E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karoline Kenedi, gruaja që do të ringjallë një ëndërr

Vendimi i saj i vjetër për të jetuar
larg qendrës së vëmendjes së
botës dhe syve kureshtarë nuk
është aspak një vendim i shtirur.
E ëma, Zhaklinë Kenedi Onasis,
tregonte për të bijën se kur ajo ishte e
vogël, instinktivisht do të tentonte t‘i
shmangej objektivit të fotografëve.
Edhe kur u rrit, për të mos u përplasur
me paparacët dhe fotografët, do të shkonte
në shfaqje apo në darka shumë
para kohe dhe gjithmonë me të njëjtin
qëllim: për të mos rënë në sy. Duke pasur
parasysh këtë karakter të ndrojtur,
të vjen e papritur kur befas mëson se një
grua që më mirë do të preferonte të pinte
acid, se sa të jepte një intervistë për
gazetat, tani thotë se është e gatshme
të zërë vendin e lënë bosh në Senatin
amerikan nga Hilari Klinton, pasi kjo të
marrë postin e Sekretares së Shtetit në
administratën e Obamës. A ka mundësi
që ajo ta ketë llogaritur gjithçka prej
vitesh, madje edhe vetë moshën dhe
momentin kur do t‘i duhej të merrej me
politikë dhe të dilte nga anonimati? Sipas
të gjitha gjasave, karriera politike
nuk ka qenë aspak në mendjen e
Karolinës kur ishte 20 vjeçe. Në atë kohë
ajo u ishte dhënë studimeve dhe
mbrëmjeve me shoqërinë e saj njujorkeze
e londineze. Më vonë u martua
dhe krijoi familjen e saj, por do të ishte
naive të mendoje për një Kenedi që ka
hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga
politika. Një ditë, në një moment të caktuar
edhe Karolina nuk do të mund t‘i
thoshte "Jo" thirrjes së gjakut. Sigurisht
që ka nga ata të cilët kanë vënë në
pikëpyetje aftësinë e saj për të qenë e
denjë për një post të tillë, por për pjesën
më të madhe të politikanëve ajo është
plotësisht e kualifikueshme edhe pa
faktin se është e bija e JFK, fotot e së cilës
pranë të atit në vitet e Shtëpisë së
Bardhë janë bërë pjesë e memories së
kombit. Për shumëkënd ajo ka hijen e
një princeshe. Megjithatë, prejardhja e
saj është sa në favor të zgjedhjes, aq
edhe në favor të komplikacioneve që
mund të sjellë në karrierën e saj të
ardhshme. Disave, "zbritja" e Karolinës
në Capitol Hill do t‘u sjellë ndër mend
kujtimet e një epoke të artë në politikën
amerikane, atëherë kur prindërit e saj u
shndërruan në simbol të një ndjenje të
re shprese dhe ardhmërie. Por njëherazi
familja e saj është edhe mbartëse e
një cikli tragjedish, që janë përsëritur
vazhdimisht dhe që kanë qenë të pamëshirshme
për fisin irlandez. Madje,
shpesh Kenedët janë cilësuar si "të
mallkuar". Një nga efektet anësore të
vuajtjes është zhvillimi i një force të
brendshme personale dhe elasticiteti.
Karolina ishte 5 vjeçe kur dadoja që e
rriti i kumtoi lajmin e vdekjes së të atit.
Në një libër të fundit biografik mbi
Kenedët, një shkrimtar thotë se kur
Karolina e mori vesh për të atin, nisi të
qante me dënesë, por pa u ndjerë sikur
të kishte pasur frikë se mos zgjonte njeri.
Më pas ajo nuk qau kurrë në prezencë të
të tjerëve, veçanërisht të vëllait të saj të
vogël. Brenda një viti, Familja e Parë u
largua nga Uashingtoni, por ky qytet do
të mbetej për Karolinën gjithmonë shtëpia
e saj. Mes atyre që u munduan të
mbushnin boshllëkun te Karolina ishin
i ungji, Robert. Më pas, në qershor të vitit
1968, edhe ai u vra. Vetëm disa javë pas
kësaj tragjedie të re, Karolina me të vëllanë e gjetën veten në një ishull grek si
dëshmitarë të martesës së nënës së tyre
me Artistotel Onasisin e pasur të Greqisë.
Marrëdhëniet e saj me të ëmën ishin
marrëdhënie përplasjesh të vazhdueshme,
ndërkohë që në mësime ajo
arrinte të merrte gjithmonë maksimumin,
sidomos gjatë viteve kur studionte
në Londër. Për sa i përket daljes së
saj nga "guaska", ajo lidhet pikërisht me
Londrën dhe fillimin e këtij viti, kur u
përfol se Obama në rast fitoreje mund
ta bënte ambasadore të Shteteve të
Bashkuara në Britaninë e Madhe.
Karolinës ky vend i sjell ndërmend edhe
një rast që mund t‘i kishte marrë jetën
pas shpërthimit të një bombe të IRA-s.
Pikërisht ky incident e bëri që të kthehej
në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar
studimet në Masaçusets. Në përfundim
të tyre kreu disa praktika pune
nëpër zyra dhe gazeta, ndërkohë që
punën e plotë pas diplomimit e nisi në
Muzeun Metropolitan të Artit. Pikërisht
aty ajo u takua me bashkëshortin e
ardhshëm, Edwin Schlossenberg, kompania
e të cilit merrej me konceptimin
e ekspozitave të muzeut. Ata u martuan
në pronën e familjes në Hyannisport, në
korrik të vitit 1986. Sigurisht që ishte një
ceremoni private, por jashtë perimetrit
të gardhit të shtëpisë ishin mbledhur
shumë gazetarë e fotografë në kërkim të
ndonjë pamjeje apo lajmi nga martesa.
Eduard Kenedi ishte shoqëruesi i
Karolinës për në altar. Më pas, gjatë
darkës, ai tha: "Sonte me ne është edhe
vëllai im, Xhek. Ai do të ishte aq krenar
për të bijën, të cilën ne e duam shumë".
Me kalimin e viteve Karolina kishte vendosur
një lidhje shumë të ngushtë me
Tedin, i cili e asistoi ndërsa ajo ndoqi
Shkollën e Ligjeve në Kolumbia, apo kur
nisi të shkruante librat e saj me tema që
varionin nga poezia e deri te ligji dhe e
drejta. Ajo u shndërrua në një person
shumë aktiv në fondacionin "Kenedi"
dhe lindi e rriti tre fëmijë në kushte
thuajse normale për një person që mund
të kishte jetuar edhe në kulmin e pasurisë.
Por Tedi e asistoi edhe në momentet
e dhimbjes së madhe. Në vitin 1994 e
ëma ndërroi jetë pas një kanceri limfatik.
Më vonë Karolina vendosi që të zëvendësonte
të ëmën në postin e drejtoreshës
së nderit të Baletit Amerikan.
Më pas, në vitin 1999 erdhi për të gjithë
fisin momenti më i vështirë, kur i vëllai,
Xhon, mbeti i vrarë pas përplasjes me
avionin që po e drejtonte vetë dhe në të
cilin ndodhej edhe bashkëshortja e tij e
re, Karolin Besete, me të motrën. Të tre
ata nuk dolën dot të gjallë nga kjo tragjedi.
Këtë herë Karolina u përpoq që sërish
t‘i mbante lotët, por tashmë para
fëmijëve të saj. Por humbja e vëllait ishte
njëherazi edhe një pikë kthese. Tashmë
flaka e të atit do të mbahej ndezur
vetëm prej saj, që do të thoshte se
përgjegjësia ishte shtuar në maksimum.
Pikërisht në këtë moment ajo nisi të
mbështesë Al Gorin në vitin 2000 në
garën e tij presidenciale, që e vendosi
kundër Bushit. Madje ajo pranoi që të
mbante fjalimin kryesor në konventën
demokratike të atij viti. Në vitin 2002 ajo
u thirr nga kryebashkiaku i Nju Jorkut,
Majkëll Blumbberg, që të ishte shefe e
Zyrës të Partneritetit Strategjik për
sistemin arsimor. Duke u munduar të
shmangte vëmendjen e të tjerëve ndaj
vetes dhe të përdorte të gjitha lidhjet që
kishte, ajo ia doli mbanë që të mblidhte
65 miliardë dollarë për shkollat. Nga të
gjithë kolegët e saj të kësaj periudhe, ajo
konsiderohet si "një kalë pune". E
megjithatë, pavarësisht gjithë fshehtësisë
dhe modestisë, që nga viti 2000
Karolina kishte nisur me ndërgjegje të
plotë t‘i shtronte rrugën vetes për
lajmërimin që bëri një javë më parë,
prapë synimin e postit të senatores. E
ndërkohë që shtronte këtë rrugë, ajo ishte
shumë e zënë me fëmijët e saj dhe me
të shkruarit. Por i ungji Ted duket se është
njeriu i vërtetë i planeve në këtë mes
dhe sipas tij ky është momenti i përshtatshëm
që Karolina më në fund të dalë
në dritë dhe të tregojë veten për atë çka
është, pra një Kenedi e vërtetë. Në fakt,
në janar shenjat e rishfaqjes së saj u
dukën të qarta. Karolina më në fund dha
sinjalin se kishte vendosur të dilte nga
anonimati dhe hija, duke mbështetur
në mënyrë entuziaste dhe të vrullshme
Obamën. Për të ajo tha se mund të kishte
qenë një president që do t‘u kujtonte
amerikanëve të atin dhe ëndrrën e tij të
lënë përgjysmë. Lidhjet e saj me Presidentin
e zgjedhur u thelluan menjëherë
dhe kjo u shfaq kur ajo pranoi që të kryesonte
panelin që do të merrej me përcaktimin
e kandidatit për zëvendëspresident.
Në këto e sipër, i ungji ishte shtruar
në spital dhe gjithë punën që duhet
ta bënte ai, e bëri më së miri Karolina.
Në fjalën e saj, në të cilën deklaronte
ambicien për senatore, ajo tha: "Kam
punuar në shkolla dhe për shkollat publike
të Nju Jorkut. Kam shkruar libra për
Kushtetutën. Kam rritur tre fëmijë dhe i
jam përkushtuar shumë familjes sime
dhe tani, me gjithë problemet që na
duhet të zgjidhim si komb, mendoj se ka
ardhur koha që të bëj shumë më tepër
për vendin tim". Aktualisht ajo po
punon me figurat më të larta të qeverisë
së ardhshme, për përcaktimin e politikave
dhe njerëzve që do të qeverisin
Amerikën në 4 vitet në vazhdim. Për
postin e senatores ajo ka rivalë, mes të
cilëve është edhe Andej Kuomo,
Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut,
por për të do të ishte shumë e vështirë
të dilte mbi një Kenedi. Megjithatë, një
nga sfidat më të mëdha të Karolinës do
të mbetet vetvetja dhe zakoni i saj i stërlashtë
për të mos rënë në sy. Për postin e
ri ajo duhet të heqë dorë nga të dalët
vetëm nëpër rrugë, apo nga druajtja për
t‘u shfaqur në publik. Tashmë kjo
mënyrë jetese për të ka marrë fund
njëherë e përgjithmonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›