E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ: Nuk financohen partitë që nuk kanë mbi 40 kandidatë

01/03/2005  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos financojë në fushatën zgjedhore partitë politike, të cilat do të paraqesin më pak se 40 kandidatura për deputetë. Në këtë vendim, KQZ është bazuar në Kodin Zgjedhor, të miratuar vetëm pak kohë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. Zëdhënësi i KQZ-se, Erton Sinani, deklaroi në një prononcim se "çdo parti duhet të paraqesë një listë shumemërore me 40 emra të shoqëruar me një listë nënshkrimet, ku duhet të jenë firmat e 7 mijë personave, që e mbështesin këtë alternativë". Ky reagim vjen vetëm dy javë pasi KQZ deklaroi se nuk do të financojë partitë politike, të cilat nuk i kanë kthyer fondet e marra për zgjedhjet e shkuara. Sipas ligjit, partitë të cilat nuk kanë fituar mbi 2.5 për qind të votave në zgjedhje, duhet të kthejnë fondet që kanë marrë nga shteti. Por, duke parë se deri më tani asnjë parti nuk ka ndërmarrë këtë detyrim ligjor, KQZ është shprehur se është vendosur që këtyre partive të mos u jepen më fonde. Gjithashtu, dje zëdhënësi i KQZ-së tha se partitë politike duhet të parqesin brenda tri ditëve kandidatët, që kanë për anëtarët e Komisioneve Zgjedhore Zonale. Sipas Kodit Zgjedhor, brenda datës 3 mars KQZ duhet të miratojë aktet administrative për zgjedhjet parlamentare. Ndërsa duke parë se marrëveshja për ndarjen elektorale ka përfunduar, KQZ ka bërë thirrje që partitë politike të mos rrezikojnë procesin elektoral, duke mos paraqitur detyrimet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›