri i opozitës ka kërkuar nga banorët e kësaj zone, që ta ndryshojnë këtë politikë të vjetër, ku politikanët kacafyten me njëri-tjetrin për probleme personale, ndërkohë që i gjithë populli kthehet në një telespektator, që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish. Sipas Ramës, nëse të gjithë organizohen në një rrjet njerëzish, që e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë, por edhe që janë të gatshëm të mbështetin çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, atëherë politika e politikanëve do të flasë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve.
Duke pasur pranë një prej personazheve të spektaklit "Big Brother", Astritin, i cili është bërë anëtar i PS-së të komunës Farkë, Rama u shpreh: "Duhet ta ndryshojmë politikën nga një shfaqje të pambarimtë, si të ishte shtëpia e "Big Brother", ku politikanët me njëri-tjetrin zihen, sherrosen, kacafyten, bashkohen, ndahen, mallkohen, dhe ku gjithë populli votues kthehet në një telespektator që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish, që mban peng historinë tonë të përbashkët, në një hapësirë ku të diskutohet për të zgjidhur problemet tona të përbashkëta”. Gjatë takimit të zhvilluar, Edi Rama shtoi se politika nuk ka lindur për t'i dhënë mundësinë një grushti njerëzish që të japin shfaqjen e shëmtuar që japin prej 17 vjetësh. “Në këtë aspekt, ju jeni fuqia që mund të sjellë ndryshimin. Nëse ju jeni të organizuar në një rrjet njerëzish, që e di mirë, shumë mirë se çfarë kërkon dhe që është i gatshëm të mbështesë çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, por është i gatshëm gjithashtu t'i kundërvihet çdo projekti që bie ndesh me interesat e veta, do të shikoni ju që gjërat do të jenë ndryshe dhe do të vijnë politikanët te ju. Nuk do të rrini ju me sytë nga televizori, që të merrni ndonjë lajm të mirë nga politikanët, të cilët dalin nga kutia e televizorit vetëm kur është fjala për të marrë vota dhe pastaj mbyllen në kutinë e televizorit, për të vazhduar shfaqjen e "Big Brother", - tha ai. Kryetari socialist ka premtuar se, në rast fitoreje në zgjedhjet e 2009-ës, dy nga gjërat ku do të fokusohet PS-ja maksimalisht për të ndryshuar rrënjësisht përqasjen, janë arsimi e bujqësia. “Dy gjëra që janë pa diskutim çështje ku ne duhet të fokusohemi me mish e me shpirt dhe ku ndryshojmë rrënjësisht përqasjen dhe vëmendjen, janë arsimi e bujqësia. Këto të dyja do të jenë për ne prioritete kryesore. Të bëjmë çmos që të arsimojmë si duhet fëmijët, të rejat e të rinjtë. Të bëjmë çmos që t'i japim atë që duhet fshatit, që të fillojë të marrë frymë", - tha ai.
Meta u bën thirrje figurave ndër vite të PS-së që të kontribuojnë
Ftesa, Meta kërkon takim me Ramën
TIRANË- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zbutur dje qëndrimin ndaj PS-së, duke theksuar përmes një konference për shtyp se është i hapur për dialog me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Meta e ka bërë këtë ftesë, duke marrë shkas nga figurat me përvojë të PS-së, Rexhep Meidani, Dritëro Agolli dhe së fundmi edhe Sërvet Pëllumbi, të cilëtkanë folur gjatë për situatën politike brenda së majtës. “Unë dua të shpreh edhe njëherë tjetër vendosmërinë time, për të qenë i hapur për dialog, për të qenë i hapur për t’u takuar me zotin Rama, sa më shpejt që të jetë e mundur. U kërkoj, si zotit Mejdani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre, për t’u realizuar ky bashkëpunim”,- tha dje Meta. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Sërvet Pëllumbit, i cili në një deklarim për mediat ka theksuar se nuk është mandatuar për të bërë rolin e negociatorit për një takim midis dy krerëve të partive, Metës dhe Ramës, duke shtuar se ai mbetet i hapur për takime individuale, në këtë rast me kreun e LSI-së. Po dje, në konferencën për shtyp, Meta ka bërë publik edhe emrin e negociatorit nga ana LSI-së, në rast të një përgjigjeje pozitive nga ana e PS-së. “Unë jam sot këtu edhe me Prof. Sabit Brokaj, një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe nga kontribuuesit më të spikatur të së majtës gjatë gjithë këtyre 18 viteve të pluralizmit dhe të demokracisë, duke pasur besim edhe te angazhimi i tij tepër i sinqertë dhe parimor, për të kontribuar në krijimin e një klime, e cila do të sillte një takim dhe do të rivendoste një dialog, që do të rivinte në vend themelet e një bashkëpunimi parimor”,- tha Meta.