BB, studimi i bregdetit të bëhet sipas planit

01/03/2005 Studimi për Zhvillimin e Integruar të zonës bregdetare duhet të japë jo vetëm një zgjidhje urbanistike, por dhe t’i paraprijë problemit të pronës. Drejtori i BB-së në Shqipëri, Nadir Muhammed, gjatë një takimi pune me ministrin e Turizmit, Bashkim Fino, ka dorëzuar draftin e politikave të zhvillimit, i cili përmban të gjitha pikat nëpër të cilat do të kalojë projekti deri në miratimin e tij. ”Jemi të kënaqur me këtë projekt, sepse është më gjithëpërfshirës se i pari dhe përfshin zonën nga Orikumi deri në kufi me Greqinë”, thotë Ana Gjokutaj, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në BB. Ndryshe nga studimi i parë, i cili u kundërshtua nga BB-ja, ideja për të bërë një studim që merrte përsipër zgjidhjen e problemeve ambientale dhe ato kulturore është përkrahuar, duke bërë të mundur dhe çlirimin e një fondi prej 400 mijë dollarësh. Por ajo që theksohet ndërkaq nga BB-ja është se, ky është vetëm hapi i parë në vazhdën e gjatë të masave që duhet të ndërmerren për bregdetin. “Ky është vetëm studimi dhe ne presim që brenda tij të jetë i zgjidhur dhe problemi i tokave dhe i kthimit të pronave”, ka bërë të ditur Ana Gjokutaj. Ministri Fino ka siguruar përfaqësuesin e Bankës Botërore se, kjo letër politikash do të kalojë për shqyrtim edhe në grupin ndërministror të krijuar më urdhër të Kryeministrit, grup i kryesuar nga zv.ministri i Turizmit, Artan Lame, në të cilën do të diskutohen të gjithë elementët e projektit, elementë të trashëgimisë kulturore, të ruajtjes dhe të mbrojtjes së mjedisit, të infrastrukturës deri në përpilimin e një drafti përfundimtar, i cili do të kalojë më pas në Bankën Botërore për miratim. Ministri Fino i ka bërë me dije përfaqësuesit të Bankës Botërore, vendimin e KRRTRSH-së për ngrirjen e lejeve të ndërtimit në bregdet, ngrirje kjo, që do të jetë në funksion të procesit të studimit të bregdetit, i cili është marrë përsipër tashmë nga firma franko-kroate, PAP-SOREGRAH.