E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i SHBA-ve: Shprehim urimet tona për popullin shqiptar

15/05/2011  Theksohet pritja e certifikimit të rezultatit

Vetëm pak minuta pasi të dyja kampet politike kishin dhënë deklaratat e tyre, erdhi edhe reagimi i ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili i shprehu urimet e tij të gjithë popullit shqiptar. Në deklaratën për shtyp ambasadori amerikan thotë “Urime për kapërcimin e vijës së finishit. Ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor. Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Edhe një herë, urimet tona për popullin shqiptar”. Kështu, Arvizu, duket se ndodhet në mes të një faze intensive pune reale post-zgjedhore në Shqipëri. Fillimi i kësaj pune ishte mesazhi paraprak ku kërkonte që vendi ynë të zhvillonte zgjedhje të lira e të ndershme. Kulmin ai e pati në datat 12 e 13 maj, kur u shfaq dy net rresht në derën e palestrës së shkollës “Vasil Shanto”, tek ambientet e numërimit të votave, ku me mëngët e përveshura inkurajonte vazhdimin e numërimit.

Rrugorët dhe patrullat

Mbi 1000 policë në gjendje

përforcimi për rend e qetësi

Teksa rrugët e Tiranës zienin nga zhurma e makinave dhe vërshimi i njerëzve në rrugë, përveçse e lidershipit politik, duket se e gjithë përgjegjësia për ta mbajtur situatën në kontroll, ishte e policisë së Tiranës. Nga burime jozyrtare pranë policisë kryeqytetase mësohet se thuajse të gjitha shërbimet dje ndodheshin në situatë gati të përforcuar, ç’ka do të thotë se zyrtarisht nuk ishte dhënë ndonjë urdhër për t’i kaluar shërbimet në përforcim, por kërkohej më tepër përqendrim. Kështu, të njëjtat burime thanë se dje në këtë situatë përforcimi ishin rreth 1000 forca policie. Sektori që kishte përgjegjësinë më të madhe në kontrollin e festës ishte Policia Rrugore, e cila u përpoq me aq sa mundej të ndalte disi shpejtësinë e makinave në rrugë dhe të normalizonte flukset e tyre. Një tjetër sektor në përforcim ishin edhe Patrullat e Përgjithshme, të cilat shtuan disi ritmet e patrullimeve. Policia e Rendit gjithashtu bënte pjesë në atë grup me shërbim të përforcuar. Gjithashtu, edhe sektorët e tjerë të policisë së Tiranës ishin në gatishmëri të plotë, për të garantuar qetësinë dhe rendin kushtetues në kryeqytet, ashtu sikurse edhe shërbimet e tjera. Që në fillim të procesit zgjedhor, pra që ditën e diel, ishin në shërbim të këtij procesi. Në asnjë rast, gjatë ditës së diel, nuk është shkaktuar ndonjë incident i rëndë, përveç disa sherreve të rastësishme, ku ndërhyrja e policisë së Tiranës ka qenë vendimtare. Edhe gjatë procesit të numërimit të votave, vetëm në një rast KZAZ-ja ka kërkuar që të ndërhyhej për të nxjerrë jashtë personat e paautorizuar. Gjithashtu, edhe misionet e huaja e kanë përshëndetur punën dhe rolin e policisë si të paanshëm, ligjor dhe të domosdoshëm, duke i shërbyer qytetarëve, me qëllim që ata të votojnë të lirë dhe vota e tyre të numërohet saktësisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›