E Shtunë, 31 Tetor 2026

T'i lëmë institucionet të bëjnë punën e tyre

Sejdiu dhe Dell qetësojnë gjakrat
 

 
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i dhanë mbështetje KQZ-së në procedimin e mëtejshëm të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve
 
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u kanë bërë thirrje subjekteve politike dhe votuesve kosovarë që të kenë besim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tjera të pavarura, në lidhje me shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve për kryetarët dhe asambletë komunale. Sejdiu dhe Dell vizituan dje Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, ku nga afër kanë parë procesin e verifikimit të votave dhe numërimit të tyre. Me këtë rast, presidenti Sejdiu nuk ka dashur t’i komentojë qëndrimet e partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në shumë komuna po i konteston rezultatet e prezantuara nga KQZ-ja, duke rikujtuar se ai është president i Kosovës dhe e mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së. Sejdiu ka thënë se subjektet politike duhet t’i besojnë KQZ-së dhe institucioneve të tjera, duke kërkuar që të gjithë dyshimet për parregullsi të sqarohen deri në fund. “Ne duhet të besojmë te këta njerëz, le të flasin vetë. Unë mendoj se këta duhet ta bëjnë punën e vet, ashtu si e kanë mandatin. Unë kam funksion të pezulluar dhe jam në funksionin e plotë të presidentit të vendit, ashtu siç e do Kushtetuta e vendit”, - tha Sejdiu. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, hodhi poshtë lajmet në media mbi parregullsitë e shumta gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë. Sipas tij, anulimi i votave në nëntë qendra votimi përbëjnë një përqindje tepër të vogël për të argumentuar se procesi zgjedhor ka dështuar. “Po flasim për probleme në nëntë qendra votimi, nga mbi 2.400 të tilla. Bëhet fjalë për më pak se 1 për qind e vendvotimeve. Nuk mund të thuash se ka pasur mashtrim masiv, ose se kjo e zhvleftëson procesin është thjesht një hiperbolizim”, ka vlerësuar Dell. Sejdiu dhe Dell janë njoftuar nga kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, lidhur me vendimin për anulimin e nëntë vendvotimeve, për shkak të parregullsive. “Ne kemi bërë anulimin, mirëpo kemi vepruar sipas rekomandimit të QNR-së (Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve), sepse ne kemi rekomandim që në nëntë vendvotime, kutitë e votimit kanë pasur aq parregullsi në momentin e pranimit, sa që nuk ka pasur asnjë gjasë të shkohet më tutje”, ka shpjeguar Lushta. Kryetarja e KQZ-së, sikurse edhe zyrtarët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve kanë thënë se numërimi i votave me kusht do të fillojë menjëherë për 11 komuna, ku procesi është zhvilluar pa asnjë problem. Kurse numërimi i votave me kusht për 10 komunat ku janë shënuar parregullsi, apo ka ankesa nga partitë politike, është thënë se duhet të presë, së pari, vendimet e Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. KQZ-ja, megjithatë, nuk ka mundur të japë një parashikim të saktë se kur do të përfundojnë këto procedura dhe të shpallen rezultatet finale, duke shpresuar se me gjasë mbetet të pritet që javën e ardhshme të ndodhë një gjë e tillë. Numërimi i votave me kusht, tashmë konsiderohet si përcaktues për fituesit e postit të kryetarit të Prizrenit. Po ashtu, këto vota është thënë se mund të kenë ndikim edhe në rezultatet e Gjilanit, Rahovecit e Lipjanit.
 
 
PDK
 
Sejdiu të jetë president, jo kryetar i LDK-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh nënkryetar PDK-së, Hajredin Kuçi, i bëri dje një thirrje publike presidentit Fatmir Sejdiu dhe partisë së tij, LDK-së, që t’u besojnë institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë për organizimin e zgjedhjeve. Deklarata vjen pas akuzave të LDK-së, ditëve të fundit, në adresë të partnerit në koalicionin qendror, PDK, për parregullsi dhe keqpërdorime votash në disa komuna, në zgjedhjet e balotazhit që u zhvilluan të dielën. “Ne i ftojmë që të gjithë kompetentët ta luajnë rolin e tyre. Ata që po ankohen në vendimet e KQZ-së dhe të KZAP-it, ata i ka emëruar presidenti i Republikës së Kosovë, sipas kompetencave kushtetuese që ai ka. E ftojmë publikisht Presidentin e Republikës, që është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kësaj radhe të jetë më shumë President i Republikës, më pak kryetar i LDK-së, pra të besojë në institucionet që i ka emëruar ai, të kërkojë nga partia e vet që ta bëjë të njëjtën gjë. Ai duhet të besojë në institucionet e pavarura dhe ta përfundojmë këtë proces me sukses”, ka thënë Kuçi, në një konferencë me gazetarë. I pyetur nëse ende ka kuptim bashkëjetesa PDK-LDK, pas të gjitha akuzave ekstreme që janë bërë nga të dyja partitë në koalicion, numri dy i PDK-së u shpreh se edhe mediat kanë bartur një pjesë të fajit në këtë drejtim, duke u munduar të bartin problemin në nivelin qendror. Ai gjithashtu ka shfaqur shqetësimin e PDK-së në lidhje me protestat e mundshme, duke thënë se të gjithë ata që kanë hyrë në garë duhet ta pranojnë humbjen me qetësi.
 
 
Kosovë-Mali i Zi
 
Prishtina, ende asnjë datë për demarkacionin e kufirit
 
Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës thanë se pas arritjes së marrëveshjes së demarkacionit me Maqedoninë, me kohë do të nisin edhe bisedimet me Malin e Zi. Ata theksuan se nuk parashikojnë ndonjë problem në këtë drejtim. Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk mund të japin një afat kohor se kur do të nisin bisedimet me autoritetet e Malit të Zi, për përcaktimin e vijës kufitare me këtë shtet. Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, tha se me shtetin fqinj kanë bashkëpunim të mirë dhe, sipas tij, me kohë do të nisin edhe bisedimet për demarkacionin e kufirit. “Nuk kemi filluar ende diçka zyrtare. Me Malin e Zi ne presim një proces normal të fillimit të bashkëpunimit dhe ngritjes së marrëdhënieve në nivel politik dhe diplomatik. Ky është një proces normal, ne jemi në një fazë shumë të hershme të shtetit dhe nuk bëhen të gjitha punët njëherësh”, tha Pajaziti. Këto komente, ministri i bëri pas takimit që zhvilloi Bordi për Menaxhimin e Integruar të Kufijve në Prishtinë. Pak ditë më parë, zyrtarë të lartë të Malit të Zi patën deklaruar se bisedimet rreth demarkacionit të kufirit me Kosovën do të mund të fillonin kur të vendoste vetë Prishtina zyrtare. Autoritetet nga Podgorica patën thënë se kanë bërë gati dokumentacionin për kufirin dhe se kufiri administrativ ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ishte i përcaktuar në bazë të kadastrës së vitit 1953. Ndërsa, sipas Planit të Ahtisarit, çështja e kufirit me vendet fqinjë, përveçse me Maqedoninë, parashihet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijat e dikurshme kufitare” në kuadër të ish-Jugosllavisë, më saktësisht ashtu siç kanë qenë më 31 dhjetor 1988. Ende pa nisur bisedimet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, shoqëria civile në Kosovë ka shprehur dyshimet e veta, se Kosovës do t’i merren të paktën 6 mijë e 600 hektarë tokë. Një sfidë tjetër në rrafshin e kufijve, për institucionet kosovare mbetet edhe funksionimin i duhur i pikave doganore dhe kufitare në veri të Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tha se pikat kufitare në veri, në krahasim me periudhën e një viti më parë, kanë ndryshuar për të mirë. “Mund të them se situata është shumë më e mirë sesa para një viti. Ne sot, atje kemi një prezencë fillimisht nga kolegët tanë, që vijnë nga EULEX-i; njësitë tona doganore antikontrabandë, në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, që patrullojnë përgjatë tërë zonës nga veriu”, theksoi Huruglica. Bordi i Menaxhimit të Integruar të Kufijve është themeluar në qershor të këtij vit, në përbërje të përfaqësuesve nga të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me menaxhimin e kufijve.
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›