E Diel, 1 Nëntor 2026

Po harxhojmë kohë të çmuar

Fituesi i çmimit "Nobel" për ekonomi sivjet, Paul Krugman, u është bashkuar atyre që kritikojnë mosveprimin e qeverisë së Gjermanisë përballë krizës financiare. Ai foli për "Spiegel" rreth çmimit të mosbërjes asgjë, edhe pse mendon që Berlini e ka gjykuar keq rëndësinë e krizës

E keni akuzuar qeverinë gjermane se është kokëtrashë në qasjen e saj ndaj krizës financiare. Ku janë duke gabuar kancelarja Merkel dhe ministri i saj i Financave, Peer Steinbrück?
Ata ende po mendojnë për botën, a thua se jemi para një apo dy viteve, me inflacionin dhe deficitet si kërcënimet më të mëdha. Si rezultat i kësaj, ata nuk po e çmojnë rëndësinë e krizës dhe po humbasin kohë të çmueshme, për Gjermaninë dhe të gjithë Evropën.
Cilat mund të jenë arsyet e ngurrimit të tyre?
Dyshoj se ka një tendencë që të shihet çfarëdolloj i zgjerimit evropian, si një mënyrë që Gjermania të subvencionojë të gjithë Evropën. Dhe ndoshta është vetëm mungesë e fleksibilitetit intelektual.
Qeveria e Gjermanisë është e brengosur se zvogëlimet e taksave dhe paketat stimuluese mund të avullojnë. A ka ndonjë të vërtetë në këtë mënyrë të të menduarit?
Ka arsye që të frikësohemi se zvogëlimet e taksave do të jenë joefektive. Por, ky është rast për një program të dizajnuar më mirë, e jo për të mos bërë asgjë.
Si e shihni frikën e Merkel-it dhe Steinbrück-ut se Gjermania do të duhet të paguajë për gabimet dhe problemet e njerëzve të tjerë?
Është e kuptueshme, por është dëm që të brengosesh për këtë kur ekonomia evropiane, që përfshin Gjermaninë, është në rrezik të madh.
Përkundër amerikanëve, gjermanët shpenzojnë më pak e kursejnë më shumë. A ka ndonjë rrezik që përfitimet e taksave të përfundojnë në llogaritë e kursimeve?
Po, ka. Për këtë arsye, fokusi i programit duhet të jetë në shpenzimet e qeverisë sa më shumë që është e mundur. Por e përsosura është armikja e së mirës. Ne jemi në krizë të madhe dhe duhet bërë sa më shumë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.
A nuk ka alternativa?
Në kohëra normale të politikave monetare, të kombinuara me stabilizues automatikë, mjafton. Unë jam kundër politikave fiskale të lira për të vepruar në kohëra normale.
Dhe çfarë është ndryshe në këtë moment?
Politika monetare ka humbur rrugën! Kur ratat e interesit janë ose në zero ose po i afrohen asaj pike, stimuluesi fiskal bëhet i domosdoshëm.
Çfarë do ta këshillonit që të bëjë qeverinë gjermane?
Nuk do të përpiqem të përshkruaj në detaje, ende po punoj mbi situatën e SHBA-së. Por, një stimulues domethënës, së shpejti, është i domosdoshëm, pavarësisht nga përbërja e tij.
Sa kanë rëndësi politikat gjermane në luftën kundër krizës globale financiare?
Evropa ka një problem të madh të koordinimit. Tregtimi i deficiteve dhe rezultati është shumë më pak i favorshëm për cilindo shtet që vepron vetëm sesa si BE në tërësi. Andaj bashkëpunimi është thelbësor. Por, nëse Gjermania, ekonomia më e madhe, refuzon që të bashkohet, nuk do të ketë bashkëpunim. Ngjarjet i kanë dhënë Gjermanisë një rëndësi strategjike politike që është në disproporcion me madhësinë e saj.
Cili është çmimi i mosveprimit?
Një krizë shumë e keqe, me shkallët më të këqija të papunësisë që nga viti 1930 dhe si duket një dekadë e humbur e tipit japonez.
Cili është mendimi juaj për ekonominë e SHBA-së?
Nëse nuk ndodh asgjë, do të kemi papunësi 11 për qind, apo më shumë deri në fund të vitit 2009. Edhe me stimulues, 10 për qind e papunësisë është e mundur. Dhe kjo mund të vazhdojë me vite, edhe recesioni i vitit 2001 mblodhi një krizë 30-muajshe të punësimit. Ne kemi nevojë për një stimulues të madh në SHBA, intervenim në tregun e hipotekave për t‘i zvogëluar ratat, plus 4 për qind apo më shumë të produktit vjetor për masa rregulluese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›