Dy zyrtarë, nën akuzë për korrupsion
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar dhe e ka dërguar çështjen në gjykatë për dy zyrtarë, të cilët akuzohen për "korrupsion pasiv" dhe "deklarim të rremë të pasurisë". I pari është shtetasi Thoma Marina, ish-oficer i Policisë Gjyqësore në Durrës, i cili është ndaluar disa muaj më parë teksa po merrte një ryshfet. Hetimet kanë provuar akuzën ndaj Marinës dhe është vendosur që çështja të dërgohet në gjykatë. Burime nga gjykata thanë se çështja është regjistruar dhe do të gjykohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Zyrtari tjetër që akuzohet është Adem Rrenga, ish-drejtuesi i një projekti në Ministrinë e Bujqësisë. Çështja është regjistruar në gjykatë dhe mban numrin 1017. I pandehur është Rrenga dhe akuza që rëndon ndaj tij është "Deklarim të rremë të pasurisë nga persona të zgjedhur ose nëpunësit publikë". Gjyqtarja që do të gjykojë këtë çështje është Shefkie Demiraj.