E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, ciftet nuk kurorëzojnë dot më lidhjen martesore jashtë zyrave të Gjendjes Civile



Emanuela Sako

Ndryshimet e fundit që ka pësuar ligji për Gjendjen Civile ndalon kryerjen e ceremonive martesore jashtë zyrave të institucionit. Duke u bazuar në rregullat e reja, dokumentacioni i nevojshëm që shpall zyrtarisht një çift në lidhje martesore nuk duhet të dalë më jashtë institucionit, por gjithçka duhet që të kryhet brenda zyrave të njësive vendore përkatëse. Gjatë viteve të fundit, tendencat e fundit për kryerjen e ritualit të martesës janë zhvendosur nga zyrat në lokale apo ambiente të përzgjedhura nga çifti. Për kurorëzimin e çiftit, brenda rregullave, punonjësit e gjendjeve civile ishin të lirë të shkonin në ambientet ku dëshironte çifti bashkë me dokumentacionin përkatës. Aktualisht, në bazë të ligjit të ri, kjo gjë është e palejueshme.
Rregulli
Punonjësit e gjendjes civile në Njësinë Bashkiake nr 9, u shprehen dje për gazetën “Albania”, se që pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për gjendjen civile, në gjysmën e dytë të muajit korrik, ata nuk lejohen më të kryejnë lidhje martesore jashtë zyrave të tyre. Ata bëjnë të ditur se tashmë ligji i ri është duke u zbatuar nga të gjitha zyrat e gjendjeve civile në vend. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i procedurave kur legalizohet martesa si në rastin kur çifti është shqiptar ashtu edhe në rastet kur një nga palët është me kombësi të huaj. Ndërkohë që ligji ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile të nxjerrë rregullat për veprimet, që do të kryejnë nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile, për dokumentacionin dhe procedurën që do të ndiqet.
Martesat
Ligji i ri synon të ruajë privatësinë e personave të tjerë dhe sigurimin e të dhënave për çdo person. Njëkohësisht, mosdalja e dokumentacionit jashtë zyrave nënkupton mbrojtjen e të dhënave personale dhe shmangien e ndonjë abuzimi të mundshëm nga punonjësit e gjendjes civile. Duket se hartuesit e ligjit kanë menduar se dalja e dokumentacionit jashtë zyrave mund të bëhet shkak për abuzime, shkatërrim apo humbje të dokumentacionit. Çka do të shkaktonte amulli në punën dhe ruajtjen e informacionit sipas rregullave pranë gjendjes civile. Ligji i ri për gjendjen civile, thekson se nëpunësi i gjendjes civile nuk mund të kryejë veprime të gjendjes civile aty ku është emëruar, kur këto i përkasin atij vetë, bashkëshortit e fëmijëve të tij, prindërve, gjyshit, gjyshes, vëllezërve, motrave, vjehrrit ose vjehrrës. Në këtë rast veprimet kryhen nga një nëpunës tjetër i shërbimit të gjendjes civile.

Mënyra e mbajtjes së aktit dhe dokumentacioni i kërkuar

Ligji i ri parashikon se si mund të mbahet akti martesore sipas rregullave. Kështu, akti i martesës nënshkruhet nga bashkëshortët, në prani të jo më pak se dy dëshmitarëve. Kur bashkëshortët nuk dinë ose nuk janë në gjendje fizike të nënshkruajnë, shkaku i mosnënshtrimit pasqyrohet në akt.
Martesa lidhet kur nëpunësi i gjendjes civile vërteton, pasi ka përfunduar procedura e shpalljes së martesës, sipas Kodit të Familjes, shkruan identitetin e secilit prej bashkëshortëve.
Martesa e shtetasit të huaj ose e personit pa shtetësi, që banon jashtë shtetit ose është banues i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, me shtetas shqiptar lidhet sipas dokumenteve të shtetit, shtetas i të cilit është ose ku ka banimin e përhershëm. Këto dokumente mund të jenë të lëshuar jo më parë se tre muaj nga data që kërkohet të lidhet martesa, përveç rasteve kur ka mënyra dhe një afat tjetër, të përcaktuar në marrëveshje shumëpalëshe ose dypalëshe. Për të huajt, të cilët kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë ose janë refugjatë, akti i martesës bazohet në dokumentet personale, të vërtetuara brenda 15 ditëve nga organi përkatës shqiptar ose drejtpërdrejt nga të dhënat e këtij organi. Shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, me qëndrim të përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, mund të lidhin martesë ndërmjet tyre në një zyrë të gjendjes civile, me dëshirën e vet. Gjithashtu, martesa mund të lidhet kur njëri ose të dy janë të burgosur në Republikën e Shqipërisë, kur në vendin e tyre nuk mund të lidhin martesë ose nuk mund të shkohet për shkaqe objektive. Zyrtarizimi i martesës vërtetohet me dokumentin që hartohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe që pasqyron vullnetin e personave, në prani të nëpunësit të gjendjes civile dhe të dy dëshmitarëve.

Përmbajtja e aktit të martesës

Në aktin e martesës pasqyrohen treguesit e mëposhtëm:
Zyra e gjendjes civile, ku kryhet akti i martesës
Numri dhe data e mbajtjes së aktit të martesës
numri dhe data e shpalljes së martesës
Numri dhe data e vendimit të gjykatës
Vendi i lidhjes së martesës dhe ora
Identiteti, numri i identitetit të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm
Vendbanimi /vendqëndrimi para martesës
Vendbanimi pas martesës
Mbiemri që do të mbajë pas lidhjes së martesës secili nga bashkëshortët
Njohja e atësisë ose amësisë së fëmijëve të bashkëshortëve, të lindur para martesës
Regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve
Numri identitetit, emri, mbiemri dhe vendbanimi i dëshmitarëve
Numri i identitetit, emri, mbiemri i përkthyesit
Emri, mbiemri dhe nënshkrimi i nëpunësit të gjendjes civile

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›