E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Forca e zakonit", historia tragjike e një diktatori

 

Alma Mile

Ata janë gjithnjë në gjendje gatishmërie. Një turne i gjatë i pret përpara. Dhe ata blejnë këpucë... Sa premtime, aq edhe palë këpucë.  Tanimë dhomat e tyre i ngjajnë më shumë një tregu këpucësh të dala mode e gojëhapura. "Forca e Zakonit" është vepra më e re dhe e fundit për këtë sezon shfaqjesh në Teatrin Kombëtar. Kjo komedi e dramaturgut austriak Thomas Bernard ngjitet nesër në skenën e TK-së, nën regjinë e regjisorit të ri austriak Chrisrian Papke. Kur e pyet se përse ka zgjedhur këtë pjesë, Papke thotë se autori është i njohur në të gjithë botën, ndërsa "Forca e zakonit" është një nga pjesët e tij më të forta. Por vetëm kaq është "pak" për t'u ngjitur në skenën shqiptare. Regjisori ka parë ca më thellë. Ngjarjet e veprës vendosen në një cirk, në hapësirën e të cilit lëvizin pesë personazhe, drejtuesi i cirkut, Caribaldi, zbutësi i kafshëve, gaztori, mbesa dhe zhongleri. Caribaldi, një njeri i dobët fizikisht, me një këmbë druri, por tanimë i dobët edhe psiqikisht, del tej kuadratit njerëzor, duke u bërë më i ashpër, më i vrazhdë, duke marrë pamjen e një diktatori të vërtetë. E Shqipëria nuk e ka të panjohur këtë eksperiencë. "Nuk mendoj se mund të ketë arsye më të fortë se kaq", - thotë regjisori, ndërsa vë buzën në gaz. E në të vërtetë nuk e ka menduar keq. Përpara viteve '90, Shqipëria i ngjante vërtetë një cirku të mbyllur, që drejtohej nga një njeri i sëmurë, që kërkonte të arrinte të paarritshmen, ashtu si punonjësit e cirkut, që duan të ngrenë një orkestër muzikore e të luajnë së bashku "Kuintetin e troftave", duke bërë të tjerët të qeshin. Punonjësit e cirkut janë gjithnjë në pritje të premtimit se do të dalin jashtë me turne, ashtu si shqiptarët dikur prisnin të hapeshin kufijtë e Shqipërisë, por edhe si shqiptarët sot, që vazhdojnë të presin të udhëtojnë pa viza. Vepra flet me gjuhën e absurdit, por që sipas Papkes nuk ka asgjë të vështirë për t'u kuptuar nga publiku. Shfaqja e cila ngjitet si premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar, vjen nën interpretimin e tre aktorëve Vasjan Lami, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi, si dhe dy balerinëve Elton Çefa dhe Suada Hoxha, të cilët nuk janë thjesht në rolin e balerinëve, por edhe të aktorëve. Të 5 personazhet do të ndjekin një koreografi të krijuar nga koreografi Gjergj Prevazi, i cili thotë se edhe tre aktorët profesionistë do të flasin shumë me gjuhën e trupit. Vetë regjisori Papke, nuk preferon t'i ndajë aktorët nga balerinët. "Kjo është një vepër që ka 5 personazhe dhe komunikimi verbal është vetëm maja e piramidës", - thotë ai. "Forca e zakonit" vjen në shqip e përkthyer nga Jonila Godole, e cila thotë se vështirësia e shqipërimit qëndronte tek ruajtja e ritmit të veprës, ashtu si në origjinal, duke qenë se ajo ishte e mbushur me shpërthime e gjendje që ndryshojnë vazhdimisht. Por edhe aktorët nuk e kanë pasur të lehtë, për të hyrë nën petkun e personazheve të tyre. "Vështirësia e parë qëndronte tek perceptimi i veprës. Ishte e vështirë ta bënim tonën e për të gjetur një mesatare mes asaj që autori ka dashur të thotë në gjermanisht dhe asaj që ne duhet të përcjellim në shqip", - thotë aktori Vasjan Lami, i cili interpreton rolin e Caribaldit, drejtuesit të cirkut, të vetmit personazh që mban një emër, ndërsa të tjerët janë thjesht njerëz që bëjnë një profesion. "Forca e zakonit" është rezultat i një bashkëpunimi mes TK, Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Ministrisë së Jashtme të Austrisë, të cilët janë edhe mbështetësit e konkursit mbi dramën shqipe të prezantuar pak ditë më parë.

Autori

I konsideruar si një nga dramaturgët më të mëdhenj të hapësirës gjermanishtfolëse, Thomas Bernard lindi më 1931 dhe u nda nga jeta në vitin 1989. Ai njihet si autori më i mirë dhe i suksesshëm austriak, veprat e të cilit janë përkthyer në 25 gjuhë të botës. E filloi karrierën në vitin 1970 në Hamburg dhe në dy dekadat e mëpasshme i kushtoi një vëmendje të jashtëzakonshme gjuhës së folur. Ai u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare nga tuberkulozi dhe vuajtja e gjatë nga kjo s'mundje ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në veprat e tij, në të cilat ndihet vetmia, braktisja dhe vuajtja. Ka shkruar shumë drama e romane, ku "Forca e zakonit" është një nga më të vlerësuarat. Kritika botërore e ka cilësuar si komedinë gjermane më të mirë të së gjitha kohërave. Kjo komedi vjen për herë të parë e përkthyer në gjuhën shqipe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›