E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Zgjedhjet në Fier të vlefshme

21/07/2009  Rrëzohet kërkesa e PDI-së për pavlefshmëri në 4 QV S’mori kuorumin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën ankimore të Partisë për Drejtësi dhe Integrim për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në katër qendra votimi në Qarkun e Fierit. Ndonëse mazhoranca u shpreh dakord me kërkesën, ajo nuk mundi të sigurojë votat e nevojshme (pesë vota) që duhet të marrë një kërkesë e tillë që të cilësohet e miratuar. Me këtë shqyrtim institucioni qendror i administrimit të procesit zgjedhor i ka dhënë fund fazës së shqyrtimit të kërkesave ankimore nga subjektet zgjedhore. Pas gjykimit dhe marrjes së vendimit nga Kolegji Zgjedhor për disa ankesave ndaj vendimeve të KQZ-së, këtij të fundit i mbetet vetëm të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Debati

Përfaqësuesi i PDI-së në KQZ Shkëlqim Sulo parashtroi para anëtarëve të KQZ-së të gjitha pretendimet e partisë së tij për procesin zgjedhor në katër QV-të, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në to. “Në qendrat e votimit nr. 31-85, 31-88, 31-96 dhe 30-06 është cenuar rëndë ligji dhe parimi i votës së fshehtë, pasi komisionerët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa fletët e votimit nuk kanë qenë në formën dhe përmasat sipas vendimit të KQZ-së. Ne kërkojmë pavlefshmëri të zgjedhjeve në këto qendra votimi, ku siç dihet mund të sigurohet mandati i PDI-së, i cili sigurohet me shumë pak vota, pasi diferenca është e vogël”, - tha Sula. Kjo kërkesë u mbështet plotësisht nga përfaqësuesit e PD-së në komision, pjesërisht nga anëtarët e mazhorancës në të, por u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës. “E gjej me shumë vend konstatimin e PDI-së për parregullsitë në të katër qendrat e votimit të Qarkut Fier si dhe kërkesën për pavlefshmëri, sidomos për qendrat nr. 31-85 dhe 31-88. Në këto dy qendra votimi KZAZ-ja vendosi që kutitë të mos hapen, por ato u hapën. Mund të themi se në to u vu dorë në mënyrë të paligjshme. Kemi në mënyrë të qartë shkelje të ligjit si dhe ndikim të dukshëm në rezultat. Sikur një qendër votimi të shpallet e pavlefshme, PDI-ja fiton mandatin e saj”, - tha Kosovrasti në fjalën e tij. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së në komision, Genc Gjonçaj, e kundërshtoi këtë kërkesë duke e cilësuar gjykimin mbi të gjitha jashtë procedurave. Ai kërkoi nga KQZ-ja që të pushojë gjykimin e çështjes.

Vendimi

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, kundërshtoi pretendimet e opozitës se kjo është një çështje e gjykuar. Duke krahasuar kërkesat ankimore të PDI-së dhe të PD-së, të cilat në objekt të kërkesës së tyre kanë pikërisht dy qendra votimi të njëjta, saktësoi se ndërsa PD-ja pretendimet e saj i lidhi me pasaktësitë e konstatuara, ankimi i PDI-së lidhej me vendimet e KZAZ-së. “Përderisa KZAZ-ja ka vendosur të mos i numërojë dy kutitë e votimit, ato janë numëruar. Kështu, ligji është shkelur, ndërsa procesi është delegjitimuar. Kjo është një arsye për t’i shpallur të pavlefshme këto dy qendra votimi. Lidhur me fletët e votimit që u gjetën në qendrat votimit nr. 31-96 dhe 30-06, disa me kundrafletë dhe disa të grisura, unë i qëndroj mendimit se nuk do të delegjitimojë votën e qytetarëve për faj të komisionerëve”, - theksoi Ristani. KQZ-ja votoi 4 me 3 për pranimin e kërkesës, votim i cili nuk arriti kuorumin e domosdoshëm 5 me 2.

PDI-ja humb mandatin e dytë

Partia “Për Drejtësi dhe Integrim” humbi betejën në KQZ, ndërkohë që ajo pretendon ta fitojë atë në Kolegjin Zgjedhor, ku ka depozituar kërkesë ankimore për Qarkun e Fierit. Kjo forcë politike për pak vota humbi mandatin e saj të dytë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Ndërsa një mandat e ka tashmë të fituar dhe të certifikuar nga KQZ-ja në Qarkun e Vlorës, PDI-ja pretendon se i takon edhe mandati në Qarkun e Fierit. Kjo forcë politike është pjesë e koalicionit “Aleanca e Ndryshimit”, aleancë që kryesohet nga Partia Demokratike. Sipas tabelës përmbledhëse të këtij qarku të mbërritur në KQZ, PDI-ja ishte fituese e mandatit të dytë dhe i siguronte koalicionit ku bënte pjesë 7 mandate, përballë 8 mandateve të koalicionit të PS-së dhe një të LSI-së. Mandatin e dytë PDI-ja e humbi pas njohjes nga KQZ-ja të dy tabelave të rezultateve në qendrat votimit nr. 31-85 dhe 31-88 të Qarkut të Fierit dhe numërimit të 8 kutive të tjera të vlerësuara të pavlefshme nga KZAZ-të e Qarkut Fier. Rezultati aktual i zgjedhjeve të përgjithshme për Qarkun e Fierit, miratuar edhe nga KQZ-ja, është 9 mandate për PS-së, 7 për PD-në dhe 1 për LSI-në.

Subashi: Kërkesa e PDI-së jashtë afateve

KQZ-ja rrëzoi dje kërkesën e nënkryetares së KQZ-së Dëshira Subashi për të thirrur në KQZ komisionerët e KZAZ-së nr. 20 të Qarkut Fier për të dëshmuar rreth pretendimeve të PDI-së. Kërkesa e saj u bë gjatë fazës së hetimit administrativ nga KQZ-ja gjatë mbledhjes së djeshme. “Kërkoj të thirret KZAZ nr. 20 dhe të pyetet rreth parregullsive, në mënyrë të veçantë për mënyrën se si u grisën fletët e votimit në qendrën e votimit nr. 30-06”, - tha Subashi. Me 4 vota pro dhe 3 kundër kërkesa e saj u rrëzua me arsyetimin se nuk janë të nevojshme provat kur ekzistojnë vendime të shkruara të KZAZ-së. Lidhur me çështjen në fjalë nënkryetarja e vlerësoi kërkesën ankimore të PDI-së në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe të paraqitur jashtë afateve që përcakton ai. Po ashtu ajo vlerësoi se KQZ-ja nuk ka kompetencë të gjykojë një çështje pavlefshmërie. “KQZ-ja nuk është kompetente për të shqyrtuar mëkresën për pavlefshmëri, pasi kjo është një çështje që po gjykohet nga Kodi Zgjedhor. Në kërkesat që kanë depozituar pranë kësaj gjykate PD-ja dhe PDI-ja kërkojnë pavlefshmëri në disa qendra votimi të Fierit”, - tha Subashi. Ajo sqaroi se shpallja e pavlefshme e këtyre qendrave votimi sjell përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë Qarkun e Fierit.

Shqyrtimi

Kolegji Zgjedhor nis procesin e gjykimit me Fierin

Rezultati i Qarkut të Fierit, objekt i ankimimit të subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit, do të gjykohet në seancën e parë që Kolegji Zgjedhor çel për këtë proces zgjedhor. Në këtë mënyrë, Kolegji Zgjedhor nis sot shqyrtimin e ankesave të subjekteve zgjedhore, të cilat kanë ankimuar pranë këtij institucioni vendimet e KQZ-së lidhur me rezultatet e votimeve në qarqet Fier, Berat, Shkodër, Tiranë dhe Durrës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në mbledhjen që do të zhvillohet paraditen e sotme Kolegji do të shqyrtojë dy ankesa të PD-së për Qarkun e Fierit. Kjo forcë politike ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të 6 qendrave të votimit në këtë qark dhe vendimin e KQZ-së të datës 13 korrik për tabelën përfundimtare të rezultateve në Fier. Po për këtë qark pranë gjykatës për çështjet zgjedhore është regjistruar edhe kërkesa e PS-së për shpalljen të pavlefshme të votimit në komunën Ruzhdie të Fierit. Ndërkohë kërkesat e tjera ankimore janë për rinumërim dhe rivlerësim të disa qendrave votimi në qarqet Berat, Shkodër, Tiranë dhe Fier dhe pavlefshmëri në disa qendra të tjera në Tiranë e Shkodër. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë, ndaj tij nuk bëhet ankim. Sipas nenit 146 të Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë i ushtron funksionet e veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së Kuvendit të dalë nga zgjedhjet, për të cilat është hedhur shorti dhe funksionon për të gjitha llojet e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›