E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetim sekteve fetare për ndikim në vetvrasjet

01/03/2005  Revistat e “Jehovait” në shtëpinë e Violetës, ku premtohej parajsa pas vdekjes, dyshohen si shkaku kryesor i vetëflijimit

Prokuroria e Tiranës ka filluar për herë të parë hetimin lidhur me ndikimet që mund të kenë literaturat e sekteve të ndryshme fetare, në personalitetet e të vetëvrarëve. Kjo, pasi nga dëshmitë e lëna nga vetë të vetëvrarët dhe deklarimet e familjarëve të tyre, dyshohet se disa nga vetëvrasjet e ndodhura kohët e fundit, mund të jenë ndikuar nga literaturat e këtyre sekteve fetare, pasi kanë qenë frekuentues të tyre. Kështu, Prokuroria e Tiranës ka hedhur si pistë zyrtare për vetëvrasjen e 28-vjeçares, Violeta Aga, njohjen e saj me literaturat e sekteve fetare. Kjo pistë hetimi është zyrtarizuar pas sekuestrimit të disa revistave me literaturë të sektit fetar të “Jehovait” dhe atij të “Bahait”. Madje, Prokuroria ka gjetur edhe përkthime të pjesëve të veçanta të teksteve fetare, të kryera nga 28-vjeçareja Aga.

Dyshimi

Pas sekuestrimit të provave materiale të gjetura në banesën e Violeta Agas, hetuesit janë bindur se një nga shkaqet që mund ta kenë shtyrë atë në vetëvrasje, kanë qenë premtimet e parajsës pas vdekjes, në literaturat e sekteve fetare që ajo lexonte përditë. Gjithashtu, një fakt i tillë është konkluduar si i dyshuar, edhe pas marrjes në pyetje të familjarëve të saj. Mësohet që ata të jenë shprehur se, Violeta ishte e ndjeshme dhe pak depresive. Gjithashtu mësohet që ata të kenë pohuar para hetuesve se, ajo kohët e fundit kishte filluar të jepej shumë pas disa revistave me literaturë të sekteve fetare. Madje, ata kanë vënë në dispozicion të prokurorëve edhe pjesë të disa teksteve të përkthyera prej saj, pasi një pjesë e literaturave ishin në gjuhë të huaj. Burimet e Prokurorisë thanë dje se dyshohet që një nga shkaqet e mundshme që e ka çuar 28-vjeçaren në vetëvrasje, ka qenë leximi i këtyre teksteve. Kjo, pasi aty premtohej parajsa në jetën e pas vdekjes. Por hetuesit e Prokurorisë sqarojnë se këto tekste të përkthyera dhe gjithë literatura, do të studihen me kujdes. Kjo me qëllim arritjen e një rezultati përfundimtar për ndikimin e këtyre teksteve në ndërgjegjen dhe personalitetin e njerëzve, e veçanërisht të 28-vjeçares. Por, gjithçka do të ballafaqohet edhe me kushtet dhe ambientin ku ajo jetonte, pohojnë hetuesit.

Hetimi

Burimet pohojnë se nuk ka filluar hetimi mbi ndonjë sekt fetar, por se po hetohet mbi literaturën që ata përdorin. Po hetohet për ndikimet që mund të ketë literatura te personat që u predikohet dhe, nëse a është e dëmshme apo jo. Kjo, pasi dyshohet që në raste të veçanta ky predikim mund të pasohet me devijacion të sjelljeve të personave sensibël. Dëshmitë e lëna nga të vetëvrarët dhe ato të familjarëve të tyre, janë pistat mbi të cilat Prokuroria e Tiranës ka përqendruar hetimet. Burime nga organi i akuzës thonë se, nga fillimi i janarit të këtij viti e deri tani, janë regjistruar gjithsej 6 vetëvrasje, kryesisht të ndodhura në kushte të rënduara depresioni. Por në disa prej tyre, të vetëvrarët nuk kanë dhënë ndonjë preteks dhe nuk kanë lënë ndonjë shënim konkret për shkaqet që i çojnë aty. Ndërsa nga marrja në pyetje e familjarëve dhe miqve të tyre, është konkluduar se disa prej të vetëvrarëve kanë qenë frekuentues të sekteve fetare. Një pjesë e të vetëvrarëve kanë qenë vajza të mitura dhe ky fenomen është shtrirë në disa rrethe të vendit.

Vogëlushet "mëkatare"

-Esmeralda Cenaj çeli siparin e vetëvrasjeve për këtë vit. 11-vjeçarja nga Fieri u gjet e varur në mbajtësen e peshqirave në tualet, nga prindërit e saj. Shkaqet e aktit fatal u konsideruan të mistershme. Vogëlushja flitej se ndiqte leksionet e një sekti fetar "Dëshmitarët e Jehovait", ku predikohej për jetën e përjetshme, që do të ishte më i mirë se kjo tokësore. Por të afërmit dhe përfaqësuesit e organizatës e mohuan frekuentimin e leksioneve nga ana e Esmeraldës.

-Joana Rajdho nga Tirana humbi jetën pak ditë më pas në rrethana të përafërta. Nxënësja e klasës së pestë, rreth 11 vjeçe, u var me shall në dorezën e dritares së banjës në shtëpinë e saj. Edhe për të u përfol se shkonte në kishë dhe se besonte në ekzistencën e parajsës. Por, nëna e saj, Anila, e mohoi kategorikisht këtë, duke thënë se e bija kishte qenë vetëm një herë në kishën ortodokse, kur ishte vetëm 4 vjeçe, pasi ajo ishte e pagëzuar në Greqi.

-Eriola Elezi nga fshati Velçan i Pogradecit pësoi të njëjtin fat, në datën 20 shkurt. 13-vjeçarja u gjet e varur në kasollen e lopës në rrethana të paqarta. Vetëm pak ditë më pas, policia zbuloi se ajo frekuentonte shoqatën fetare "Kisha ungjillore metodike". Ajo çka predikohej nga librat teologjikë, predikonte amëshimin pas vdekjes së trupit. Elezi u kishte thënë shokëve të klasës një ditë përpara se të vriste veten, por ata kishin qeshur, duke e marrë pohimin si shaka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›