E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Fatura e zgjedhjeve 6.8 milionë dollarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot projektbuxhetin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Institucioni i menaxhimit të proceseve elektorale ka përllogaritur shifrën prej 6.8 milionë dollarësh si kosto përfundimtare. Burimet nga KQZ-ja sqarojnë se dje u është dhënë materiali anëtarëve dhe përfaqësuesve të partive politike. Në relacion detajohen të gjithë zërat që përbëjnë buxhetin e këtyre zgjedhjeve. Vrojtimi i procesit të numërimit të votave përmes kamerave do të kushtojë për shqiptarët 1.4 milionë dollarë. Për herë të parë në Shqipëri, grupet e numërimit të votave do të kenë mbi kokë një monitor dhe çdo fletë votimi do të pasqyrohet në të, në kohën reale. Më tutje, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të funksionojnë monitorët që pasqyrojnë aktivitetin nga 66 Komisionet Zonale Zgjedhore dhe procesi do të mund të ndiqet "online", duke parë gjithë problemet e mundshme. Sakaq, mbi një milion dollarë të tjera do të shkojnë për pagat e mbi 41 mijë komisionerëve të niveleve të ndryshme. Një zë i konsiderueshëm financiar shkon edhe për pagat e punonjësve part time, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ofron në prag të parlamentareve. Një tjetër element është blerja e fletëve të votimit që do të përdoren për këtë proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të kërkojë shtypjen e 3195913 fletëve të votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, numri në total i zgjedhësve pritet të jetë 3133248. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ duhet të kërkojë shtypjen e fletëve të votimit të barabartë me numrin e zgjedhësve plus 2 për qind të kësaj shume. Gjithashtu, kostoja tjetër që përfshin projektbuxheti ka të bëjë edhe me rreth 85 mijë kode sigurie, të cilat kanë një vlerë të konsiderueshme. Gjithë materialet do të kalojnë për diskutim në mbledhjen e sotme dhe më tutje do t‘i kërkohet Ministrisë së Financave shtesë mbi fondin e përcaktuar për zgjedhjet në buxhetin e shtetit për vitin 2009. Kjo shumë ishte përcaktuar të ishte rreth 600 milionë lekë të reja. Ministria do të duhet të shtojë pjesën tjetër për të kompletuar faturën financiare të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›