E Hënë, 2 Nëntor 2026

Niveli më i ulët i kreditimit të ekonomisë në gjithë Rajonin

01/03/2005  54 milionë dollarë për rregullimin e shkollave në Tiranës

Rikonstruksioni i shkollave në kryeqytet dhe i Spitalit Universitar, është motivacioni i një kredie prej 54 milionë dollarësh, që Banka e Këshillit të Evropës do të japë për Shqipërinë. Ministri i Financave, Malaj, gjatë një takimi në zyrat e Bankës së Këshillit të Evropës në Paris, me zv.guvernatorin e saj, Krzysztof J.Ners, ra dakord për miratimin dhe financimin e projektit të rehabilitimit të shkollave të Tiranës, me një kosto të përgjithshme prej 33.5 milionë USD. Në këtë projekt, CEB do të financojë 70% të tij nëpërmjet një kredie koncensionale, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga pala shqiptare. Gjithashtu u ra dakord për financimin e projektit të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, i cili do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë, me një kosto prej 24 milionë USD. CEB ka rënë dakord që të financojë 14 milionë USD, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Qeveria shqiptare. Miratimi i financimeve për këto dy projekte të rëndësishme, do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Bordit të CEB-it, i cili do të mbahet brenda muajit mars 2005.

Kreditë, vetëm 15 për qind e depozitave

“Raiffeisen” e ka filluar vitin duke hedhur ofertën e vet në tregun bankar për të gjthë ata që janë të interesuar për kreditë. Rreth 100 milionë euro do të jetë kufiri i kreditit, që kjo bankë ka në dispozicion për 2005-ën. Kjo shifër u konsiderua si mjaft e kënaqshme nga drejtori i Kreditit në “Raiffeisen”, ka dashur të tregojë qartë në programin e 2005-ës se do të vazhdojë të jetë lider në tregun bankar, duke vendosur kufirin më të lartë të kreditimit të ekonomisë dhe individit. Kjo shifër përbënte vetëm 20 për qind të totalit të kredive në 2005-ën, ç’ka do të thotë se kufiri total i kreditit për këtë vit nuk do të kalojë shifrën e 500 milionë eurove. Por nga ana tjetër, OECD në Raportin e vet të fundit, bëri të ditur se në Shqipëri kreditimi vazhdon të mbetet në nivele mjaft të ulëta, duke bërë me faj normën e lartë të informalitetit. “Objektivi ynë në fushën e kredive është që të bëhemi banka me rritjen më të shpejtë në këtë sektor në të gjithë vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore”, tha Wright. Por, pikërisht duke u krahasuar me këto vende, Shqipëria mendohet se rreshtohet e fundit dhe arrin të kthejë në kredi vetëm 15 për qind të vlerave që depoziton. Bizneset e vogla e të mëdha mbahen në këmbë me paratë që mundën të sigurojnë nga aktiviteti ose huatë, por jo ato bankare. Bankat vazhdojnë të hezitojnë të kreditojnë ekonominë, duke patur parasysh nivelin e lartë të riskut. Nga ana tjetër, ekonomia rezulton të ketë nivelin më të ulët të kreditimit në Rajon. Sipas ministrit Angjeli, ky nivel në 2004-ën ka qenë rreth 15 për qind, në një kohë kur në vendet fqinje llogaritet në 35 për qind e lart. “Duke marrë parasysh faktin se raporti kredi-depozita nuk e kalon kufirin 15-16%, pra 15-16 lekë kredi për 100 lekë depozita, çka përbën një normë të ulët, veçanërisht në degën e bujqësisë, e cila jep gati 24% të PBB-së, krahasuar me vende të tjera të rajonit”, ka deklaruar Angjeli në fjalën e tij, në analizën vjetore të Ministrisë së Ekonomisë. Kontradikta mes rritjes së bizneseve të vogla e të mesme dhe nivelit të ulët të kreditimit, vjen si pasojë e problemeve që kalon ekonomia dhe reflektohet në treguesit e saj. Kështu niveli i evazionit fiskal dhe mungesa e transparencës së firmave private, e bën bankën mosbesuese. Por, nga ana tjetër, edhe kur bankat tregohen të gatshme të japin kredi, bizneset hezitojnë, pasi nuk mund të përballojnë interesat e larta me të cilat ofrohet shpeshherë një kredi. Të gjitha këto kanë bërë që, në sektorin e bujqësisë kreditimi të jetë pothuajse zero dhe fermerët të prezantohen me një nivel tejet të ulët në teknologjitë e prodhimit dhe në marketing. Të gjitha këto reflektojnë në normën e lartë të interesit që kanë kreditë për biznesin dhe individët. Sot asnjë biznesmen nuk mund të pretendojë kredi me interes më të ulët se 11 për qind, ndërkohë që në tregun ndërkombëtar normat e interesit variojnë 3-6 për qind.

Informaliteti

Pas një kërkese të Qeverisë drejtuar OECD, kjo e fundit bëri një sondazh të hollësishëm mbi përqindjen e informalitetit të ekonomisë shqiptare, duke nxjerrë në fund një përfundim të hidhur. “Më shumë se gjysma e firmave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, rezultojnë se janë informale”, ka deklaruar eksperti i OECD–së. Ekspertët kanë tejkaluar parashikimet e qeverisë në lidhje me informalitetin, duke e shtuar me të paktën 20 për qind masën e informalitetit në vend. Kështu, sipas OECD-së, niveli i informalitetit lëviz nga 30 deri në 60 për qind të PBB-së. Me këtë shifër, Shqipëria rreshtohet në top listën e vendeve me përqindjen më të lartë të informalitetit të ekonomisë në Evropën Juglindore. Masa e lartë e informalitetit është vetëm një nga statistikat shqetësuese. Ky raport konkludon me disa rekomandime, të cilat duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga ana e administratës shqiptare, për të përmirësuar marrëdhëniet me komunitetin e biznesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›