E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria tenton "të dublojë" ODIHR-in!?

Kryeministri Sali Berisha mund të tentojë "dublimin" e misionit të ODIHR-it, në pamundësi për të larguar kryesuesen e tij, Audrey Glover. Burimet diplomatike deklaruan dje se qeveria shqiptare ka filluar të "lobojë" për të afruar sa më shumë vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Po sipas burimeve, preferencë e Tiranës zyrtare është austriaku Wolfgang Grossruck. Ai mendohet se do të vijë në kryeqytetin shqiptar javën e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Me këtë lëvizje, Kryeministri Sali Berisha do të mund të lëshojë një mesazh se nuk ka probleme me OSBE-në si organizatë, por vetëm me kryesuesen e misionit të ODIHR-it. Deri më tani, ndonëse Glover u akreditua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk është pritur në zyrat e larta të shtetit, në Kryeministri apo në Ministrinë e Jashtme. Grossruck njihet si një mbështetës i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në vijimësi, në çdo proces elektoral, përveç misionit të ODIHR-it, ka ardhur edhe një numër përfaqësuesish nga Asambleja e OSBE-së dhe nga Këshilli i Evropës. Në rastin konkret, vullneti i palës shqiptare mund të çojë në shtimin e numrit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Sipas asaj çka u deklarua nga zëdhënësja e Havier Solanës dy ditë më parë, i vetmi raport i cili do të merret për bazë në vlerësimin për zgjedhjet, është ai që do të bëjë ODIHR-i. Pavarësisht kësaj, ekzistenca e një numri vëzhguesish të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe konkretisht një emër preferencial, do të çonte në një dualizim vlerësimesh për procesin zgjedhor. Sot Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Shoao Soares, dhe natyrisht kjo situatë mund të jetë objekt i diskutimeve. Mbetet për t‘u parë në ditët në vijim nëse diplomacia shqiptare do ta shndërrojë në realitet këtë përpjekje për të "dubluar" misionin vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, apo do të dorëzohet duke pranuar edhe në aspektin diplomatik zonjën "Glover".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›