E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpitë pa leje bllokojnë punimet në autostradë

Prej më shumë se dy vitesh, që kur nisi të konfigurohet autostrada
Durrës-Kukës, pamja e segmentit që kalon nëpër qytetin e Kukësit ka mbetur
pothuajse e njëjtë. 3 banesa të ndërtuara pa leje vazhdojnë të bëhen
pengesë për vazhdimin e rrugës. Vetëm pak javë nga nisja e punimeve,
kompanisë "Kastrati & Arifaj" i është dashur të tërheqë mjetet e rënda,
duke ndërprerë plotësisht punën. Të zotët e këtyre banesave nuk kanë
pranuan kurrsesi të lëvizin nga shtëpitë e tyre, edhe pse nuk dispononin
asnjë dokumentacion pronësie mbi to. Me krijimin e ALUIZNI-t u mendua se u
ndez "drita jeshile" për të dyja palët, për shtetin dhe për pronarët në
fjalë. Zyra e urbanistikës e bashkisë plotësoi të gjithë formularët e
nevojshëm dhe shtëpitë ishin gati për legalizim në fund të vitit të
shkuar. Por çështja prapë nuk gjeti zgjidhje. Tri banesat vazhdojnë të
bëhen pengesë për shtrirjen e autostradës më tej. Sipas pronarëve, ata nuk
kanë mundësi të paguajnë taksën e caktuar nga shteti për legalizimet. "Nuk
kemi lekë të paguajmë taksën e legalizimit, kemi mbetur në pikë të hallit.
Na kanë kërkuar të paguajmë gati katër milionë, por ne nuk kemi një shumë
kaq të madhe", thotë një nga banorët, banesa e të cilit është e destinuar
të prishet për t‘i lënë vendin autostradës. Edhe në Bashkinë e Kukësit na
thonë të njëjtën gjë. "Banorët nuk kanë lekë për të paguar taksën e
shtetit për legalizim, por nuk mund të tolerohen vazhdimisht. A nuk u
kënaqën që bashkia i ndihmoi të legalizojnë ndërtimin e paleje në
territorin e saj?", thotë një nëpunës i bashkisë. Ndërkohë, Zenel
Kastrati, drejtues i zyrës së "ALUIZNI"-t në Kukës, thotë: "Ne bëmë çfarë
na obligonte ligji: të përgatisnim dosjet për legalizim. Tani u takon
pronarëve të hyjnë në rol, të paguajnë taksën". Më tej ai sqaron se me
plotësimin e dokumentacionit legalizues dhe me daljen e vendimit të
qeverisë, familjarët duhet të paguajnë tri taksa në favor të shtetit
(ALUIZNI-t në këtë rast), në mënyrë që të arrijnë të marrin certifikatën e
pronësisë. E para është taksa e dosjes, për grupin punues që është 4 mijë
lekë. E dyta është taksa e infrastrukturës, që mund shkojë deri në 30 apo
40 mijë lekë. Së fundmi është taksa e parcelës së ndërtimit, që për 500 m2
shkon në 400 mijë lekë. Pikërisht për këtë të fundit një pjesë e pronarëve
janë shprehur se nuk kanë mundësi ta paguajnë. Edhe në zyrën e
regjistrimit të pasurive të paluajtshme gjejmë pak a shumë këtë përgjigje
ligjore. "Nëse një pronar nuk sjell dokumentet që kërkohen, në këtë rast
edhe pagesën për truallin, nuk bëhet dot me certifikatë pronësie", sqaron
drejtori i zyrës së regjistrimit, Ali Tota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›