E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi depërtuar deri te zyra e Koshtunicës dhe Tadiçit

Rrëfehet Kadri Veseli

 
Ish-shefi i SHIK-ut ka treguar për aktivitetin e institucionit që drejtonte para dhe pas luftës, për të cilin ishte plotësisht në dijeni prania ndërkombëtare në Kosovë
 
Njeriu më i përfolur në Kosovë përgjatë dekadës së fundit ka larguar perden që e ndante nga opinioni publik. Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, është rrëfyer në televizionin “Klan Kosova”, ku ka folur për jetën e tij, veprimtarinë e SHIK-ut, si dhe për të ardhmen që e pret në politikë. Pasditen e së dielës, Kadri Veseli është ulur përballë gazetarit Baton Haxhiu, në emisionit “Zona e debatit”, ku ka pranuar të rrëfehet. Në intervistën që ka zgjatur dy orë, ai ka pranuar të përgjigjet për jetën e tij, veprimtarinë e tij në krye të SHIK-ut, si dhe për të ardhmen e tij publike. Fillimisht ai ka dhënë arsyet pse ka qëndruar larg kamerave televizive. “Jam mundur të jem i kujdesshëm. Duhet thënë se puna e shërbimeve inteligjente nuk është aq transparente”, ka thënë ai. Veseli më pas ka folur gjatë për themelimin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, përgatitjet për luftë të armatosur dhe kontaktet me përfaqësuesit e lëvizjes paqësore, në krye të së cilës ishte presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova. “Trajnimet e para profesionale i kemi filluar në gusht të vitit 1998. Aty janë stërvitur 20 të rinj, në një vend që nuk mund t’ia përmend emrin”, ka thënë ai, duke folur për trajnimet e para të oficerëve të SHIK-ut. Sipas tij, SHIK-u ka vepruar që në themelimin e UçK-së, por ky shërbim është institucionalizuar gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në krye të së cilës ishte Hashim Thaçi. Pas konstituimit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, SHIK-u vazhdoi veprimtarinë e tij, por jo në kuadër të institucioneve. Gjatë kësaj kohe e deri në shuarjen e tij në qershor të vitit 2008, Kadri Veselit thotë se SHIK-u ka vepruar plotësisht në dijeni të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore. “Madje, ne zgjodhëm qëllimisht që zyrat tona të ndodhën në qendër të Prishtinës, përballë hotel “Grand”, ka thënë Veseli. Duke dashur të argumentojë se veprimtaria e SHIK-ut ka qenë në dijeni të plotë të pranisë ndërkombëtare, Veseli ka thënë se kurrë nuk i ka shkuar ndërmend që ta sfidojë KFOR-in dhe UNMIK-un. “Jo. Ne kemi funksionuar me lejen e organeve përkatëse”, ka thënë ai. Një prej deklaratave më të forta të ish-shefit të SHIK-ut ishte ajo rreth veprimtarisë së këtij shërbimi në vendet e rajonit. “Ne si shërbim kemi depërtuar edhe në kabinetin e ish-kryeministrit serb Vojsllav Koshtunica dhe në kabinetin e presidentit aktual serb, Boris Tadiç. Ne kemi marrë dokumente me thasë nga Beogradi. Nëse duan ata, këto mund edhe t’ua dëshmoj”. Një prej pyetjeve të pashmangshme ka qenë edhe akuzat se SHIK-u është i implikuar në vrasjet politike që janë bërë pasluftës. Veseli i mohoi plotësisht këto akuza, dhe madje kërkoi hetim të hollësishëm nga organet e drejtësisë. “Puna më e mençur që mund të bëhet për vrasjet politike është zbardhja e tyre”, tha ai. Sipas tij, organet kompetente tashmë e kanë të qartë se ku duhet kërkuar autorët e këtyre vrasjeve. Veseli ka mohuar kategorikisht se Nazim Bllaca, njeriu që pretendon se ka marrë pjesë në disa vrasje, të ketë qenë pjesëtar i SHIK-ut. “Ky është një rast shumë i rëndë. Institucionet përgjegjëse duhet gjithsesi që ta sqarojnë në tërësi çështjen “Bllaca”. Veseli foli edhe rreth të ardhmes së tij publike, ku për herë të parë pranoi se po mendon të hyjë në politikë. Kadri Veseli është një prej figurave më enigmatike në Kosovë. Për shkak të veprimtarisë së tij, ai i ka qëndruar larg kamerave dhe gazetarëve. Por në opinionin publik emri i tij është lakuar shpesh. Njerëz të kampit opozitar kanë hedhur shumë akuza në drejtim të SHIK-ut, duke e quajtur atë organizatë kriminale dhe në shërbim të një partie politike. Ndërsa zyrtarët e PDK-së gjithmonë kanë tentuar ta mbrojnë këtë shërbim, i cili, sipas tyre, ka kontribuar shumë për të mirën e Kosovës.
 
 
KQZ: Rivotimet në Prizren e Lipjan më 31 janar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që rivotimet për kryetar komune në Prizren dhe Lipjan të mbahen më 31 janar të vitit të ardhshëm. Sipas sekretariatit të KQZ-së, “kjo datë është koha optimale për përsëritjen e raundit të dytë të votimeve në këto dy komuna”. Kështu është vendosur në takimin e sotëm të KQZ-së, në të cilin po ashtu u vendos që sekretariati i KQZ-së sot të dalë me një plan operativ më të detajizuar rreth rinumërimit të votave në komunën e Gjilanit. Ishte kërkesë e anëtarëve të KQZ-së drejtuar këtij sekretariati, që plani të jetë konkret dhe të përfshijë edhe kohën e saktë se kur do të mund të nisë rinumërimi. Anëtarët e IFES thanë se para Vitit të Ri në dispozicion i kanë vetëm 4-5 anëtarë të stafit lokal, të cilët do të mund ta ndihmonin këtë proces, kështu që, sipas të gjitha gjasave, rinumërimi për Gjilanin do të ndodhë pas festës së Vitit të Ri. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate për opinion, pati shprehur besimin se “pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan”. “Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tria komunat, sipas vendimit të KZAP-it, të datës 19 dhjetor”, thuhej në këtë komunikatë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht pati dalë me rekomandimin që për komunën e Gjilanit të zhvillohen hetime dhe të bëhet rinumërimi i votave, e pastaj, eventualisht, të vendoset për rivotim.
 
 
 
 
Intervistë
 
Tirana e magjepsi Bojan Stankoviçin
 
Shqiptarët, një popull që jeton i ndarë në dy vende
 
“Me këtë vizitë treguam se dora jonë është e shtrirë, që të gjithë që së bashku të ndërtojmë edhe të sotmen, edhe të nesërmen”
 
“Siç ka Tirana ndikim te shqiptarët, Beogradi ka ndikim te serbët. Jam i lumtur që komuna ime do t’i marrë 400 mijë euro ndihmë nga Tirana”. Kështu është shprehur kryetari i komunës së Graçanicës, në një intervistë dhënë për të përditshmen kosovare “Express”, në të cilën ka folur për udhëtimin e tij në kryeqytetin e Shqipërisë. Bojan Stankoviç shprehet se do të bëjë gjithçka për të shndërruar komunën që drejton në një nga qytezat më të zhvilluara të Ballkanit. 
 
-Keni qenë për herë të parë në një vizitë në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Bojan Stankoviç: Kanë qenë shumë zyrtare takimet dhe mjaft impresiounuese dhe sa i përket vetë Shqipërisë dhe Tiranës, kam përshtypje të mira, kam pasur mjaft kohë që ta njoh qytetin dhe popullin që jeton atje.
-A e kishit menduar se do të shkonit në Tiranë?
Ata njerëz që mendojnë se Shqipëria nuk ka asnjë rol në këtë vend, nuk janë seriozë. Nuk e kemi zgjedhur rastësisht Shqipërinë. Shqipëria ka mjaft ndikim te shqiptarët e Kosovës, sepse bëhet fjalë për një popull, i cili jeton i ndarë në dy vende. Mirëpo, kjo ka ndodhur me shekuj me parë, sepse ka edhe popuj të tjerë në Ballkan, të cilët jetojnë të ndarë nëpër rajone.
-Si parti, pjesë e koalicionit qeverisës, a mendoni se mund të luani një rol si urë ndërmjet dy popujve?
Ne duhet të shikojmë ardhmërinë dhe të vazhdojmë përpara. Kjo përfaqëson ardhmërinë e tërë rajonit. Nuk është arsyeja të ndalemi vetëm te konfliktet, por edhe të ndërtohet prosperiteti për të gjithë. Me këtë vizitë kemi dashur të tregojmë se dora jonë është e shtrirë për të gjithë, që së bashku të ndërtojmë edhe të sotmen, edhe të nesërmen.
-Si janë marrëdhëniet Beograd-Tiranë?
Ashtu siç ka Tirana ndikimin më të madh ndaj shqiptarëve të Kosovës, ashtu ka ndikim edhe Beogradi te serbët e Kosovës. Thjesht, njerëzit duhet të kuptojnë se është gjë serioze kjo. Shpresojmë se kjo vizitë do të ketë rezultat dhe shpresojmë dhe do të jemi shumë të lumtur që të ketë vizitë në mes të presidentit Tadiç dhe Topi. Po ashtu, është mirë që eventualisht presidentët e dy vendeve të vizitojnë Graçanicën për të mundur edhe aty të flasim rreth problemeve të serbëve të Kosovës. Për këtë kemi folur edhe në Tiranë, që të inkurajojnë Qeverinë e Prishtinës që të bëjë dialog me serbët e këtij vendi.
-A keni marrë përgjigje konkrete nga Beogradi për këtë vizitë?
Absolutisht po. Ata janë të gatshëm që të ndihmojnë në çdo kuptim. Në bisedime, bashkëpunim dhe madje edhe ndihmë financiare që të jetë e drejtuar ndaj serbëve të Graçanicës.
-A ishte befasi dhënia e 400 mijë eurove për Graçanicën?
Normalisht që kemi qenë të lumtur. Kjo është premtuar gjatë vizitës së Berishës në Prishtinë dhe ne i kemi pritur këto mjete. Kjo mund të shihet nga aspektet e ndryshme. Kjo është një gjë që prezanton një mesazh inkurajues që ekziston një vullnet i mirë. Buxheti si në Kosovë, ashtu edhe në vendet e tjera në rajon është mbyllur në muajin nëntor apo dhjetor, dhe kështu që Qeveria e Tiranës ka pasur kohë që të ndihmojë serbët e Kosovës në Graçanicë. Kjo shumë do të ndahet në mënyrë publike dhe transparente dhe shpresoj se do të na ndihmojnë edhe të tjerët, sepse në komunën e Graçanicës na pret një punë e madhe dhe një ndërtim i madh në çdo kuptim.
-A ka pasur ndonjë reagim zyrtar përpos mediave, a mendon se edhe Beogradi duhet të ndihmojë?
Presim që edhe Beogradi së shpejti të bëjë hapat e duhur që t’i ndihmojë serbët e Kosovës për një jetë më të mirë. Ne jemi të përgatitur për një lloj të tillë të bisedimeve, që ka të bëjë me çështje teknike, siç është ndërtimi i shkollave, terreneve sportive, ndërtimin e objekteve kulturore. Mund të ndihmojnë tani kur politika më lehtë e bën punën e vet. Shpresoj se edhe nga kjo anë të vijnë ndihma nga ana e mjeteve financiare, kështu që po presim se kush do të tregojë vullnet të mirë.
A ka pasur reagim nga Beogradi për vizitën tuaj?
Edhe kryeministri i Beogradit më ka thënë se “çka do që bëni, është rëndësi që ju të dini se ajo që po bëni është e duhur”. Besoj se është një potez i mirë dhe nuk është në pyetje çështja e ndjenjave, me rëndësi është të ketë rezultate pozitive. Normalisht nuk ka ndonjë reagim negativ, të paktën jo nga ata njerëz që merren seriozisht me politikë.
-Jeni kryetar i Graçanicës, si do të funksionojë komuna dhe cilat janë prioritetet e saj?
Normalisht që kjo është shumë vështirë që ta themi shkurtimisht. Për momentin duhet të vendosim administratën komunale dhe të ndajmë administratën nga komuna e Prishtinës, Graçaniçës dhe Fushë-Kosovës. Ligji është i precizuar. Populli është optimist dhe kanë shpresë në bashkësinë ndërkombëtare. Tash na presin mjaft punë në ndërtimin e strategjisë financiare, demarkacioni i kufijve të komunës, plani urbanistik dhe thjesht duhet të fusim në funksion tërë kapacitetin që kemi për të punuar në të gjitha sferat. Ajo çka e pret komunën e Graçanicës, është që do të jetë një komunë që do të funksionojë bazuar te ligjet, të cilët janë në fuqi. Jemi të hapur për të gjithçka. Në këtë komunë serbët janë shumicë dhe nuk do të ketë absolutisht kurrfarë diskriminimi dhe të kundërtën. Kabineti im dhe komuna ime do të jenë të hapur për të gjithë. Shqiptarët e Kosovës i kemi thirrur të marrin pjesë në planet tona komunale. Mendoj që komuna e Graçanicës ka shanse të mëdha për përmirësim dhe shpresoj se do të shfrytëzohen në mënyrë të duhur. Pa shumë politikë, do të jemi në terren me njerëzit dhe do t’i identifikojmë të gjitha problemet. Jam shumë i lumtur me atë se çka kemi bërë deri më tani. Unë jam mjaft ambicioz që për katër vitet e ardhshme do të përparojë komuna dhe në vitin 2011 i kam dhënë detyrë vetes që kjo komunë të jetë më e mira në Ballkan. Ky shans ekziston, sepse bashkëpunimi është me të gjithë. Mendoj se me punën tonë do të jemi një shembull i mirë për të tjerët.
-çfarë do të bëni me koalicionet?
Sa i përket punës së koalicioneve, jemi të hapur për bisedë, absolutisht me të gjithë. Sa na përket neve, mund të ketë koalicion me të gjitha partitë, të cilat dëshirojnë koalicion.
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›