E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Diversioni i Berishës nuk do na ndajë

21/07/2009  Kreu socialist i palëkundur në qëndrimin e tij në krye të PS-së

“Një pushtet i grabitur nuk mbahet dot në mes të Europës”

Deklaratat e lëshuara nga kryetari i partisë Socialiste Edi Rama po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Në një kohë kur eksponentë të lartë të kësaj partie në mënyrë publike kanë kërkuar dorëheqjen e tij për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Rama preferon që në një mënyrë krejt të zgjedhur tu kundërpërgjigjet përmes kundërvënies ndaj kundërshtarit të tij politik. Për këtë arsye dhe gjatë ditës së djeshme kreu socialist nuk kurseu akuzat dhe kritikat ndaj kryeministrit Berisha. Madje, veç akuzave për marrjen peng të KQZ-së, kësaj radhe Rama shkoi më tej duke deklaruar se Berisha po përpiqet që të përçajë PS-në përmes diversionit. “Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Sali Berishës dhe sot ne jemi më të vetëdijshëm se asnjëherë për rolin tonë jetik për demokracinë dhe detyrimin tonë të patjetërsueshëm në një proces ku në asnjë mënyrë nuk mund të triumfojë gënjeshtra e një pushteti të ricikluar përmes grabitjes së votave e të mandateve”, - vuri në dukje Rama gjatë deklaratës së tij të djeshme. Por duke dashur ta bëjë më të qartë qëndrimin e tij, kreu socialist nënvizoi se “nuk më mbetet veçse ti ripërsëris publikisht Sali Berishës se një pushtet i grabitur nuk mbahet dot në mes të Europës në shekullin XXI dhe nga përballja me të vërtetën e kutive të marra peng në kundërshtim me ligjin e me të drejtën e opozitës, nuk e shpëton dot as ish-i dënuari për marrje ryshfeti që ka në krye të KQZ-së, as i dënuari me turp, që vrapoi ti ulet në prehrin e lënë bosh nga Xhuveli dhe as përpjekja e ethshme për të bërë diversion në Partinë Socialiste”. Ndërkohë, duke u ndalur në procesin zgjedhor, kryetari i PS-së shigjetoi ashpër kryeministrin Berisha dhe kryetarin e KQZ-së Arben Ristani. “Rikthimi te mandati ynë i nëntë në Fier i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij jo të largët për marrje ryshfeti dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit, por oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur më 28 qershor, çfarë po ndodh pas 28 qershorit dhe çfarë mund të ndodhë ende më tutje, në rast se Partia Socialiste nuk bën atë që po bën e do të bëjë deri në fund”, - deklaroi Rama. Sipas tij, nuk ka asnjë forcë që ta ndalë Partinë Socialiste në detyrimin e saj të patjetërsueshëm për të mbrojtur demokracinë.

Paralajmërimi

“Gjithçka që Sali Berisha ka marrë e mund të marrë deri në fund në rrugë të paligjshme, në shkelje të plotë të ligjit e të së drejtës tonë për të qenë të barabartë përpara ligjit, ne do ta rimarrim në rrugën e ligjshme të një force të madhe politike të grabitur në të drejtën e saj, duke mos ngurruar të përdorim çdo mjet që liria e demokracia ua japin njerëzve kur pushteti u mohon të drejtën e barazisë përpara ligjit. Dhe askush mos harrojë se jemi forca më e madhe e politikës”

Rama për Metën

“Shqipëria e shqiptarët po e shohin dhe po e kuptojnë përditë se pushteti shtatanik i çiftit të ri të politikës së vjetër lindi me ngut të rrufeshëm pikërisht për të ndaluar zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit, për ta vënë nën presionin e një pushteti të ri të gjithë procesin e ankimimeve tona apo të kujtdo tjetër që kërkon transparencë, për të mos lejuar që të hapen kutitë e Beratit, Tiranës, Shkodrës apo edhe të qyteteve të tjera, ku të tjera subjekte të dëmtuara kërkuan rinumërime.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›