E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQV, MB nuk sqaron dot diferencën e të dhënave

Autori i Lajmit: red.
Ngritja e qendrave të votimit është bërë përsëri shkak për debate të ashpra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ministria e Brendshme ishte dje e pranishme në mbledhjen e KQZ-së pas kërkesës së bërë nga Partia Socialiste, por pa mundur të sqarojë diferencat midis të dhënave të saj dhe Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, vuri në dukje diferencat midis të dhënave. “Ju nuk keni vendime të shkruara lidhur me vendndodhjen dhe numërtimin e QV-ve. Kështu si mund të më shpjegoni diferencën mes materialit të MB dhe asaj që ka shpërndarë ZAZ”,- tha ai. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme tha se “informacionet i përcjellim siç i marrim. Unë nuk të shpjegoj dot diferencat. Mund ta kërkosh tek kreu i njësisë vendore”. Sakaq kanë vijuar debatet për ngritjen e qendrave të votimit në ambiente private, për të cilat PS është duke menduar se mund të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor për ato raste kur mund të gjendet zgjidhja për t i ngritur në ambientet publike, siç e parashikon ligji. Në lidhje me këtë çështje, anëtari i KQZ, vëreji se është një problem serioz që duhet të zgjidhet. “Duhet të përfundojë puna e verifikimit për QV nga ZAZ. Atje mund të kemi tjetër gjë të çojmë ne dhe tjetër gjë do të jetë. Për sa i përket temës konkrete, për QV në ambiente private, kam vërejtje sepse këtu në pjesën më të madhe ka vetëm një të dhënë, që është ambient privat”,- tha ai. Nuk kanë munguar as debatet mes kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, dhe nënkryetares Dëshira Subashi, të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin për prishje të mbledhjes apo mungesë respekti. “Nuk keni pse bëni insinuata, dhe s keni pse manipuloni. Ju po manipuloni në KQZ. Herë tjetër kujdes kur të flisni”, - iu drejtua ai nënkryetares Subashi. Nënkryetarja e KQZ-së kërkoi t i respektohej fjala. “Duhet ë keni minimumin e etikës, z. Kryetar, sepse unë në mënyrë absolute nuk manipuloj asnjë dhe aq më tepër KQZ. Është e turpshme që më vini mua këtë etiketë”, - tha ajo. Paraditen e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 181 vëzhgues afatgjatë të Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (Shqipëri), që do të monitorojnë procesin zgjedhor të 28 Qershorit.

Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›