KQZ: Bllokohet vendimi për Gjilanin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë vendimin për raportin e hartuar nga Qendra për Numërim dhe Rezultate, mbi hetimet dhe rinumërimin e votave për kryetar komune të Gjilanit.
Nga raporti final i kësaj qendre del që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar 51.48 për qind të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Rexhepi, 48.52 për qind të votave.
Mirëpo, ky raport nuk arriti të fitojë dy të tretat e votave të nevojshme në KQZ për miratim, meqenëse shtatë anëtarë votuan për, tre kundër dhe një abstenoi. Dy të tretat e votave nënkuptojnë 8 vota. Abstenimi, ndërkaq, ka ardhur nga kryetarja e Komisionit, Nesrin Lushta.