E Diel, 1 Nëntor 2026

Në rrënjët e Milorad Blagojeviçit

"Linkolni sigurisht se po rrokulliset në varr", ishte komenti i prokurorit amerikan, Patrick Fitzgerald, i cili pas hetimit trevjeçar për korrupsion në Illinois, para disa ditësh dha urdhër për arrestimin e guvernatorit të këtij shteti, Milorad - Rod Blagojeviç, për shkak të tentimit të shitjes së një vendi të lirë në Senat ofertuesit më të mirë. Ky vend, para pak kohësh, i takoi Presidentit të sapozgjedhur amerikan, Barak Obama. Guvernatori me prejardhje serbe, telefonatat e të cilit i përgjoi FBI, qoftë në shtëpi apo në zyrë, pas dëgjimit të parë, u lirua që të mbrohet në liri falë kaucionit prej 4500 dollarësh.

Beograd, 11 dhjetor. Në Veliko Krcmare, një fshat i vogël rreth 30 kilometra larg Kragujevcit, të mërkurën flitej me të madhe për politikën botërore. Veliko Krcmare është vendlindja e Milorad - Rod Blagojeviç, guvernatorit të shtetit amerikan Illinois, i cili i ka rrënjët nga ky fshat i Shumadisë. Ndonëse atë e arrestoi FBI, në fshatin e tij të gjithë e mbrojnë. Tregojnë se ai është i mirë, i ndershëm, dhe se "krejt familjen e ka të njëjtë si ai". Në shtëpinë e vogël, e treta me radhë nga ana e djathtë, sapo ta kaloni rrugën kryesore, ndodhet vatra e Dragan Blagojeviç, djalit të axhës së Rodit, kushëririt të tij më të afërm në Serbi. Dragan po priste në oborr që të tregonte vendin se ku ndodhej dikur shtëpia e vjetër në të cilën kishte lindur babai i Rodit, Radosavi. "E pamë ditarin dhe pas tij, nuk mundëm të flinim tërë natën. Gjithë këtë punë ia kurdisi dikush Miloradit tonë. Epo ç‘t‘i bësh, kjo ndodh për shkak të politikës. Ai ka kryer dy fakultete në Amerikë, ka punuar edhe si prokuror publik", tregonte Dragan Blagojeviç, teksa nxirrte nga një kuti fotografitë e vjetra familjare. Në njërën prej tyre, të vitit 1967, të bërë në Çikago, shihej familja e Blagojeviçit. Milorad (Rod) dhe vëllai i tij më i madh, Bosko, po ekzekutonin në një tambure. Në fotografinë e dytë shihej Rod si foshnje. Rod Blagojeviç e flet shkëlqyeshëm gjuhën serbe, është i pagëzuar në Kishën Ortodokse dhe si festë familjare feston Shën Gjergjin. Çdo vit nga Blagojeviçi në Amerikë, drejt Veliko Krcmare‘s për Pashkë, vinte nga një urim me dëshirat më të mira. E në zarf gjendej gjithmonë edhe ndonjë dollar. Megjithatë, Rod Blagojeviç në Serbi ishte vetëm një herë në jetë, dhe atë gjatë kohës së bombardimeve të vitit 1999, kur erdhi që t‘i merrte me vete dy pilotët e arrestuar amerikanë, aeroplani i të cilëve ishte rrëzuar në Kosovë. Babai Radosav dhe axha i tij Miloradi (sipas të cilit ish-guvernatori amerikan mori emrin), e braktisën Serbinë në vitin 1941, ngase ishin oficerë të Armatës së Mbretërisë së Jugosllavisë. Vëllai i Rodit, Bosko, në Serbi qëndroi disa herë, madje ishte edhe në Veliko Krcmare, diku para 30 vjetësh. Kishte dëshirë që ta vizitonte vendin, e pastaj, siç thonë kushërinjtë e Blagojeviçëve në Serbi, "i kreu shkollat e larta ushtarake dhe u bë gjeneral i armatës amerikane". As Bosko tashmë s‘është ushtarak, por merret me financa dhe posedon një bankë të vetën.
Me shkurtime nga "Blic"

TË GJITHA AKUZAT KUNDËR BLAGOJEVIÇ
David Axelrod, strategu kryesor i fushatës së Presidentit të zgjedhur Obama, para dy ditësh e demantoi të ketë thënë se Blagojeviç dhe Obama janë dëgjuar dhe kanë folur për kandidatët e mundshëm për vendin e lirë në Senat pas tërheqjes së Obamas nga atje. Megjithatë, më 23 nëntor, Axelrod kishte deklaruar diçka tjetër për televizionin "Fox". "E di se Obama ka biseduar me guvernatorin dhe se ekzistojnë një sërë emrash të kandidatëve për pozitën", kishte thënë asokohe Axelrod. E më vonë: "Kam gabuar. Në asnjë moment, ata të dy nuk kanë diskutuar për këtë temë", ishte deklarata e tij e publikuar para disa ditësh. Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Cameron Munter, deklaroi se arrestimi i Blagojeviçit tregon qartë se sistemi amerikan e konsideron korrupsionin si diçka shumë serioze. Përndryshe, senatori serbo-amerikan, Rod Blagojeviç, ngarkohet se: - U përpoq ta shiste vendin e lirë të Obamas në Senat, në këmbim për një pozitë të lartë për vete në Administratën e re, ose për një post fitimprurës për bashkëshorten e tij në ndonjërin nga bordet udhëheqëse.
- Ka ushtruar presion ndaj gazetës "The Chicago Tribune",
me qëllim që t‘i ndërronte redaktorët që po e kritikonin.
- Merrte provizione joligjore prej 25000 dollarësh nga kompanitë
e ndryshme, në këmbim për punët e kryera në të ashtuquajturin klub shtetëror.
- Lidhje me biznesmenin kontrovers, Toni Reska, të dënuar për
mashtrime financiare, i cili ia kishte financuar fushatën e tij të parë për guvernator.
- Merrte provizione për punësim në strukturat shtetërore të
shtetit amerikan Illinois.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›