E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvritet dëshmitarja e Jehovait

01/03/2005  Violeta Aga ngul thikën për të fituar "parajsën"

Një dëshmitare e Jehovait është vetëvrarë mesditën e së dielës në shtëpinë e saj, në Vaqarr. Violeta Aga u gjet nga familjarët mes një pellgu gjaku. 28-vjeçarja nguli thikën në bark, pasi pretendonte se pas vdekjes do të gjente parajsën. Ajo gjendet e shtruar rëndë në Spitalin Ushtarak, me shpresa të pakta për jetën.

Ngjarja

Familjarët e Violeta Agës janë tronditur së tepërmi, kur pas një britme të shurdhët, kanë gjetur në njërën nga dhomat e shtëpisë të bijën e vetëvrarë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se ata janë shprehur para oficerëve të policisë gjyqësore, se 28-vjeçarja kishte ngulur thikën e bukës në bark dhe vijonte ta shtrëngonte fort me dorë. Rreth saj ishte krijuar një pellg i madh gjaku. Pa humbur kohë, e lënduara ishte dërguar menjëherë nga të afërmit në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Bluzat e bardha e konsideruan atë si rast shumë të vështirë. Sakaq, në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor nga Komisariati nr.4. Të njëjtat burime shtojnë se, familjarët kanë pohuar se Violeta vuante prej disa kohësh nga depresioni nervor. Sipas tyre, vajza shfaqte probleme të mëdha dhe hera-herës bëhej agresive. Ditët e fundit, ajo lëvizte nëpër shtëpi me një revistë dhe broshura të organizatës fetare "Dëshmitarët e Jehovait". Të afërmit nuk i shqetësonte fakti që ajo shfletonte kësi literature, pasi nuk ua merrte mendja se ajo mund t’i bënte keq vetes, duke u joshur nga bota e përtejme. Por, kur pranë Violetës panë një revistë fetare, u kthjelluan mbi kaosin që po ngjiste ato ditë në mendjen e saj.

Motivet

Nuk ka qenë e vështirë për grupin hetimor të përcaktonin pistën e duhur për hetimin e ngjarjes. Të njëjtat burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se, Violeta Aga ka marrë shkas nga premtimet në librat fetarë, ku predikohet jeta e përtejme. "Ka të ngjarë që viktima të ketë dëgjuar në kronikat televizive rastet e shumta të vetëvrasjeve këto ditët e fundit. Gjithherë, këto akte makabre janë përligjur me anëtarësinë e të ndjerëve në organizatën joqeveritare "Dëshmitarët e Jehovait". Duke marrë parasysh dhe logjikën jo fort të qartë të 28-vjeçares, nuk është habi që ajo të ketë ndjekur shembullin e tyre vetëm për të fituar parajsën", saktësojnë burimet. E megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Violeta Aga të ketë vepruar instiktivisht, vetëm për të imituar viktimat e tjera. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar thika, ilaçet që përdorte viktima në raste krizash si dhe një revistë "Dëshmitarët e Jehovait". Materialet përkatëse të kësaj ngjarjeje u dërguan për hetime të mëtejshme në Prokurori. Sakaq, burime nga Spitali Ushtarak shprehen se, u plagosura është në gjendje kritike për jetën. Të pakta janë gjasat që t’i mbijetojë vdekjes, pasi plaga e marrë ka dëmtuar dhe organet e brendshme. Si të mos mjaftonte me kaq, Violeta Aga ka pësuar një humbje të madhe gjaku, që nga çasti i aktit fatal deri kur mbërriti në spital. Orët në vijim do të jenë vendimtare për fatin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›