E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ e shqetësuar për trajnimin e komisionerëve, procesi drejt dështimit

Subashi: Lëvizja e Qendrave të Votimit po çon në dështimin e zgjedhjeve
Në kuadër të procesit zgjedhor, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u bëri apel kryetarëve të partive politike që të sjellin urgjentisht komisionerët e Qendrave të Votimit për ti trajnuar. Partitë politike nuk kanë sjellë komisionerët e Qendrave të Votimit për tu trajnuar. Ju bëj apel forcave politike të paraqesin përfaqësuesit e tyre, sepse po na dështon trajnimi i komisionerëve të QV, deklaroi kreu i KQZ në hapje të mbledhjes gjatë ditës së djeshme. Pak ditë më parë KQZ miratoi 214 trajnues për qarqet kryesore të vendit, të cilët do të trajnojnë anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme.Numri në total i QV në rang vendi, pas disa ndryshimeve të miratuara dje nga KQZ është 4751 nga 4812 që ishte më parë. Me një vendim të tij Komisioni ra dakord për mbylljen e një numër qendrash votimi (rreth 61) për shkak të numrit të vogël të zgjedhësve, duke i bashkuar ato me QV të tjera. Kjo ka sjellë ndryshim dhe në sasinë e fletëve të votimit, që do të përdoren në votimet e 28 qershorit. Më tej, po gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ filloi sërish të miratojë ndryshimin e disa Qendrave të Votimit nga ambientet publike në ato private. Si rrjedhojë, ashtu si herët e tjera kjo iniciativë u kundërshtua ashpër nga anëtarët socialistë në KQZ. Kështu përfaqësuesja e PS njëkohësisht nënkryetare e KQZ, Dëshira Subashi tha se KQZ ishte e detyruar të merrte një vendim për ndryshimin e QV, për shkak të kohës së shkurtër. Sipas saj, zgjedhjet e 28 qershorit rrezikojnë seriozisht të mos përmbushin standardet e kërkuara me shumë ngulm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga opinioni publik vendas. Më tej ajo shtoi se lëvizjet e papërcaktuara të vendorëve të qendrave të votimit vetëm 1 javë para datës së zgjedhjeve, kanë futur në vështirësi jo vetëm KQZ, por kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e procesit ditën e votimit. Problemi për të qëndron në dy çështje: së pari, ndryshimi i qendrave në mënyrë të pakontrolluar nga krerët e qeverisjes vendore mund të sjellë ditën e zgjedhjeve që, një numër i konsiderueshëm zgjedhësish, të mos gjejnë qendrën ku duhet të votojnë dhe, së dyti, kalimi i një numri të konsiderueshëm qendrash në ambiente private, pa plotësuar ndonjë kriter, mund të ketë ndikim tek zgjedhësit. Subashi ka bërë të ditur se KQZ ka qenë e detyruar, për shkak të presionit të kohës, të bëjë një vendimmarrje të shpejtë pa kontrolluar sigurinë e informacionit, që krerët vendorë kanë sjellë për vendndodhjen e qendrave të votimit. KQZ, me një informacion që mund ta vlerësojë skandaloz nga njësitë e qeverisjes vendore, është detyruar të bëjë një vendimmarrje, e cila për nga natyra e të funksionarit nuk ka pasur elementet minimale të sigurisë. Deri në ditën që të përfundojnë zgjedhjet dhe të jenë hapur qendrat e votimit që ne miratuam me këtë shpejtësi, unë sinqerisht e mbaj shqetësimin lidhur me këtë problem. Ç'do pasqyrojë në ditën e zgjedhjeve kjo vendimmarrje e KQZ-së në këto ambiente private? Druaj të paragjykoj, po shqetësimin e kam të ligjshëm për këtë problem, tha Subashi. Gjithashtu Subashi shtoi se ajo çka duket se i mbetet tashmë KQZ-së është të shpresojë se vetë forcat politike do të kenë kurajën e duhur për të administruar procesin në përputhje me standardet që kërkohen. Uroj që politika vetë ta menaxhojë këtë situatë, sepse në fund të fundit janë përfaqësues politikë, ata që janë kryetar bashkish e komunash, tha më tej Subashi. Nisur nga kjo problematikë që ka shkaktuar pikërisht vendimmarrja joligjore e krerëve të qeverisjes vendore, KQZ është duke menduar seriozisht për një penalizim të tyre pas zgjedhjeve të 28 qershorit, për të gjitha shkeljet që kanë bërë në lidhje me procesin elektoral. Çdo kusht që nuk plotëson detyrimet që ka Kodi Zgjedhor për çështjet zgjedhore, do të përbëjë një objekt të shqyrtimit të KQZ-së, për një përgjegjësi administrative, pse jo dhe penale. Në bazë të ligjit, kryetarët e komunave dhe bashkive duhej të dorëzonin, që para dy muajsh para publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve, listën e objekteve të votimit. Afati jo vetëm që është shkelur, por vendorët kanë përcaktuar si qendra votimi 504 objekte private, shumica me dokumentacion të parregullt dhe në pronësi militantësh partiakë, përfundoi ajo.  

Last Updated on Tuesday, 23 June 2009 18:08

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›