KQZ: Rivotime në Prizren e Lipjan, shtyhet vendimi për Gjilanin
Sërish zgjedhje
Qytetarët e Prizrenit dhe të Lipjanit duhet t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësin e komunës së tyre
Ishte ky vendimi i KQZ-së, pas udhëzimit të KZAP-it, për të urdhëruar rivotim në këto komuna dhe në Gjilan. Por, vendimi për rivotim eventual në Gjilan do të merret pas procedurave shtesë të kërkuara nga KQZ-ja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, ndërsa për komunën e Gjilanit, shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan që fillimisht të zhvillohen hetime nga përfaqësues të KQZ-së për shkeljet e supozuara elektorale, të rinumërohen votat me kusht dhe pastaj të merret vendimi pro apo kundër përsëritjes së zgjedhjeve lokale për këtë komunë. Vendimi i KQZ-së erdhi pas diskutimeve intensive dhe pas marrjes së një interpretimi më të hollësishëm nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me vendimin e 19 dhjetorit të këtij organi. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se nesër do të merret vesh data për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komunash në Prizren e Lipjan. “Neve na nevojitet një plan konkret tani nga sekretariati, se për sa kohë do të mund t’i përgatisë sekretariati të gjitha punët, siç janë riemërimi i këshillave të vendvotimeve, rishtypja e fletëve të votimeve, trajnimet për këshillat e reja të vendvotimeve, votimi me postë e kështu me radhë”, tha Lushta. Të shtunën Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte udhëzuar KQZ-në që të urdhëronte rivotimin në tri komunat, për të cilat, pas shqyrtimit të 43 ankesave nga KZAP-i, thuhej se ishin evidentuar shkelje dhe parregullsi të shumta në vendvotime dhe qendrat e votimeve në këto komuna e që, siç thuhet, nuk do të mund të rregulloheshin me anulim të këtyre vendvotimeve. Sidoqoftë, anëtarët e KQZ-së, pavarësisht disa mospajtimeve mes një pjese të anëtarëve të këtij institucioni, arritën në përfundim që të mos vendoset për rivotim për të tri komunat në pako, por që vendimi për këtë proces të bëhet për komunat veç e veç. Kritikat e një pjese të anëtarëve për mungesë të demokracisë në vendimmarrjen për këtë çështje u hodhën poshtë nga Lushta. “Ne besojmë që jemi duke vepruar në mënyrë demokratike, në mënyrë profesionale, ashtu siç e kërkon ligji”, theksoi Lushta. Ndërkohë, në lidhje me shkeljet e shumta elektorale dhe të ashtuquajturat mashtrimet e bëra gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të 13 dhjetorit, kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, në një konferencë të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, tha se përgjegjës kanë qenë edhe komisionerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Për përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan, KZAP-i, përmes vendimit të fundit, i rekomandon KQZ-së të bëjë ndërrimin e komisionerëve të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, të shtojë praninë e pjesëtarëve të policisë në të gjitha qendrat e votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit.
Serbia dorëzon aplikimin në BE
Presidenti serb, Boris Tadiç, dorëzoi dje aplikimin e vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Europian te presidenca suedeze e unionit. Pavarësisht nga përmirësimi i fundit i marrëdhënieve mes Beogradit e BE-së, analistët thonë se ka ende pengesa në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Bashkimi Europian këmbëngul se Serbia, para se të nisë negociatat, duhet të arrestojë të kërkuarit e fundit për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Mes tyre është ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili mendohet se fshihet në Serbi. Korrespondenti i BBC-së në Beograd, Mark Lowen, thotë se për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian do të duhen së paku katër vjet. Por nga ana tjetër ,Serbia mendon se ka arritur në një moment të përshtatshëm në rrugën drejt BE-së. Tani ka hyrë në fuqi një marrëveshje e rëndësishme tregtare me BE-në dhe serbëve së fundmi iu ofrua mundësia e udhëtimit pa viza në shumicën e vendeve të BE-së. Por qeveria holandeze thotë se Serbia nuk mund të bëjë hapa të tjerë përpara drejt negociatave të anëtarësimit, deri në kapjen e dy të arratisurve që janë paditur nga Haga për krime lufte. Beogradi nga ana e tij i ka varur shpresat te raporti i radhës i kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës, i cili pritet në muajin qershor. Nëse vlerësimi i tij për punën e autoriteteve të Beogradit në kërkim të tyre do të jetë pozitiv, qeveria holandeze mund të bindet ta zbusë qëndrimin dhe të lejojë nisjen e fazës tjetër të procesit të aplikimit.
Vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e personave të zhdukur
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë pohojnë se janë duke punuar vazhdimisht për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tyre, gjatë tremujorit të fundit, familjarëve u janë dorëzuar 33 trupa. Ndërkaq, përfaqësuesit e EULEX-it thonë se çështja e personave të pagjetur mbetet problem i institucioneve të Kosovës. Gjatë vitit 2009 janë bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, thonë përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë. Por, sipas tyre, kjo është një çështje e ndërlikuar dhe që kërkon kohë për t’u zgjidhur. Ministrja Nekibe Kelmendi konsideron se, megjithatë, muajve të fundit është shënuar progres në identifikimin e disa mbetjeve mortore. “Në këtë periudhë janë marrë 375 mostra të reja. Ato i janë dërguar ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzllë dhe atë vetëm për Bajina-Bashta dhe Batajnicë, për të cilat vende dyshohet se janë gjetur trupat që presin për t’u identifikuar në Zyrën për Persona të Pagjetur. Gjithashtu janë kryer edhe 26 zhvarrosje, ku janë gjetur edhe 33 trupa të rinj”, - thotë Kelmendi. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, nga 160 mostra të eshtrave, të marra për analizën e ADN-së, 34 prej tyre kanë dalë pozitive. Ndërkaq, nuk dihet ende fati i 1,890 kosovarëve që nga lufta e fundit në Kosovë. Drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se në veçanti, gjatë periudhës kohore dhjetor 2008-2009 është punuar me intensitet të lartë, për të ndriçuar fatin e personave të pagjetur. “Janë bërë gjithsej 135 operacione fushore dhe zhvarrimet kanë qenë 78 për këtë vit. Numri i mostrave të marra është 621. Ndërsa numri i trupave të pajetë të dorëzuar është 80”, shpjegon Gërxhaliu. Në morgun e Zyrës së Personave të Zhdukur thuhet të jenë identifikuar 154 individë, por, sipas Gërxhaliut, familjarët nuk janë të interesuar për tërheqjen e tyre. “Por, në këtë grupim kemi edhe familjarë, të cilët nuk dëshirojnë t’i marrin. Kjo është për faktin se familjarët janë në negociata e sipër me të ashtuquajturit “sekserë”, që i shfrytëzojnë tragjeditë e familjarëve dhe ende mendojnë se i kanë të gjallë jashtë Kosovës”, thotë Gërxhaliu. Ndërkohë, familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të apelojnë tek institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, për t’i bërë trysni Beogradit që të japë informacione për ndriçimin e fatit të të zhdukurve. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e EULEX-it thonë se çështja e personave të pagjetur është problem që u takon institucioneve të Kosovës. “Ky është një proces që u takon institucioneve të Kosovës dhe ne i japim mbështetjen tonë”, thotë Alan Robinson, nga Zyra për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore.