Vonesa e listave, KQZ gjobit 77 njësi vendore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje masë administrative me gjobë për 77 krerë të njësive vendore. Detyrimi me 50 mijë lekë vjen për shkak se ata nuk kanë dorëzuar listën paraprake të zgjedhësve. Vendimi u mor dje nga anëtarët e komisionit, të cilët i paralajmëruan vendorët disa ditë më parë, se nëse nuk i përgjigjeshin këtij detyrimi, do të paditeshin. Pas paralajmërimit nga 135 njësi vendore që nuk ishin përgjigjur, numri i tyre u ul në 77. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi se nëse krerët e këtyre njësive vendore do të vijojnë të mos i përgjigjen detyrimit, atëherë KQZ-ja do të bëjë depozitim për padi penale. "Në rast se kryetarët e njësive vendore do të vazhdojnë të mos ta plotësojnë këtë detyrim ligjor, do të shkojnë edhe për ndjekje penale", tha ai. Në listën e këtyre 77 njësive janë 2 bashki në Qarkun e Beratit, përkatësisht, Bashkia Berat dhe ajo e Urës Vajgurore. Në këtë listë përfshihen edhe Bashkia e Peshkopisë, Bashkia Maminas, Shijak, Manëz, Çërik, Përrenjas, Divjakë, Këlcyrë, Memaliaj. Pjesa tjetër e njësive vendore të gjobitura janë komuna me shtrirje gjeografike në të gjithë vendin. Deri në datën 11 maj ishin 135 njësi vendore që nuk i ishin përgjigjur këtij detyrimi. "Ai kishte të bënte me të dhënat që do të përmbanin numrin e zgjedhësve për qendrat e votimit, numrin e qendrave të votimit dhe numërtimin e tyre. Nga 383 njësi të qeverisjes vendore, 135 nuk i kanë sjellë akoma këto të dhëna, duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ-së.