E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët: PD e PR na kanë mashtruar

Afrimi i datës së zgjedhjeve të përgjithshme ka kristalizuar edhe qëndrimin e shoqatave të pronarëve se çfarë duhet të bëjnë këtë herë me votën e tyre. Shoqata e pronarëve "Pronësi me Drejtësi" dhe shoqata "Bregdeti" deklaruan se në zgjedhjet e 28 qershorit, vota e tyre nuk do të jetë më për mazhorancën, pasi janë të mashtruar nga qëndrimet e PD-së dhe të PR-së gjatë gjithë këtyre viteve. Premtimi i tyre se do të çojnë pronën tek i zoti nuk është mbajtur, theksojnë drejtuesit e këtyre shoqatave, duke saktësuar se prej 18 vjetësh, pronarët e "Bregdetit" nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë tokë nga pronat e tyre dhe asnjë rrënjë ulliri të trashëguar nga të parët.

"Pronësi me Drejtësi"

Sipas shoqatës "Pronësi me Drejtësi", politikanët që kanë drejtuar dhe penguar zgjidhjen e problemit të pronës janë një fatkeqësi, vuajtje dhe mashtrim 18-vjeçar për qytetarët. Kjo, theksojnë ata, që po ndodh me anarkinë e titujve të pronësisë në Shqipëri, në vend që të fillojë të korrigjohet, po thellohet edhe më shumë. Për t‘ua bërë qeveritarëve edhe një herë të ditur qëndrimin e tyre, shoqata e pronarëve i ka kujtuar asaj tetë kërkesat kryesore të saj. Së pari, ata i kujtojnë qeverisë se nuk janë ish-pronarë, por pronarë, sipas tyre vetëm politikanët që kanë gëlltitur çorbën e Katovicës, ata që kanë grabitur pronat tona në këto 18 vjet, vazhdojnë të mashtrojnë majtas dhe djathtas dhe t‘i emërtojnë ish-pronarë. Së dyti, ata theksojnë se nuk kanë kërkuar lëmoshë nga këta politikanë kameleonë, por kanë kërkuar që prona të kthehet tek i zoti, duke respektuar titujt e pronësisë. Së treti, Ligji 7501 është zbatuar në më pak se 25 për qind. Së katërti, anarkinë e titujve të pronësisë me bosht mbi Ligjin 7501 e mbrojnë politikanët që punojnë kundër interesave shqiptare. Së pesti, deklarimet për kompensim janë antikushtetuese dhe financiarisht të parealizueshme. Së gjashti, shteti shqiptar nuk e respekton të drejtën e pronës, por zbaton standarde të dyfishta që bien ndesh me detyrimet kushtetuese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Së shtati, pronarët e kanë humbur besimin te PD dhe PR, së teti, politika po luan një politikë antipronar. Shoqata "Pronësi me Drejtësi" i ka bërë thirrje elektoratit që në zgjedhjet e qershorit të mos japë asnjë votë për ato parti, objektivi i kryesive të tyre prej vitit 1991 ka qenë dhe është të pasurohen për vete dhe familjet e tyre. Kjo shoqatë ka kërkuar që PR-ja dhe partitë e tjera të mos prononcohen për problemin e pronave, pasi nuk janë zëri i shoqatave të pronarëve.

"Bregdeti"

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe shoqata "Bregdeti", e cila ka deklaruar se ajo vazhdimisht e ka kritikuar dhe është shprehur kundër qëndrimit të PR-së dhe deputetëve të saj në Kuvend. Sipas kësaj shoqate, zgjidhja e çështjes së pronës është fare e thjeshtë, nëse në regjistrat e ZRPP do të shtohet edhe një kolonë ku shteti të pasqyrojë origjinën e pronës para vitit 1945, një kolonë tjetër të periudhës së diktaturës, ku të shënohet "pronë shtetërore" dhe në kolonën e regjistrimit të ri të pas vitit 1991 mënyrën dhe ligjin e zbatuar për përfitimin dhe transkriptimin e pronës te pronari aktual. Kështu, theksojnë ata, gjërat nuk fillojnë nga e para, por korrigjohen paudhësitë e kurdisura nga hajdutët e infiltruar në politikë dhe në pushtet në këto 18 vjet. Analiza e fakteve do të tregojë se prej të dyja krahëve është organizuar një vjedhje masive dhe prandaj të dyja palët e ruanin me fanatizëm njëra-tjetrën. Deri tani, kjo politikë ka ecur duke e mashtruar popullin dhe institucionet ndërkombëtare. Shoqata "Bregdeti" i kujton Kryeministrit se ajo nuk ka kërkuar kompensim, por ka kërkuar dhe insiston për kthim fizik në kufijtë e para grabitjes komuniste, ashtu siç është bërë në shumicën e territorit shqiptar, pa folur për Çekinë dhe vendet e tjera ish-komuniste që shpëtuan ose u prekën lehtë nga mafia postkomuniste. Për pronarët, zgjidhja e problemit të pronës nëse do të ketë vullnet politik është e lehtë, po të merret në konsideratë rezoluta e "Kuvendit të 8 Mbarëbregdetar për Pronën" e mbajtur më 10 gusht 2008 që ata i kanë dërguar. Po ashtu, po të zbatohen edhe 12 kërkesat që ka paraqitur shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe që shoqata "Bregdeti" i mbështesin. Ata kanë përgatitur një projektligj për zgjidhjen përfundimtare, të drejtë dhe pa kosto të pronës në zonën turistike. Duke kritikuar heshtjen e qeverisë për gjithë kërkesat e tyre, shoqatat e pronarëve theksojnë se mazhoranca të mos kërkojë votat në 2009, nëse deri atëherë nuk zgjidh çështjen e pronës.

12 kërkesat e Pronarëve

1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e KE-së dhe detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë

2. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi

3. Qeveria, me instrumentet e saj, duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë

4. Ndër pronat që duhen kompensuar, qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit

5. Qeverisë t‘i përcaktohet një afat për kthimin fizik sipas dokumenteve të para vitit 1945. Kthimi t‘i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm

6. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë

7. Pronarëve të ligjshëm t‘u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga pushtetarët sipas interesave klanore

8. Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim dhe detyrim financiar, personave të tretë, që këto 18 vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.

9. Vetëm pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. (kërkesat e derikëtushme shërojnë korrupsionin e pushtetarëve që ju nuk doni ta trajtoni)

10. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe duhet të fillojnë të zbatohen fill pas përfundimit të kthimit

11. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52 për qind të pronës. Vetëm shteti i së drejtës me prokurorinë dhe gjykatat që presim të forcohen, duhet ta çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e politikanëve.

12. Kompensimi të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›