Identifikohen 4 mijë hektarë në bregdet, për kompensimin e parë të pronarëve

Zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu, deklaron se janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë
Ashtu siç edhe kishte premtuar Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave një grup ad hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë, që do të konkretizohet së shpejti në një paketë të re aktesh nënligjore. Këtë e ka konfirmuar ditën e djeshme edhe zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu, e cila në një deklaratë për shtyp bëri të ditur se “4 mijë hektarët e parë të identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe Ohrit, do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve”. Zëdhënësja Bregu bëri gjithashtu të ditur se “nga grupi ad hoc i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve përsos 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë”.
Duke marrë parasysh faktin se çështja e kthimit dhe e kompensimit të pronave është një proces i vështirë, por jo i pamundur për këtë qeverisje, Bregu deklaroi se “në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore, në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim”. Duke kujtuar faktin se qeveria prej kohësh ka nisur punën për kompensim e ish pronarëve, zëdhënësja Bregu deklaroi se “kompensimi fizik, kompensimi në cash i pronarëve, kreditimi së fundmi i 3000 familjeve që kanë zënë shtëpitë e pronarëve, bëjnë të mundur trajtimin si asnjëherë gjatë këtyre 18 viteve, të çështjes së pronësisë në Shqipëri”. Zëdhënësja e qeverisë njëherësh dhe Ministre e integrimit u shpreh se “zgjidhja e këtij problemi është jo vetëm një detyrim absolut për kompensimin e shtresës së ish pronarëve, jo vetëm një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian, por ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri”. Kompensimi i ish pronarëve përmbush në këtë mënyrë premtimin e mazhorancës për kthimin e pronës tek i zoti.
...