E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, familjet që marrin tapitë, përfitojnë edhe 195 të persekutuar

Autori i Lajmit: red.
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale ka përfunduar procesin e legalizimit të më shumë se 5072 ndërtimeve pa leje dhe shtesave pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Në të ndodhen të dhënat personale të të gjithë përfituesve nga procesi, si dhe sipërfaqja që do t u legalizohet, numri i kateve dhe të dhënat e tjera për secilën pronë. Gazeta boton sot listën me emrat e rinj që u përkasin qyteteve Tiranë, Durrës, Vlorë Elbasan, Shkodër, etj.
Qeveria miratoi dje në mbledhjen e radhës një sërë vendimesh që hapin dritën jeshile për legalizimin e banesave për rreth 7 mijë e 500 familje në Tiranë (Kombinat) dhe në rrethe. Sipas kryeministrit Berisha, ky proces do të ketë lehtësira edhe falë aktivizimit të tregut të letrave me vlerë. Kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së qeverisë deklaroi: “Janë 6 mijë familje të tjera, kryesisht në Tiranë, banesat e të cilëve legalizohen. Janë rreth 1300 familje, të cilave u privatizohen banesat në Kombinat dhe tek ish- Shkolla e Partisë. E vërteta është që procesi i legalizimit po shkon drejt fazës më të shpejtë, pasi të përgatitura për proces janë mbi 150 mijë objekte. Në çdo mbledhje qeverie do të ketë disa mijëra. Angazhimi i letrave me vlerë në këtë treg është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët, të cilët i kanë këto letra në xhep dhe tani kanë mundësi t i shesin në treg të leverdisshëm, sikundër është pritur shumë mirë edhe nga ata që do të legalizojnë shtëpitë e tyre, pasi kjo përbën një zbritje të qartë në çmimin e tyre”,- tha Berisha. Më tej kryeministri Berisha tha se do të ketë edhe një mbledhje të fundit të qeverisë e cila do të ketë sërish në qendër të saj procesin e legalizimeve.

Privatizimi i shtëpive të ish- të përndjekurve
Këshilli i Ministrave ka miratuar përfundimisht në favor të ish- të përndjekurve banesat dhe godinat ku ata banojnë prej vitesh dhe që u janë dhënë pas vitit 1992, duke bërë kështu që tashmë ata të kenë tapitë e tyre. Me një vendim qeveria, miratoi aktin “Për kthimin në fond banesash të disa objekteve të ish- Kombinatit të Tekstileve, në Tiranë, të Ndërmarrjes mekanike-tekstili, Tiranë dhe të ish- Shkollës së Partisë, Tiranë”, në të cilat aktualisht banojnë 195 familje që i përkasin shtresës së ish- të përndjekurve politikë. Në bazë të këtij vendimi, këto objekte do t i kalohen Entit Kombëtar të Banesave, për fond banesash dhe privatizim, si zgjidhja më e mirë në ndihmë të këtyre familjeve, pasi këto godina e kishin humbur prej kohësh funksionin për të cilin ishin ndërtuar.

Banesat që privatizohen
1.Godina e ish-kombinatit të Tekstileve Tiranë
2.Godina e Ndërmarrjes mekanike-tekstili, Tiranë
3.Godina e ish- Shkollës së Partisë, Tiranë
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›