E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ akrediton misionin e ODIHR-it

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje akreditimin e 39 vëzhguesve afatgjatë të OSBE-ODIHR, në krye të të cilëve qëndron Audrey Glover. Sakaq, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zhoao Soares, do të zhvillojë sot në Tiranë takime me krerët e shtetit dhe të opozitës. Në këtë formë është gjetur një zgjidhje e mesme ndërmjet qeverisë dhe kreut të misionit vëzhgues, e kontestuar nga ekzekutivi. Tri ditë më parë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, anuloi takimin e parashikuar me shefen e këtij misioni, pa dhënë asnjë shpjegim. Pavarësisht kontestimeve, KQZ është detyruar të pranojë akreditimin e zonjës Glover dhe 38 vëzhguesve, pjesë e misionit të OSBE/ODIHR-it, që do të monitorojë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në Shqipëri. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ka paraqitur një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e vëzhguesve afatgjatë për monitorimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e qershorit. Pas konsultimit të bërë mes anëtarëve të këtij komisioni, KQZ vërejti se dokumentacioni i paraqitur ishte brenda kushteve dhe kërkesave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor.

"Për këto arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në nenin 21, pika 1 dhe neni 6, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë; vendosi të miratojë 39 vëzhgues afatgjatë të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, sipas listës të përcaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë", thuhet në njoftimin e KQZ-së. Ndër 39 vëzhgues afatgjatë, pesë prej tyre vijnë nga Anglia, mes tyre edhe Glover, të ndjekur prej përfaqësuesve nga Gjermania, SHBA-ja e Zvicra. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR, që kryesohet nga ambasadorja britanike, Audrey Glover, mbërriti në Tiranë në fillim të javës së kaluar dhe menjëherë nisën kontaktet me qeverinë dhe forcat politike shqiptare. Misioni u ftua nga Ministria e Jashtme dhe emri i përzgjedhur nga strukturat drejtuese të ODIHR-it në Varshavë ka hasur në kontestimet e hapura të qeverisë shqiptare. Glover nuk u prit në takim nga ana e Kryeministrit Sali Berisha. Kreu i qeverisë i nisi një letër OSBE-ODIHR-it ku shprehej pakënaqësia për zonjën Glover për shkak të prezencës së saj në Shqipëri në zgjedhjet e kontestuara të vitit 1996. Raporti i firmosur nga Glover në atë kohë nuk është pranuar nga Sali Berisha që mbante detyrën e Presidentit. Mes gjithë këtij ngërçi hyri edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Arben Ristani mori rolin e negociatorit dhe po atë ditë anuloi takimin me misionin e ODIHR-it, që kryesohej nga Glover pa dhënë asnjë shpjegim. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Komisionit Evropian që deklaroi se "nuk është e drejta e qeverisë shqiptare që të zgjedhë emrin e kryesuesit të misionit". Takimi mes shefes së misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit dhe Kryeministrit Sali Berisha nuk është kryer ende, edhe pse ka pasur një takim të kreut të qeverisë dhe trojkës evropiane. Glover ka zhvilluar deri më tani takime me kreun e opozitës, Edi Rama, i cili ka shprehur mbështetjen e partisë që ai drejton për misionin e vëzhguesve, me kreun e G99-ës, Erjon Veliaj. Si dhe me kreun e PR-së, Fatmir Mediu, me kreun e LSI-së, Ilir Meta etj. KQZ shtyu për sot miratimin e 24 vëzhguesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Vëzhguesit e ODIHR-it

Audrey Glover Mbretëria e Bashkuar

Stefan Krause Gjermani

Ovidiu Craiu Rumani

Dimitar Dimitrov Bullgari

Peter Palmae Mbretëria e Bashkuar

Elma Sehalic Gjermani

Igor Bulic Kroaci

Skopa Mariana Greqi

Trevor Harvey Mbretëria e Bashkuar

Tomasz Janczy Poloni

Polyna Lemos Greqi

Nicola Schmidt Gjermani

Pawel Jurczak Poloni

Tina Gewis Austri

Nielsen Hiels Henrik Danimarkë

Fredrik Sioberg Finlandë

Romuald Pichard Francë

Gernot Eberle Austri

Hala Kallas Francë

Rene Schulfoff Gjermani

Friedrich Fensch Gjermani

Hannelore Valier Gjermani

Frank Scott Irlandë

Annie-lise Miatvedt Norvegji

Anica-Cristina Mesdrea Rumani

Aida Gulien Spanjë

Torgny Hinnemo Suedi

Eva Rimsten Suedi

Thomas Holzer Zvicër

Diana Franca Ferrari Zvicër

Nicolas Alexander USA

Leslie Hough USA

Amy Naccarato USA

Sofia Botzios Greqi

Fiona Caldwell Mbretëria e Bashkuar

Peter Davis Mbretëria e Bashkuar

Daniela Malijanska FYRoMaqedoni

Ivan Tsikota Bjellorusi

Mihail Sircheli Moldavi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›