E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama sulm KQZ-së për të fshehur humbjen në zgjedhje”

21/07/2009  Kundërpërgjigja e PD-së

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, ka deklaruar se kreu i PS-së, duke vijuar me sulmet ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përpiqet të mbulojë humbjen e padiskutueshme në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke hedhur poshtë sulmet dhe pretendimet e drejtuesit të PS-së, ajo theksoi se të gjitha procesverbalet dhe tabelat e rezultateve të rretheve Berat, Shkodër e Tiranë kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS-së të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim apo vërejtje të veçantë. Duke përcjellë qëndrimin zyrtar të PD-së, Mëhilli tha se Edi Rama, që nuk i beson dot as këmishës së tij, është e natyrshme se nuk ka sesi tu besojë firmave të tyre. Partia Demokratike po u përgjigjet sulmeve të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama me të njëjtën monedhë. “I kujtojmë zotit Rama, ndonëse ai është sot në krye të PS-së, dosjet e korrupsionit të tij të hartuara nga ministrat e PS-së dhe që janë sot eksponentë kryesorë të kësaj partie, gjenden në prokurori”, - ka deklaruar dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Zëdhënësja e PD-së mori në mbrojtje kryetarin e KQZ-së Arben Ristani, i cili, sipas saj, ka kryer me integritet të lartë detyrën e besuar. “Informojmë opinionin publik se midis 3 kandidaturave të paraqitura nga PD-ja për këtë post është Edi Rama që ra dakord për zotin Ristani, ndaj sulmet e tij nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike”, - deklaroi Mëhilli. Zëdhënësja demokrate, duke folur mbi mandatin e 9-të për deputet në Qarkun e Fierit, tha se PS-ja ia mori atë PDI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›