E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ diskuton sot 9 kutitë e “sherrit” të Fierit

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së djeshme, ku është lënë pasditja e sotme të nis debati për nëntë kutitë e “famshme”, nga ku Partia Socialiste ka deklaruar se me to do të varet fati i njohjes ose jo të zgjedhjeve. Kjo parti pretendon se do të marrë mandatin e nëntë të deputetit në këtë qark, nëse numërohen edhe kutitë e tjera, të cilat janë shpallur të pavlefshme nga Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

 Mbledhja e djeshme e KQZ-së, u shoqërua me debate të ashpra. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë komision Njazi Kosovrasti ka ngritur pretendime për tabelat e KZAZ-së nr. 37 të Qarkut Lezhë, në të cilat nuk ishin përfshirë rezultatet e 11 qendrave të votimit. Sipas tij, shkak për këtë është bërë refuzimi i komisionerëve të PS-së në këtë KZAZ për të zbatuar ligjin. “Refuzimi i përfaqësuesve të PS-së për hedhjen në tabelën përmbyllëse të rezultateve të qarkut Lezhë të 11 QV-ve, është një qëndrim i jashtëligjshëm dhe i qëllimshëm i komisionerëve socialistë, për të cilin ne kemi gati kërkesën ankimore”, - tha Kosovrasti.

Ai shtoi se “zhurma e PS-së për Fierin ka ndodhur në përmasa më të mëdha në qarkun e Lezhës”. Nga ana e tyre, përfaqësues të PS-së në KQZ theksuan se shkeljet e ligjit në rastin e Qarkut të Fierit janë më të rënda se ato të Lezhës. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, përfaqësuese e Partisë Socialiste u shpreh se komisioni duhet të përfshijë në vendimarrje këto 11 Qendra Votimi. Partia Demokratike pretendon se me numërimin e këtyre kutive do të merrte mandatin e pestë në këtë qark, duke e lënë të majtën vetëm me dy mandate.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›