E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, aplikime vetëm në 2 bashki

Zvarritet procesi i aplikimit për pajisjen me kartat e identitetit. Nga 19
njësi që ka nënprefektura e Sarandës, vetëm në tre prej tyre punohet
normalisht. Në Bashkinë e Sarandës dhe atë të Delvinës puna ecën
normalisht, ndërkohë që në Bashkinë e Konispolit dhe nëpër komuna, veç
Livadhjajës, nuk është hapur asnjë zyrë. Autoritetet vendore ia delegojnë
fajin qeverisë për problemet e krijuara. "Nuk është vetëm përgjegjësia e
qeverisjes vendore, nëse procesi nuk është shtrirë në të gjitha 19 njësitë
vendore që numëron gjithsej nënprefektura e Sarandës. Përgjegjësia është
më e lartë", thotë Viktori Peçi, sekretare e nënprefekturës së Sarandës.
Ndërkohë, Rajmonda Zholi, drejtoreshë e gjendjes civile në Bashkinë e
Sarandës, thotë se qysh nga data 20 shkurt, kohë kur kanë nisur aplikimet,
janë paraqitur vetëm 2450 banorë të kësaj zone. E njëjta situatë paraqitet
edhe në Bashkinë e Delvinës. Numri i personave që arrijnë të mbarojnë punë
nuk i kalon 40. Ndërsa në bashkinë e tretë të kësaj nënprefekture, në atë
të Konispolit, procesi është paralizuar plotësisht. "Nuk kanë ardhur ende
pajisjet dhe operatorët që të kemi mundësi të hapim zyrat. Jemi ende në
pritje", shprehet kryetari i kësaj bashkie, Petrit Mullaj. Ndërsa ndër 16
komunat e nënprefekturave Sarandë e Delvinë së bashku, Livadhjaja është e
vetmja që ka bërë të mundur hapjen e njësisë së aplikimeve qysh në ditët e
para të muajit mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›