E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: I pakuptimtë rezultati paraprak i shpallur

15/05/2011  Rezultati zyrtar do publikohet pas shqyrtimit të të dhënave të KQV-ve

“Mund të ketë gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave paraprake”

Rezultati paraprak i shpallur nga mediat në përfundim të numërimit të votave në njësinë 5, në Tiranë, konsiderohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i pakuptimtë. Dhe kjo, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Arti Lushi, sepse kandidatët garues në garën e kryeqytetit u ndanë me një diferencë shumë të vogël votash midis tyre. Ky ishte reagimi i mbrëmjes së djeshme nga institucioni më i lartë zgjedhor në vend. Në deklaratën e saj, KQZ-ja hedh dritë dhe në mosfunksionimin e sektorit të IT-së në publikimin në kohë reale të të dhënave dhe shifrave. “Është e kuptueshme që mund të ketë gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave paraprake, sepse edhe praktika e tregoi këtë, ndonëse në shumë pak raste.” Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin mbi bazën e Kodit Zgjedhor që të shpallë rezultatin e zgjedhjeve, duke certifikuar dhe shpallur rezultatin për secilin kandidat për kryetar bashkie të Tiranës.

Pas publikimit të rezultatit paraprak nga mediat e shumta të vendit, të cilat krijuan dhe një kaos informativ, KQZ-ja, me anë të zëdhënësit të tij për mediat, Arti Lushi, reagoi dje në lidhje me mospublikimin e rezultatit final në tabelën e saj elektronike. “Në bazë të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja e shpall rezultatin vetëm pasi të ketë verifikuar tabelën e secilës KZAZ me tabelën e rezultatit të çdo KQV-je, dhe në rast se ka mosrakordime, KQZ-ja shpall rezultatin bazuar vetëm në rezultatin e tabelave të qendrave të votimit”, u shpreh dje Arti Lushi. Më tej, në deklaratën e tij, zëdhënësi i KQZ-së një rëndësi të veçantë i kushtoi garantimit të transparencës nga ana e KQZ në numërimin e çdo vote, ku secila ishte lehtësisht e monitorueshme nga të gjithë. “Me qëllim garantimin e një transparence maksimale dhe informimin e publikut hap pas hapi, KQZ-ja ngriti një sistem për raportimin e të dhënave në kohë reale nga çdo qendër votimi. Dhe kushdo arriti të përjetojë garën elektorale me të gjithë emocionin e saj në numërimin e çdo kutie votimi, gjatë transmetimit të rezultateve paraprake”, nënvizoi Lushi. Dhe për këtë arsye, vijoi më pas Lushi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke marrë në konsideratë interesin e madh të zgjedhësve dhe subjekteve zgjedhore, “do fillojë menjëherë verifikimin e tabelave të rezultateve të secilës qendër votimi, dhe do të shpallë menjëherë rezultatin zyrtar në bazë të Kodit Zgjedhor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›