E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkrahës të PS përplasen me deputetin Ndriçim Hysa

 

Deputeti socialist Ndriçim Hysa dhe kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani, është përplasur me përkrahës të PS-së në fshatin Kajan të Elbasanit. Deputeti socialist dhe kryetari i Bashkisë Belsh, duke lëvizur në komuna dhe fshatra të Dumresë ka mbërritur në fshatin e largët Kajan rreth orës 23:00, kur në klubin e këtij fshati ka gjetur vëllezërit Hysa, banorë të këtij fshati duke pirë. Deputeti por dhe kryetari i bashkisë, Tafani, u ka tërhequr vëmendje dy vëllezërve se në kulmin e fushatës kur të gjithë ishin të angazhuar dhe vraponin në të gjithë zonën për të takuar zgjedhësit, ata pinin. Kjo vërejtje duket se nuk u ka pëlqyer dy vëllezërve Hysa, të cilët kanë nxjerrë dhe qejfmbetjet e vjetra. Ata i janë shprehur deputetit Hysa se nuk kanë motiv të ndihmojnë atë në këtë fushatë, pasi ai i kishte eliminuar ata nga lista e kandidatëve në 2007 për kryetar komune. Këto fjalë kanë rënduar situatën dhe klimën në orët e vona të natës, kur dhe janë ndezur gjakrat. Një nga vëllezërit i ka zbrazur mbi trup deputetit socialist shishen e birrës, të cilën po pinte në atë orë të vonë, ndërsa vëllai tjetër ka dashur ta qëllojë me shishe deputetin, por ajo ka përfunduar te kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani. Kanë qenë bashkëfshatarë të ndodhur aty që kanë qetësuar të njohurit prej kohësh mes tyre por që janë acaruar në kulmin e fushatës. Situata më tej është qetësuar, ndërsa Tafani nuk ka pasur nevojë të shkojë në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›