E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS: pro shitjes së gazetave mbi kosto

01/03/2005  Socialistët vendosin të mbështesin rregullimin e tregut dhe konkurrencës së ndershme në media

Nuk do të ketë çmime të reduktuara të energjisë për shtypin e shitur nën kosto

Partia Socialiste ka vendosur që të mbështesë amendamentet e paraqitura nga Erion Braçe dhe Nikollë Lesi, për ligjin e medias. Burimet kanë bërë të ditur se socialistët kanë vendosur që të votojnë pro kërkesës së vendosjes së një çmimi dysheme për gazetat, duke rregulluar kështu dhe tregun e tyre. Ky është veprimi i parë që sjell një rregull të qartë konkurrence në shitjen e gazetave, duke mos lejuar shitjen nën kosto, e cila shpesh lë vend për dyshime të përdorimit të medias për interesa të tjera. Sipas deputetëve Braçe dhe Lesi, një gazetë nuk mund të shitet nën koston e prodhimit, pasi lihet e nënkuptuar se shpenzimet mbulohen nga përfshirja e mediave në interesa të tjera nga ato të një shtypi të lirë. Megjithatë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, Braçe dhe Lesi theksojnë se nuk parashikohet ndalimi i shitjes nën kosto të gazetave, por ato media që nuk do të zbatojnë këtë ligj, nuk do të përfitojnë nga ndihma që jep shteti për gazetat. Kështu, gazetat e shitura nën kosto nuk do të përfitojnë nga reduktimi i çmimit të energjisë dhe nga reduktimi i çmimit të telefonisë. Një tjetër masë e parashikuar është dhe ndalimi i botimit të reklamave shtetërore në gazetat, të cilat botohen nën kosto. Duke kundërshtuar deputetët që janë kundër vendosjes së çmimeve standarde, Braçe dhe Lesi theksojnë se në Greqi gazetat nuk shiten nën 1 euro. Madje, botuesit janë të detyruar që ta vendosin këtë çmim në gazetë. Gjithashtu, një tjetër çështje, që Braçe ka kërkuar mbështetjen e Grupit parlamentar është dhe përjashtimi i pronarëve të mediave nga tenderat publikë. Sipas tyre, kjo masë do të shmangë përfshirjen e mediave në presione ndaj pushtetarëve.

Reagimi

Sipas deputetëve të Partisë Socialiste, projektligji për lirinë e mediave do të kalojë për votim vetëm në dy javëshin e ardhshëm të punimeve të parlamentit. Për këtë është theksuar se socialistët do të kërkojnë votimin e draftit në seancën e së enjtes tjetër. Ndërsa, nuk do të pranohet që të hiqet neni, i cili përcakton vendosjen e çmimeve dysheme në shitjen e gazetave. Duke bërë një llogaritje të kostos, të ndihmuar dhe nga ekspertët, Lesi dhe Braçe kanë theksuar se një gazetë me 24 faqe nuk ka mundësi të shitet me 20 lekë, pasi dhe kosto e saj është më e madhe. Ndaj, ata kanë kërkuar që minimalisht të ketë një çmim prej 30 lekësh. Ndërsa sa më shumë faqe që të ketë një gazetë, aq më i lartë do të jetë dhe çmimi.

Gazetat deri në

8 faqe 10 lekë

8-16 faqe 20 lekë

16-24 faqe 30 lekë

24-32 faqe 40 lekë

32-40 faqe 50 lekë

40-60 faqe 60 lekë

60-100 faqe 100 lekë

Mediat, që nuk publikojnë bilancet, gjobiten me 1 deri në 2 milionë lekë

Gazetat që shiten nën këto çmime nuk do të përfitojnë nga çmimet e reduktuara të energjisë dhe telefonisë

Gazetat e shitura nën kosto nuk do të kenë reklama shtetërore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›