KQZ: Ministria e Brendshme të na informojë për listën e votuesve pa karta identiteti
Çështja e kartave të identitetit sjell edhe shqetësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja kërkon nga Ministria e Brendshme që të informohet për listën e saktë të shtetasve, të cilët nuk janë pajisur ende me karta identiteti. KQZ-ja kërkon të njihet gjithashtu edhe me listën e personave që janë të pajisur me pasaportë dhe me karta identiteti. Kërkesa në KQZ është bërë nga anëtari i saj, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Artan Laze. Gjatë mbledhjes së djeshme, Laze kërkoi nga Ministria e Brendshme që t’i paraqesë këtij komisioni listën e plotë të qytetarëve të papajisur me karta identiteti. “Kërkoj që Ministria e Brendshme të paraqesë një dokumentacion të plotë për qytetarët pa karta identiteti, si dhe të atyre që janë të pajisur me mjete identifikimi”, - tha Laze. Sipas tij, informacioni që duhet të dërgojë Ministria e Brendshme duhet të jetë më i thjeshtë dhe më i plotë. Kërkesa e Lazes është mbështetur edhe nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili tha se KQZ-ja do të bëjë sërish një kërkesë në drejtim të Ministrisë së Brendshme për t’u njohur me listat e zgjedhësve pa pasaportë dhe pa kartë identiteti. “Patjetër që do t’i ribëjmë një shkresë tjetër Ministrisë së Brendshme që të sjellë listën”, - tha Ristani. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur sërish debate për shkak të mosrespektimit të kuotës 30% të grave komisionere. Në akuzë ka qenë sërish Partia Socialiste. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti, tha se PS-ja nuk ka plotësuar kuotën 30% të grave komisionere në të paktën 12 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve.
“PS-ja nuk ka plotësuar kuotën 30% të grave komisionere. Janë ende 12 KZAZ pa plotësuar kuotën”, - tha Kosovrati.
2 Qershor 2009